HIMARE- Në Himarë është përkujtuar sot 1- vjetori i vdekjes së Aristotel Gumës, 35 vjeç. Në një ceremoni ku kanë mbizotëruar simbolet greke, fillimisht të gjithë të pranishmit janë drejtuar drejt varrezave të qytetit dhe më pas i janë drejtuar kishës së Himarës e cila gjendet në brendësi të kalasë së Himarës.
Këtu familjarët kanë zbuluar edhe bustin e tw ndjerit, i cili është vendosur në ambjentet e kishës, për të cilin Këshilli Bashkiak i Himarës nuk kishte dhënë lejen për ta vendosur atë në qendër të qytetit.
Në ceremoninë përkujtimore kanë qenë të pranishëm Vasil Bollano dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Aristotel Guma humbi jetën në mënyrë aksidentale 1 vit më parë në një aksident në rruge, por që u interpretua si “vrasje ekstremiste e nacionalistëve shqiptarë
Një ditë më parë, kreu i Këshilli Bashkiak Himarë dha këtë intervistë për gazetën Panorama, lidhur me vendosjen e bustit së Aristotel Gumës.
Kokëdhima: E refuzuam kërkesën, s’duam incidente etnike në Himarë
Janë disa anëtarë të Këshillit Bashkiak të Himarës që pranojnë që në adresë të tyre ka shkuar kërkesa zyrtare e shoqatës “OMONIA” për vendosjen e bustit të 35- vjeçarit Aristotel Guma, i vrarë vjet, më 12 gusht. Ndër ta, edhe vetë kryetari i këtij Këshilli, Stefan Kokëdhima. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Kokëdhima shprehet kundër bustit dhe për këtë ka arsye…
Të cilat janë?
Janë shumë, por më kryesore është që janë arsye logjike. Cila prej tyre më shumë? Vendosja e një busti të tillë do të përbënte shkak për incidente etnike. Mjaft pamë një vit më parë. Duhet të mendojmë veprime që çojnë drejt paqes dhe jo rrezikimit drejt dhunës.
Pse vendosja e këtij busti rrezikon dhunë?
Sepse varet se si mund të interpretohet. Në Himarë gjithnjë ka pasur përplasje mes personave që quhen nacionalistë. Nuk ka rëndësi se cilës anë i përkasin. Gjithnjë njëra anë do ta interpretojë sipas dëshirës dhe oreksit që ka.
Zyrtarisht ju erdhi shkresa nga “OMONIA”?
Erdhi, por as nuk e lexuam fare. Ishim të gjithë të një mendjeje që të mos merreshim me atë kërkesë.
Si mundet të mos e lexoni fare një kërkesë kur vjen?
E pamë kreun e saj… Që nga objekti i fillimit, formulimi, dihej se çfarë ishte.
Dhe çfarë ishte?
Një letër që nuk meritonte të lexohej deri në fund. Duhet të jemi realistë dhe të shohim përpara. Më vjen vërtet shumë keq për familjen Guma se çfarë i ndodhi. Por të tjerët të mos u japim ngjyrime ngjarjeve që s’kanë ngjyra.