11 sekretarë politikë, të 6 sekretariateve të Aleancës Kuqezi deklaruan largimin nga këto funksione, duke sqaruar se kjo vendimmarrje vjen pasi ata nuk janë pyetur nga Kreshnik Spahiu në vendimmarrjen e tij, të cilësuar prej tyre si private, që AK të garojë e vetme në zgjedhjet e qershorit.
Profesor Doktor Ago Nezha, i cili ka drejtuar Departamentin e Bujqësisë në AK e quajti largimin nga kjo parti si të imponuar prej kryetarit Kreshnik Spahiu.
“Dalja nga ky formacion politik, na u imponua nga qëndrimet refraktare, autokratike, klienteliste të kryetarit të saj, zotit Kreshnik Spahiu. Loja e Spahiut prezantonte paketa kërkesash për arritjen e qëllimit që i kishte dhënë tutori i tij, bajraktari i tij Berisha, që ai të arrinte aty që të mos realizonte aleancën”, tha Nezha.
Në emër të drejtuesve të larguar nga AK-së, Dashamir Uruçi, sekretar për Ekonominë në AK, lexoi një deklaratë ku akuzoi Kreshnik Spahiun, si njeriun që ka monopolizuar këtë forcë politike duke shpërfillur në mënyrë konstante forumet drejtuese.
“U bëjmë thirrje atyre që kanë mbetur, që të ikin edhe ata dhe të ndahen me të keqen. Udhëheqja kuqezi ka rënë në duar të pista që kanë zvenitur luftën tonë për kauzën kombëtare të shqiptarëve. Në rrugën e zgjedhur nga Spahiu për të dalë i vetëm në zgjedhje është vënë në rrezik vetë ekzistenca e partisë dhe kauza e saj. I bëjmë thirrje elektoratit dhe anëtarësisë së partisë që të jenë vigjilentë ndaj një individi problematik dhe të padenjë për të drejtuar misionin patriotik”, tha Uruçi.
Sipas Ago Nezhës dhe Dashamir Uruçit largimi 11 drejtuesve të sekretariateve është vetëm fillimi braktisjes së aleancës, duke paralajmëruar kështu edhe largime të tjera të drejtuesve të AK-së.
AK: Hiqni dore nga perçarja
Nje prej drejtuesve te kesaj partie Lisen Bashkurti beri thirrje per te mos perbaltur dhe sulmuar Aleancen Kuqezi, pasi demtimi i saj i sherben qendrimit te Berishes ne pushtet.
“Historikisht sistemet dhe politikat autokratike dhe diktatoriale kanë përdorur parimin ‘përça e sundo’, me qëllim që të shkatërrojnë frymën opozitare dhe të mbajnë në pushtet autokratët dhe diktatorët. AK është e mendimit se në këtë situatë parimi ‘përça dhe sundo’ i shërbet mbajtjes në pushtet të Qeverisë më të inkriminuar dhe të korruptuar që mban emrin Sali Berisha dhe që rrezikon në këtë mënyrë realizimin e rrotacionit politik kaq të dëshiruar dhe kaq të nevojshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Bashkurti.