Trajneri Galtier largon entuziazmin pavarësisht fillimit më të mirë në dekadat e fundit
Trajneri i Sant Etienit, Kristof Galtier, synon të mbetet “realist dhe kokëulur” pavarësisht se “Les Verts” kryesojnë kampionatin francez, për herë të parë në 28 vitet e fundit. Fitorja 3-0 ndaj Montpelies, që përkoi me barazimin pa gola të Tuluzës, i dha mundësinë St. Etienit të kryesonte me pikë të barabarta me Tuluzën, por me golaverazh më të mirë.
Për këtë arritje padyshim që një meritë të madhe ka sulmuesi 23-vjeçar Dimitri Pajet, i cili ka shënuar gjashtë gola në gjashtë ndeshjet e para, përfshi edhe dygolëshin ndaj Montpelie në fundjavë. Teksa euforia ka shpërthyer në stadiumin “Geoffroy Guichard”, trajneri Galtier qëndron me këmbë në tokë. Ai parashikon kohë të vështira për skuadrën që në dy sezonet e fundit ka luajtur për mbijetesë.
“Tani kemi 13 pikë dhe mund të konsiderohet një fillim i mirë, – tha Galtier. – Kryesimi i renditjes është diçka e këndshme dhe ne po e shijojmë, por duhet të qëndrojmë realistë dhe kokëulur. Personalisht nuk jam i kënaqur sepse pres kohë të vështira. Unë gëzohem vetëm nga fakti që pas 30 vitesh tifozët tanë po festojnë sërish.
” Dimitri Pajet u ndoq nga trajneri i Francës, Lorent Blank, i cili e ka nisur karrierën me fanellën e Sant Etienit. St. Etieni e ka fituar dhjetë herë titullin, por për herë të fundit në vitin 1982 kur kishin në radhët e tyre Mishel Platininë. Sant Etieni ka arritur në finalen e Ligës së Kampioneve më 1975/76, ku u mund nga Bajerni i Mynihut.
Ndeshja e ardhshme në Ligën 1 do të jetë në fushën e rivalëve të urryer të Lionit, por më pas është ndeshja ndaj Nisës, të mërkurën për Kupën e Francës. Pasi kishin pritur rreth 30 vjet për ta parë ekipin e tyre në krye të renditjes, tifozët e St. Etienit urojnë të mbyllin një tjetër pritje. Për herë të fundit ata kanë festuar fitoren në derbin ndaj Lionit në vitin 1974.
http://www.sportishqiptar.com.al/perralla-e-st-etienit-ne-krye-pas-28-vitesh/