Permbytjet: Shkodër, gjysma e qytetit nën ujë

Nga ora në orë, zgjerohet harta e përmbytjeve në qytetin e Shkodrës. Të dhënat e fundit të mbrëmjes së djeshme, flasin për rritje të nivelit të ujit brenda në qytet.

Prurjet e liqenit të Shkodrës vazhdojnë të futen frikshëm dhe gjysma e Shkodrës tashmë ndodhet nën ujë.

Situata në pjesën e brendshme është dramatike, shtatë lagje janë të përmbytura, ndërkohë që uji është vetëm 600 metra larg nga qendra e qytetit. Në lagjet e përmbytura mbizotëron gjendja e emergjencës humanitare. Mijëra familje janë bllokuar në katet e larta të pallateve pa energji elektrike dhe në mungesë të mjeteve elementare të jetesës. Ata ankohen se nuk kanë ushqime dhe ujë të pijshëm. Për t’u furnizuar me ushqime u duhet të lëvizin me varka, të cilat gjenden tani në të gjitha rrugët dhe rrugicat e poshtme të qytetit dhe janë kthyer gati në një biznes.

Lagjet “Bahçallëk”, “Ajasëm”, “Liria”, “Xhabie”, “Livadhe”, “Salo Halili”, “Shiroka” dhe “Zogaj” janë plotësisht të përmbytura, ndërkohë që dy lagjet e fundit, “Shiroka” dhe “Zogaj” janë tërësisht të izoluara nga uji. Sipas banorëve, uji ka arritur deri në dy metra në rrugët e lagjes dhe e vetmja mënyrë për të lëvizur janë varkat. Një banor nga lagjja “Shiroka”, i cili ka ardhur në brendësi të qytetit, që tashmë është kthyer në një port të vogël, për t’u furnizuar me ushqime tregon se situata është tejet e vështirë dhe e paimagjinueshme.

“Kemi mungesë të ushqimeve dhe ujit të pijshëm, askush nuk kujtohet për ne. Duhet të vijmë deri në qendër me varkë për të blerë çdo ditë ushqime, për vete dhe fqinjët”, ankohet ai.

Ndërkaq dje në mesditë, në lagjen “Salo Halili” të Shkodrës, vetëm 600 metra larg qendrës së qytetit, uji ka arritur deri në një metër. Banorët ankohen se përveç problemeve në qarkullim, kanë frikën e epidemive. Kjo pasi ujërat e zeza kanë mbuluar gjithçka dhe prej disa ditësh vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Artur Duli, banor i lagjes “Salo Halili”, shprehet për “Shqip”: “Që prej disa ditësh nuk furnizohemi me ujë të pijshëm dhe po rrezikohemi nga epidemitë, pasi ujërat e zeza kanë mbuluar gjithçka”. Ndërkaq e rrethuar në mënyrë të frikshme me “ujin pushtues” nga të gjitha anët, Shkodra çdo orë po merr pamjen e një ishulli të çuditshëm. Pas këtij pushtimi, më e frikshme është sfida për jetën dhe jetesën e qytetit dhe banorëve të tij të zhvendosur, të cilët tashmë e dinë se kjo që ka ngjarë është më shumë se dramatike, një katastrofë për ditët e ardhme.
Evakuimet

Sipas të dhënave të fundit nga Grupi i Emergjencës janë evakuuar nga zona e Nënshkodrës dhe qytetit rreth 9000 mijë persona. Ndërkohë që është arritur që në çdo fshat ku ka ende njerëz, të stacionohet nga një mjek dhe një infermier për të përballuar emergjencat shëndetësore. Katër konviktet që janë hapur për të pritur banorët e shpërngulur, janë tejmbushur. Ndërsa autoritetet shtetërore i kanë bërë thirrje popullatës që të largohen nga banesat, pasi situata sa vjen e bëhet kritike, është premtuar hapja e vendeve të reja akomodimi. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, mbrëmjen vonë të së shtunës, deklaroi se nëse do të jetë e nevojshme, do të zbrazen shkollat dhe do të vendosen shtretër. Ajo ka premtuar se situata do të monitorohet çdo orë dhe do të punohet edhe gjatë natës, për t’i bërë ballë çdo agravimi të gjendjes.

Comments are closed.