Goli i argjentinasit pesë minuta para fundit të pjesës së parë u mjaftoi zikaltërve për të mposhtur Romën në “Olimpiko”, duke siguruar trofenë e parë sezonal.
Ashtu siç pritej, përballja e rivalëve të këtij sezoni në kampionat u zhvillua nën një situatë nervash të tendosura. Atmosfera e nxehtë e krijuar në “Olimpiko”, e paraprirë nga deklaratat dhe kundërdeklaratat e protagonistëve para sfidës finale të Kupës së Italisë dhe tifozët e zhurmshëm verdhekuq (të cilët mbrëmë tentuan t’i prishin gjumin e natës zikaltërve), ishin mjedisi i përkryer për të krijuar një ndeshje me plot nëntë kartonë (tetë të verdhë dhe një të kuq-Toti në minutën e 88-të). Madje tensioni mes lojtarëve nuk u shua as me vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Ricoli.
Sa për ndeshjen, vendosi një gol i Diego Militos pesë minuta para fundit të pjesës së parë. Argjentinasi mori një pasim në mesfushë nga Tiago Mota dhe i rrethuar nga tre mbrojtës kundërshtarë gjeti hapësirën e nevojshme për të lëshuar silurën në portën e Hulio Serxhos. 1-0, goli i 26-të sezonal i bomberit me fanellën zikaltër që prej fillimit të këtij sezoni. Por ajo që ka rëndësi është fakti që ëndrra e Interit për të arkivuar tre tituj në këtë sezon, po bëhet realitet. Misioni i parë u përmbush, i dyti vendoset më 16 maj, kurse i treti më 22. Janë vetëm tre ndeshje për t’u luajtur deri në fund.
Inter 1 – 0 Roma (Milito 40’)
Inter (4-3-1-2): Julio Cesar; Maicon, Cordoba (38′ Samuel), Materazzi, Chivu; J.Zanetti, Cambiasso, T.Motta; Sneijder (5’ Balotelli; 91′ Muntari); Eto’o, Milito. (Toldo, Mariga, Stankovic, Pandev). Trajner: Mourinho
Roma (4-2-3-1): Julio Sergio; Burdisso (46′ Motta), Mexes, Juan, Riise; Pizarro (46′ Totti), De Rossi; Taddei, Perrotta, Vucinic; Toni (63′ Menez). (Lobont, Andreolli, Brighi, Baptista). Trajner: Ranieri
Gjyqtar: Rizzoli
Kartonë të verdhë: Burdisso (R), Materazzi (I), Perrotta (R), Méxes (R), Chivu (I), Samuel (I), Totti (R), Balotelli (I)
Karton i kuq: Totti (R) 88’