Home Aktualitet “Përdhunohet” futbolli dhe Superkupa, para syve te gjithe shqiptareve

“Përdhunohet” futbolli dhe Superkupa, para syve te gjithe shqiptareve

325
0

Bardheblutë fitojnë trofeun, por “humbasin” tifozët, ndërsa organizimi skandaloz i federatës për pak prodhoi tragjedi në stadium

Futbolli shqiptar ka rrezikuar mbrëmë të prodhonte një “Vaterlo” të vërtetë në Korçë, aty ku u ra dakord të luhej Superkupa e Shqipërisë, pas një dakordësie mes drejtuesve të dy klubeve, që do ta diskutonin këtë trofe, Skënderbeut dhe Tiranës. Sepse gurët që kanë fluturuar mbi kokat e dy tifozërive, por edhe mbi kokat e futbollistëve në fushën e lojës, në minutën e 8-të të ndeshjes, jo vetëm kanë ndërprerë lojën për 20 minuta, pas nisjes së saj me 1 orë vonesë, por kanë rrezikuar jetën e të pranishmëve. Nuk kanë munguar edhe prej atyre, që me kokën të çarë janë parë të futen në ambulancat që gjendeshin në stadium e të përfundonin në spital.

Organizim skandaloz Gjithçka ka nisur nga organizimi skandaloz, i pashembullt për tërë stadiumet e botës, ku dy tifozëritë respektive duhej të hynin në të njëjtën derë stadiumi. Aty ku ishte instaluar një pajisje e posaçme nga klubi korçar, ku tifozët duhej të kalonin duke çekuar edhe biletat e tyre. Kjo ka sjellë edhe acarimin e tifozërisë bardheblu, së cilës nuk i ka rënë radha të hynte në stadium deri në orën 20:00, kur ishte planifikuar të niste Superkupa. Nga ana tjetër, në këtë kohë, pjesa më e madhe e tifozërisë vendase kishte zënë vend në stadium.

Kur kanë nisur të hyjnë tifozët bardheblu, që duhej të kalonin nëpër turmën e kolëgeve korçarë, kanë nisur edhe përplasjet e para. Kjo ka bërë që të ndërpritet hyrja e tifozëve miq në stadium, të dilnin jashtë edhe ata që e kishin kaluar pengesën çekuese, me kërkesën e policisë, e cila nuk garantonte dot qetësinë dhe rregullin në shkallët e stadiumit, teksa dy palët duhej të rrinin ngjitur me njëra-tjetrën, në tribunat C, përkarshi, të ndarë vetëm me një kordon policor.

1 orë vonesë Ndërkohë, ora e fillimit të ndeshjes, 20:00, kishte kaluar. Futbollistët e të dyja skuadrave kishin dalë në fushën e blertë, bashkë me gjyqtarët, por bardheblutë nuk pranonin ta vazhdonin lojën pa hyrë tifozët e tyre në stadium. Kjo e fundit ka qenë e pamundur, jo vetëm se kishin mbetur jashtë deri në ato momente, por sepse policia dhe drejtuesit e të dy klubeve, për të evituar përplasjen mes tyre, vendosën që kryeqytetasit të rrinin në pjesën pas portës, në trubunën E, në anën veriore të qytetit.

Kjo gjë nuk është pranuar kategorikisht nga tifozët bardheblu, të cilët me biletat në duar, të blera për në tribunën C, kanë ngulmuar të shkojnë në vendet e prenotuara prej tyre. Që i binte të rrinin krah për krah me tifozërinë vendase, por ishte e pamundur. Më kot janë munduar dy presidentët respektivë, Agim Zeqo i Skënderbeut dhe Refik Halili i Tiranës, t’i bindin tifozët kryeqytetas të hyjnë në stadium dhe të vendosen pas portës, mision i cili ka zgjatur jo pak, por plot 60 minuta. Duke i prirë presidenti Agim Zeqo, në orën 21.00 kanë nisur të hyjnë tifozët e parë të Tiranës, aty ku propozoi policia, pas porte.

Rregullorja Më herët, në orën 20:30, gjyqtari Enea Jorgji ka thirrur në hollin e stadiumit kapitenët e të dyja skuadrave, bashkë me dy presidentët respektivë, të cilëve u ka bërë me dije rregulloren, se pritja për të nisur loja është 45 minuta, në të kundërt ndeshja pezullohet. Në fakt, ky limit kohor është tejkaluar, sepse loja ka filluar fiks 1 orë pas planifikimit zyrtar, por për këtë gjë kanë rënë dakord Zeqo dhe Halili, në prani edhe të zyrtarëve të FSHF-së. Pikërisht në orën 21:00 ka rënë edhe bilbili i kryesorit Enea Jorgji për ta nisur këtë sfidë, që nuk mbante më erë futboll, por “përdhunim” të kësaj loje, nëpërkëmbje të tifozëve të Tiranës.

Të cilëve, pasi u ra shorti i keq për ta luajtur ndeshjen në fushën e kundërshtarit, në Korçë, me bekimin paraprak të drejtuesve të klubit bardheblu për të ndjekur këtë procedurë ekstra për vendin e zhvillimit të Superkupës, nuk iu mundësua hyrja në stadium, aty ku kishin blerë edhe biletat.

8 minuta lojë Të ndier të fyer e të poshtëruar, ultrasit bardheblu, me të hyrë në tribunën E, pas portës, në anën veriore të qytetit, kur kronometri i lojës shënonte minutën e 8-të, kanë hedhur tymuese në fushën e lojës, që dukej se mbanin edhe njëlloj përqindjeje gazi lotsjellës, e deklaruar edhe nga policia. Kjo, për faktin se tymi ka krijuar vështirësi në shikim dhe lotim sysh tek të pranishmit, çka ka krijuar më tej terren për të precipituar situata edhe më keq.

Kaq ka mjaftuar që të nisin të hedhen edhe sendet e para të forta në stadium, që dukej sikur vinin nga jashtë stadiumit, aty ku kishte mbetur pjesa më e madhe e tifozërisë bardheblu, e cila prej më shumë se 1 ore luftonte për ta parë ndeshjen sipas parashikimit, sipas vendit të fiksuar në biletë. Më pas ka pasur edhe disa tifozë korçarë, nga pjesa pas portës, në drejtimin jugor të qytetit, që kanë kapërcyer rrethimin e fushës së lojës, kanë hyrë në tapetin e blertë dhe kanë tentuar të sulmojnë futbollistët miq, madje duke gjuajtur drejt tyre me gurë.

20 minuta ndërprerje Për 20 minuta nuk është marrë vesh më se çfarë ndodhte brenda stadiumit, në fushën e lojës, por edhe jashtë, ku forcat e rendit e kanë pasur tepër të vështirë të rivendosnin rregullin. U duk se pas këtij momenti nuk do të bëhej fjalë më për futboll, as për vazhdimin e ndeshjes së Superkupës, por zyrtarët e FSHF-së, që kishin shkuar si në dasmë, në fakt, duke ia besuar gjithçka, sa i takon organizimit, klubit vendës, kanë urdhëruar që “përdhunimi” i futbolli të konsumohej i plotë.

Gjithçka ka ndodhur në sytë e të gjithë shqiptarëve, të fiksuar para ekranit të televizorit, me shpresën se do të ishin dëshmitarë të një starti ndryshe të edicionit të ri të futbollit shqiptar, por kanë shijuar një shfaqje të shëmtuar, që ka rrezikuar të degjenerojë në një betejë të pakontrollueshme dhune, duke rrezikuar jetën e të pranishmëve në impiantin sportiv të Korçës. Se për çfarë loje mund të flitej më pas gjithçkaje që kishte ndodhur, pas 1 ore mosfillim të ndeshjes, sipas planifikimit, ndërsa futbollistët kishin dalë në tapetin e blertë, pas gurëve që vërshuan mbi kokat e tifozëve dhe të lojtarëve në fushë, këtë mund ta thonë vetëm autorët e këtij turpi të madh, organizatorët e Superkupës, drejtuesit e FSHF-së. Atyre u doli për hundësh fakti që lejuan kompromise të tilla mes klubeve, në kurriz të zhvillimit të ndeshjes në fushë asnjanëse, ku t’u mundësohej ndjekja e lojës të dyja tifozërive respektive.

Vetëgjyqësia Në këtë histori, sikurse e thamë edhe më lart, “i përdhunuar” ka dalë futbolli, të nëpërkëmbur, por si për ironi të fatit me trofeun e Superkupës, kanë dalë tifozët e Tiranës. Këta të fundit, përveçse kishin bërë kilometra të tëra për të shkuar në Korçë, përveçse kishin blerë biletat për ta parë ndeshjen në tribunat përkarshi, me të njëjtat kushte si tifozët vendas, janë detyruar ta kthejnë gjithçka në një lloj vetëgjyqësie. Falë së cilës është ndërprerë pas 8 minutash loja, atëherë kur s’kanë mbajtur më nervat e kryeqytetasve, të atyre brenda stadiumit dhe të të tjerëve jashtë tij, që kanë provokuar pastaj incidentet që i panë të gjithë dhe që s’kanë të bëjnë kurrsesi me moralin dhe misionin e futbollit.

Tifozë të plagosur në spital, policia mban të izoluar bardheblutë

Në momentin që tifozët e Tiranës kanë filluar të hedhin fishekzjarre dhe tymuese, por edhe të godasin me sende të forta, policia i ka nxjerrë të gjithë jashtë stadiumit. Duke evituar kështu konfrontimin mes dy tifozërive, kur situata ishte jashtëzakonisht e tensionuar. Ka pasur mes tyre që kanë përfunduar edhe në spital, të goditur nga sendet e forta, ose me problem nga tymi lotsjellës, që vetë hodhën në stadium. Gjashtë tifozë të Tiranës, pasi kanë marrë ndihmën mjekësore në spital, janë bashkuar me pjesën tjetër të mbështetësve bardheblu, ndërsa një tifoz vendës është shtruar në gjendje të rëndë. Gjatë tërë kohës që ndeshja po zhvillohej, tifozëria bardheblu është mbajtur e izoluar në një vend rreth 500 metra larg stadiumit nga forcat e rendit, me qëllim që të mos rikthehej situata e mëparshme.

Tirana kontestoi gjyqtarët e ndeshjes

Problemet kanë nisur disa orë para se të niste ndeshja. Drejtuesit e Tiranës, veçanërisht shefi i klubit, Rauf Dimraj, ka qenë kundër treshes së gjyqtarëve, që ka caktuar komisioni i caktimit të arbitrave (kryesohet nga Tahir Kastrati). Enea Jorgji dhe ndihmësi i tij Gëzim Koka, sipas drejtuesve bardheblu, janë bërë protagonistë në ndeshjet e kampionatit të kaluar, pikërisht në ndeshjen Tirana-Skënderbeu, në “Qemal Stafa”, që u fitua 1-0 nga korçarët, me anë të një 11-metërshi. Pas diskutimeve të gjata, klubi kryeqytetas e ka pranuar këtë treshe.

FSHF përgjegjëse, organizatorja e Superkupës

Në bazë të rregullores, FSHF-ja është organizatorja e Superkupës së Shqipërisë dhe është e detyruar t’i ndajë në mënyrë të barabartë vendet për tifozëritë në stadium. Organizatorët e ndeshjes i kishin bërë llogaritë gabim me caktimi e vetëm një hyrjeje për tifozët e të dyja skuadrave. Vendësit, më të shumtë në numër, kanë zënë vend më parë, por kur kanë nisur të futen në stadium miqtë, kanë nisur konfrontimet, pasi mbështetasit e kryeqytetasve duhet të kalonin domosdoshmërisht poshtë këmbëve të korçarëve.

Sikurse u pa, drejtuesit e federatës, me në krye sekretarin e përgjithshëm, Eduard Prodani, por edhe me shefin e garave, Ilir Shulku, ia kishin lënë gjithçka në dorë klubit vendës, sa i takon organizimit të Superkupës, ndërsa vetë do të jepnin vetëm trofeun. Por kanë qenë të detyruar të përjetojnë atë situatë kaotike, të turpshme, që njollos pa nisur ende sezonin e ri, e cila bën përgjegjës vetëm ata. Pavarësisht se ndeshja luhej në Korçë. Ndaj pa qenë vonë, pa nisur ende kampionati ri, përgjegjësia s’mund të mbetet “jetime”, por duhet shpërndarë në emra konkretë, nga kreu e deri tek zyrtari më i thjeshtë, që futbolli të na argëtojë, si kudo në botë, jo të na ktehet në makth e rrezik për jetën, si mbrëmë në Korçë.

Dimraj: Na kërcënuan se do të na zbrisnin nga kategoria

Një situatë e tillë, si ajo e mbrëmjes së djeshme në stadiumin e Korçës, është e pashpjegueshme. Edhe drejtuesit e Tiranës e kanë të vështirë ta shpjegojnë se si precipitoi situata. Shefi i klubit bardheblu, Rauf Dimraj, nuk di të thotë me saktësi se si nisi dhuna, megjithatë për Tiranën, veçanërisht për tifozët e saj, që u lanë jashtë stadiumit, shton se kjo ishte një fyerje e rëndë.

“Nuk di me saktësi se çfarë ka ndodhur me tifozët, pasi nuk kam qenë pranë tyre. Dëgjova kryepolicin që kishte përgjegjësi për ruajtjen e rendit në stadium, teksa thoshte se tifozët korçarë nisën të parët t’i godisnin me sende të forta tifozët e Tiranës. Kjo që ka ndodhur është një fyerje e rëndë, që i është bërë Tiranës dhe tifozëve të saj. Nuk mund të them se cilët janë fajtorët, pasi këtë do ta tregojë analizimi i ngjarjeve. Ne na kanë kërcënuar drejtuesit e FSHF-së se do të na zbrisnin nga kategoria nëse nuk pranonim ta luanim këtë ndeshje, pavarësisht asaj që ndodhi për më shumë se 1 orë me tifozët tanë, që nuk u futën dot në stadium. Ky është një turp i madh që i bëhet futbollit shqiptar,” – është shprehur i shokuar në linjë telefonike Dimraj.

Shefi i klubit të Tiranës ka treguar se, pavarësisht ngjarjes së rëndë, ndeshja është luajtur drejt, për fitore nga të dyja palët, jo për publik. Sidoqoftë, gëzimi i fitores së Superkupës së 9-të nga Tirana ka qenë i limituar, për faktin se kanë munguar tifozët bardheblu, ata që nuk kanë mundur dot të ndjekin as 95 minutat e lojës.

Bala vendos ndeshjen, Superkupa bardheblu

Tirana tregon edhe një herë tjetër supremacinë e saj. Edhe pse e dhunuar psikologjikisht, duke mos pasur tifozët e vet bardheblu, skuadra e Tiranës mund Skënderbeun brenda në fushën e këtij të fundit. Një ndeshje e mbushur me incidente, përplasje tifozërish, shtyrje të fillimit të ndeshjes, luftë të fortë sportive në fushë, kartonë të verdhë e të kuq, por në fund ka një fitues dhe është Tirana, që pasi ka marrë Kupën e Shqipërisë, mund kampionin në fuqi, Skënderbeun, që tani duket se do të ketë një tjetër “armik” të betuar këtë sezon, përveç Flamurtarit. 24 herë kampionët e Shqipërisë e nisin kështu sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, po ashtu edhe trajneri spanjoll Hulian Rubio, që në fund ka festuar jo pak me të tijtë. Një gëzim i ligjshëm edhe për presidentin Halili, i cili ka bërë të pamundurën që kjo ndeshje të luhej, paçka se tifozët nuk u futën në stadium. Dhe në fakt presidenti i Tiranës ka meritën që kjo ndeshje përfundoi, duke festuar në fund edhe për trofeun.

Pjesa e parë Ndeshja nis 1 orë me vonesë, në 21:00, pas shumë përpjekjeve për të futur në stadium tifozërinë bardheblu. Kanë hyrë disa tifozë të Tiranës, por pas 8 minutash, ata kanë hedhur tymuese në fushë, aq sa është krijuar një konfuzion jo i vogël. Këta tifozë, të vegjël në numër, dalin nga stadiumi dhe aty ndërpritet ndeshja. Janë dashur 20 minuta të tjera që ndeshja të ristartojë. Por në stadium, pse jo edhe në fushë, sytë mbeten nga shkallët, mos sërish ka përplasje tifozësh. Ndeshja më vonë hyn në rrjedhën e saj. Ka ritëm të saj, por rastet janë sporadike. Korçarët e qarkullojnë më shumë topin, por miqtë janë më të shpejtë në kundërsulm. Megjithatë, mungojnë rastet e pastra për gol. Për t’u përmendur është vetëm rasti i Allmuçës, që vetëm me portierin Lika nuk arrin të shënojë. Në barazim pa gola mbyllet pjesa e parë.

Pjesa e dytë Me një ritëm të kënaqshëm nis edhe pjesa e dytë. Por me kalimin e minutave, ndryshe nga pjesa e parë, Tirana është rritur në lojës e saj dhe është jo pak e rrezikshme. Loja baraspeshohet, madje janë miqtë që janë më të rrezikshmëm në aksionet e tyre. Bala shpesh gjendet i lirë në zonën korçare, madje në një moment është gjendur përballë vetëm me portierin Shehi, por ky i fundit e ka neutralizuar. Atë që nuk e bën në këtë rast, sulmuesi Bekim Bala do ta bëjë pak minuta më vonë, madje në një pozicion më të vështirë. Shkodrani gjuan në kufijtë e zonës së rreptësisë, pavarësisht zgjatjes së portierit Shehi, topi prek shtyllën dhe përfundon në rrjetë. Stadiumi “Skënderbeu” shtanget dhe Tirana merr frenat e lojës.

Trajneri Duro ndërhyn më zëvendësime, fut Grboviçin dhe Bernardon, por dëmtohet Muzaka. Përpjekjet janë dëshpëruese, madje Tirana tregohet sërish më e rrezikshme në kundërsulm, duke humbur dy raste të pastra. Orelesi nga krahu tjetër bëhet nervoz dhe merr karton të kuq. Tirana mbrohet mirë në fund dhe administron edhe 5 minutat shtesë. Mbyllet 1-0 për Tiranën, e cila rikthehet në majën e futbollit shqiptar