Prangoset shefi i qarkullimit rrugor të Peqinit, ndërsa në qeli bashkë me të përfundon edhe një polic rrugor. Akuza e ngritur ndaj tyre është ajo e “korrupsionit pasiv”.
Arrestimi i drejtuesit Pëllumb Kërçukut, si dhe Ruzhdi Jubës është bërë gjatë mesditës së të enjtes në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm.
Prokurori i Rrethit të Elbasanit, Edvin Gogaj ka deklaruar se nga hetimet ka rezultuar se shefi i qarkullimit i kërkonte para personave të caktuar pasi iu bllokonte lejen e qarkullimit. Kjo, sipas dëshmisë së disa drejtuesve të mjeteve, dëshmi të cilat janë ende në verifikim.
Gogaj ka konfirmuar se Kërçuku në bazë të deklarimeve nga qytetarët u merrte patentën drejtuesve të mjeteve gjatë kontrollit në rrugë dhe pasi ua bllokonte pa afat, u kërkonte para në këmbim të dhënies së lejes së drejtimit. “Ky ka qenë një fenomen i përsëritur disa herë nga ana e tij, çka ka vënë në lëvizje strukturat e prokurorisë dhe SHKB-së të ndërhyjnë për arrestimin”, theksoi Gogaj.
Për këtë prokuroria ka të regjistruar dëshmi, si dhe ka prova të tjera që provojnë akuzën. Gjithsesi, gjithçka pritet të konfirmohet pas përfundimit të hetimeve dhe me paraqitjen e provave në gjykatë për masën e arrestit.
Në denoncime thuhet se shefi i qarkullimit kishte gjetur mënyrën më klasike për të fituar para.
Të paktën kjo sipas drejtuesve të mjeteve që iu është bllokuar leja e qarkullimit. Sipas tyre, gjatë kontrolleve periodike, drejtuesi i qarkullimit që dyshohet se kishte bashkëpunëtorë edhe policë, iu bllokonte lejen e qarkullimit pa vendosur një kohë.
Ai nuk ndiqte procedurat ligjore, por i mbante vetë dhe më pas iu kërkonte këtyre drejtuesve të paraqiteshin për të marrë lejen e qarkullimit. Por në këmbim ata duhet të paguanin një shumë të caktuar.
Vlerat vendoseshin sipas rastit. Të paktën këto janë deklaratat e përcjella në prokurori si denoncime ndaj shefit të qarkullimit.
Vetë Pëllumb Kërçuku është befasuar kur i janë vënë prangat nga kolegët e tij pa uniformë, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti. Njëkohësisht e njëjta akuzë u ngrit edhe për policin rrugor Ruzhdi Juba, i cili shihet si bashkëpunëtor i shefit të tij në korrupsionin e kryer.
Sektori i qarkullimit ka qenë më godituri nga arrestimet të drejtuara prej SHKB-së. I pari që u përshi ishte komisariati i Elbasanit. Tre policët rrugorë Elmaz Muça, Fatmir Kryeziu dhe Endri Elezi janë arrestuar me urdhër të prokurorisë pas kërkesës së SHKB-së. Sipas të dhënave nga komisariati Elbasan, kishte rreth 6 muaj që ata po hetoheshin.
Në polici kishin mbërritur denoncime që i përfshinin tre policët rrugorë në afera. Sipas të dhënave nga hetimi, agjentët kanë kërkuar para për të mos gjobitur apo hequr patentën, por gjithashtu kanë premtuar lehtësira në këmbim ryshfeteve.
Shekulli