Home Aktualitet Peqini në Festivalin Botëror të Kinemasë Sportive

Peqini në Festivalin Botëror të Kinemasë Sportive

332
0

“Qyteti i vogël i kampionëve të mëdhenj”, në Festivalin Botëror të Milanos
Nga Ermal Godenca

Sporti dhe kinemaja

Filmi shqiptar me skenar të Ahmet Shqarrit dhe regji të Ylli Pepos, përfaqëson Shqipërinë në Festivalin Botëror të Kinemasë Sportive

Kinemaja shqiptare tashmë hyn edhe në festivale të filmit sportiv, siç është ai i Milanos, i cili fillon ditën e premte, më 28 tetor dhe mbyllet të mërkurën e ardhshme, më 2 nëntor, me një mbrëmje gala në Palaco Marino, përballë La Skalas së famshme, ku ndodhet selia e pushtetit lokal të kryeqendrës lombarde.

Këtu, në prani të shumë personaliteteve dhe legjendave të sportit botëror, do të jepen edhe çmimet për filmat fitues. Ky është informacioni i parë që na jep Ylli Pepo, regjisor i filmit dokumentar “Qyteti i vogël i kampionëve të mëdhenj”, i cili përfaqëson vendin tonë në Milano. Ja si u përgjigjet ai më tej pyetjeve tona:

Ç’është ky festival?

Duke bërë një krahasim me futbollin, ky festival quhet edhe “Kampionati Botëror i Filmit Sportiv”. Vetë mënyra se si ai zhvillohet në 14 faza (eliminatore, çerekfinale dhe gjysmëfinale) ta jep këtë afrim me sportin. Ky është edicioni i 29-të i tij. Në Milano është faza finale. Gjatë gjithë vitit janë zhvilluar festivale rajonale, apo kontinentale në 14 qytete të ndryshme të globit, që nga Pekini e deri në Stamboll, apo në San-Paolo të Brazilit.

Prej këtyre janë përzgjedhur një pjesë e filmave, atyreve më të mirë, që tani konkurrojnë direkt në Milano për “Kurorën e artë”, siç quhen çmimet e nderit këtu. Por në këtë kompeticion hyjnë filma që përzgjidhen nga një juri e veçantë ndërkombëtare. Sivjet konkurruan 986 filma sportivë, dokumentarë dhe artistikë, të ardhur nga 108 shtete të botës.

Pas shikimit te tyre, drejtori dhe themeluesi i festivalit, Prof. Franko B. Askani, një personalitet botëror i kinemasë dhe i sportit, si edhe kryetari i jurisë, stilisti i njohur Otavio Missoni, dikur sportist i shquar i Italisë, komunikuan titujt e 150 filmave konkurrues nga 50 vende të botës, duke eliminuar kështu 58 vende dhe 836 filma.

Filmat janë ndarë në 7 seksione, ku me interesantët dhe më konkurruesit janë ai i filmave artistikë sportivë, filmat për sportet individuale, për sportet me skuadra, për futbollin (një seksion i ri ky, i ndarë sivjet nga të tjerët) seksioni i filmave për kampionët etj. Pikërisht në këtë kategori ka hyrë në konkurrim edhe filmi shqiptar “Qyteti i vogël i kampionëve të mëdhenj” (titulli në anglisht është “Kampion bote nga asgjëja”), që në festival do të shfaqet si premierë botërore, në Sallën e Kolonave, që është salla më e madhe e festivalit, ditën e diel, më 30 tetor, në orën 16:30.

Është ky një sukses i ri i kinematografisë shqiptare, që ndoshta do të vlerësohet edhe me çmim, pasi organizatorët kanë njoftuar nominimin e tij mes 4 filmave të tjerë të seksionit “Kampionët”. Ai do të shfaqet krahas filmave të tjerë, që po priten me interes të veçantë, siç është filmi kinez mbi Lojërat Aziatike të Guanxhout, filmi spanjoll për Mourinjon, apo “Biri i Erës” për atletin e madh amerikan Karl Ljuis, filmi italian për historinë e dy trajnerëve, Saki dhe Ançeloti, kur drejtonin Milanin, dhe shumë të tjerë.

Si u realizua filmi juaj dhe cila është përmbajtja e tij?

Si çdo prodhim kinematografik, sot realizimi i një filmi dokumentar ka peripecitë e veta. Le ta themi që në fillim: Është meritë e deputetit të Kuvendit Shqiptar, zotit Dashnor Sula, një njeri i dhënë shumë pas sporteve, që me pasion dhe përkushtim të veçantë ndoqi hap pas hapi çdo fazë të filmit. Por bashkëqytetari i tij, Ahmet Shqarri, gazetar i shquar sportiv me 45 vjet jetë e punë të paprerë në këtë fushë, pati idenë për realizimin e këtij filmi sportiv dhe njëkohësisht social, për lidhjet e qytetit të tij Peqinit me sportin.

Pikënisja erdhi nga kampioni botëror i Shqipërisë, peshëngritësi Daniel Godelli, i lindur e i rritur në Peqin. Por edhe i stërvitur aty (në një palestër gati të rrënuar) nën drejtimin e një mjeshtri të shquar siç është Ali Lundraxhiu. Në film janë pjesëmarrës edhe familjarët e Danielit, babai, nëna dhe vëllai, që përbëjnë një familje të thjeshtë e të mrekullueshme, mbështetje e përjetshme e kampionit të botës.Por s’mund të mungonin në film as figurat e shquar të këtij qyteti, që përbëjnë historinë e tij.

Me kameran e Astrit Omerit, autor dhe realizues i shumë e shumë programeve televizivë sportivë dhe me mjeshtërin e montazhit, Gjergji Pano, që i dha vlera të veçanta kuadrit dhe ritmit të përgjithshëm të filmit, regjisori, s’ka se si të mos ndihet mirë, nuk mund të mungojë përkushtimi dhe “halli” që filmi i tij të dalë i bukur dhe profesionalisht i denjë për të hyrë në festivalet ndërkombëtare, duke konkurruar me dinjitet me të tjerët në nivelin artistik, por edhe me ngjarjet që tregon e historitë origjinale të njerëzve të një qyteti të vogël, por të madh nga historia dhe banorët e tij, plot vlera dhe mirësi.

Natyrisht, jemi të gëzuar që kemi hyrë e do ta përfaqësojmë Shqipërinë në finalen e një “Kampionati Botëror të Filmit”, gjë që do ta ëndërronim edhe për skuadrën tonë të futbollit të vërtetë. Por gjërat s’bëhen vetëm me ëndrra e me dëshira, ato duan punë e përkushtim, duan vullnet e kërkesa të larta, si ato të djalit të ri nga Peqini, sot kampion bote.

Ndoshta këtë kanë çmuar edhe organizatorët e Festivalit të Milanos, kur kanë vendosur që filmi dokumentar “Qyteti i vogël i kampionëve të mëdhenj” të nominohet për të fituar çmimin e madh “Guirlande d’honuer” (Kurora e nderit). SPorti shqiptar