Home Aktualitet Plazhet e ndotura ne Shqiperi, ja zonat ku nuk duhet të lahen...

Plazhet e ndotura ne Shqiperi, ja zonat ku nuk duhet të lahen qytetarët

493
0
Plazhet e ndotura

Këtë sezon turistik, niveli i ndotjes në plazhet e vendit është kthyer në një makth për pushuesit. Për këtë arsye, Ministria e Mjedisit, ashtu si edhe çdo vit tjetër, ka nisur inspektimet në zonat bregdetare për të parë se sa të përshtatshme janë kushtet në këto plazhe për të mirëpritur pushuesit. Deri tani, Ministria e Mjedisit ka gjobitur 6 subjekte, në zonën e Durrësit, të cilat nuk kanë qenë të pajisura me dokumentet për trajtimin e ujërave të zeza. Këtë fakt e konfirmon edhe drejtori i Kontrollit të Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati. Sipas tij, kontrolli ditët e fundit është fokusuar tek zona e Golemit deri tek Shkëmbi i Kavajës, një zonë ku janë gjobitur 6 subjekte, mes të cilave edhe komuna e Rrashbullit dhe Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve të Durrësit. Deshati shpjegon për gazetën “Sot”, se deri tani Ministria e Mjedisit ka aplikuar gjoba në shumën 5-10 milionë lekë dhe deri në pezullimin e aktivitetit. “Kontrolli është fokusuar për dokumentet për trajtimin e ujërave të zeza. Deri tani në zonën e Golemit deri tek Shkëmbi i Kavajës janë gjobitur 6 subjekte, në shumën 5-10 milionë lekë të vjetra. Madje, në tërë vendin janë 73 stacione, të cilat janë përcaktuar si zonat ku do të merren kampionë”, u shpreh Deshati.

Plazhet më të ndotura në vend

Ministria e Mjedisit ka përcaktuar disa “njolla të zeza”, tek të cilat është e rrezikshme për të kryer plazh, për shkak të ndotjes së këtyre zonave. Drejtori i Kontrollit të Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati, pohon se ka disa zona në Durrës që janë përcaktuar si të papërshtatshme për plazh, si dhe në disa plazhe të tjera të vendit. “Në Durrës janë disa zona që janë përcaktuar si të papërshtatshme për të bërë plazh. Kështu, kemi zonën e Kavaleshencës dhe zona tek Përroi i Agait. Por, kemi edhe një zonë në plazhin e Vlorës, siç është zona tek Plazhi i Vjetër, nga porti deri tek hyrja e tunelit”, u shpreh Deshati. Sipas tij, deri vjet edhe zona e Currilave në plazhin e Durrësit ka qenë në zonën e plazheve të ndotura. Por, këtë vit, sipas Deshatit, kjo zonë është zhdukur nga zona e njollave të zeza, pasi zona e Currilave në Durrës është pastruar. Gjithashtu., ai tregon se zona më e përshtatshme për të kaluar pushimet është zona e rivierës, jugu i Shqipërisë. Në një prononcim për gazetën “Sot”, drejtori i Kontrollit të Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati tregon edhe mënyrën se si procedohet me të gjithë subjektet që penalizohen për mospasjen e dokumenteve për trajtimin e ujërave të zeza. Sipas Deshatit, fillimisht kryhet inspektimi dhe pas këtij inspektimi vendoset nëse do të gjobitet apo jo subjekti. “Pas inspektimit, vendoset masa administrative me gjobë, më pas vjen pezullimi i aktivitetit. Madje, në disa raste rrezikon të ndiqet edhe rruga e ndjekjes penale të këtyre subjekteve”, u shpreh Deshati. Por, sipas tij, problem ngelet ekzekutimi i këtyre gjobave, pasi ky proces kryhet nga pushteti lokal. Madje, Deshati i bën thirrje këtij të fundit që të marrë masa konkrete dhe serioze në përmirësimin e situatës në zonat ku shfaqen probleme. Kreu i Kontrollit të Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit, Alfred Deshati bën me dije se është përgjegjësi e pushtetit lokal përmirësimi i kushteve në të gjitha zonat, ku shfaqen probleme me ndotjen.

Pushuesit braktisin plazhin e Shëngjinit, shkak ndotja
Papastërtia në plazhin e Shëngjinit është problemi më shqetësues për pushuesit. Kjo ka bërë që shumica e tyre ta braktisin këtë plazh. “Pastërtia nuk është nivel që duhet, 12 orë papastërti. Nëse vazhdon kështu shpejt do të largohet shumica, unë nuk vij më këtu. Kam tre vjet që vij, dhe vit pas viti më keq po e gjej”, shprehet një pushues. Problematikat e trashëguara nga njëri vit në tjetrin, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mungesën e higjienës dhe infrastrukturën, i kanë mbajtur larg edhe pushuesit tradicionalë. Por, sikur të mos mjaftonin problemet me papastërtitë, gjatë 3 ditëve të fundit, kushtet atmosferike nuk po favorizojnë sezonin turistik në Shëngjin. Erërat e forta kanë minimizuar numrin e pushuesve edhe pse jemi në pikun e sezonit.