Home Lajme Sport Prezantohet Ferrari i ri F 150 (VIDEO)

Prezantohet Ferrari i ri F 150 (VIDEO)

389
0

Kështu e ka emrin makina e re e skuadrës të famshme italiane, e prezantuar dje në Maranelo

Ka një “hundë“ aq të gjatë sa duket si një rraketë, një bisht të pasëm superekologjik, që në këtë sezon mund të komandohet nga piloti. Dhe mbi të gjitha, ka trengjyrëshin e flamurit italian, për nder të 150-vjetorit të bashkimit të Italisë.

Ky është impakti i parë që të jep makina e re Ferrari, e cila mban emrin “F150” dhe që është prezantuar në qendrën e tyre në Maranelo. “Eshtë përvjetori i bashkimit të Italisë dhe shpresojmë që në këtë veprimtari sportive të valvitet në majën më të lartë flamuri ynë. Ne kemi dashur të japim një mesazh në këtë moment, ku në vendin tonë duken të gjithë kundër të gjithëve.

Mbi të gjitha duam ta lëmë politikën jashtë,” janë fjalët e para të presidentit të kësaj skuadre, Luka di Montezemolo, i cili shpjegon imazhin e ri të makinës Ferrari.

Thirrja: Viti 2011, duke lënë mënjanë patriotizmin, pretendohet dhe duhet të jetë sezoni i “hakmarrjes”. Ende nuk e kanë kapërdirë drejtuesit dhe pilotët e kësaj skuadre atë humbje në Abu Dhabi, gara e fundit e sezonit të shkuar. Makina e re “F150” është prezantuar përpara disa personazheve VIP (mes tyre presidenti i grupit FIAT, Xhon Elokan dhe administratori i deleguar, Serxhio Markione) një makinë, e cila duket se ka “lindur” e fortë.

“Nuk ka asnjë dyshim, – ka deklaruar numri 1 i skuadrës, Stefano Domenikali. – Objektivi është ai që dimë të gjithë dhe as që dua ta përsëris. Do të japim maksimumin tonë dhe duhet ta vazhdojmë tek ajo “thirrje” që na mbeti në grykë në garën e fundit të sezonit të shkuar në Abu Dhabi.”

KERS: Makina e re “F150” e prezantuar dje duket se është e vjetër, në sensin që në testimet e ardhshme në Valencia, do të ketë menjëherë një “hundë” të re. Teknikët kanë shpjeguar menjëherë se ndryshimet e reja në rregullore kanë ndikuar shumë në formën e kësaj makine.

Në mënyrë të veçantë vlen për t’u theksuar sistemi KERS (sistemi i rikuperimit të energjisë kinetike), i cili është rikonceptuar që të jetë mundësia edhe për t’ia shitur skuadrave të tjera. Për shembull motoristët janë kushtëzuar nga ky sistem, pasi i është dashur të modifikojnë pjesën e përparme të motorrit.

Pjesa e “hundës” së makinës është ngritur disi dhe difuzorët e pasëm janë përmirësuar në funksion të qarkullimit më efikas të ajrit. Me mjaft interes priten edhe gomat e reja “Pirelli”. Drejtori teknik i Ferrarit, Aldo Kosta, nuk i ka fshehur problemet që mund të sjellin gomat e reja.

“Pirelli na ka furnizuar me të dhënat e gomave të tyre dhe ne jemi duke i analizuar në simulatorët tanë. Forma e gomave është gjithashtu e ndryshme nga ato që kemi përdorur deri tani dhe si rrjedhojë na duhet të bëjmë testime edhe në galerinë e erës për t’i përshtatur sa më mirë këto goma.” Një shprehje kjo që të bën të kuptosh se ka ende disa detaje, që duhen modifikuar.

Fitorja: Vështirësi të dukshme këto dhe te Ferrari, që me sa duket janë të gatshëm t’i kalojnë për t’iu rikthyer sërish titullit kampion për pilotë, gjë që mungon që nga viti 2007. Kanë kaluar rreth tre vite që nuk është fituar asgjë dhe kjo gjë ka sjellë edhe pakënaqësi te tifozët, të cilët ishin mësuar ndryshe nga viti 1999.

“Duhet të fitojmë, – ka deklaruar Montezemolo, – nga viti 1997 kemi fituar gjithmonë tituj, ose i kemi humbur në garën e fundit. Kemi bërë ndryshime të mëdha në skuadër dhe na duhet të garojmë tashmë në pista të reja. Nuk duhet të harrojmë se edhe kundërshtarët do të jenë të fortë, por ne do të punojmë me pasionin dhe bindjen se do t’ia dalim mbanë,” – përfundon presidenti Montezemolo.

Pilotët

Fernando Alonso: “Tashmë i kam numrat e mekanikëve të makinës sime dhe u telefonoj thuajse çdo ditë për t’i mbajtur nën presion, shpresoj të arrij te ky efekt. Testimet do të jenë shumë të rëndësishme, do t’i filloj unë testimet dhe më pas do të qëndroj në bokse për të parë se si do të shkojnë këto prova me Masën.

Na duhet të punojmë më mirë se kundërshtarët dhe për këtë gjë të ndihmon shumë shoku i skuadrës. Tashmë Formula 1 është shumë teknike dhe akoma më e vështirë. Por jam i bindur se do bëjmë një sezon të mirë”.

Felipe Masa: “Nëse do të ishim në një skuadër, që nuk më kërkohej të fitoja titullin, nuk do të isha këtu sot. Garancinë nga skuadra për të pasur një makinë 100% kompetitive që në garën e parë e kam. Nga sezoni 2009 dhe 2010, “Bridgestone” modifikoi gomat, duke na sjellë probleme me aderencën, sidomos gomat përpara. Për mënyrën time të pilotimit kjo ishte shumë penalizuese.

Ndërkohë gomat e reja, duket se na e kanë zgjidhur këtë problem, duke më zgjidhur edhe mua njëkohësisht mënyrën e pilotimit. Shpresojmë të paraqitemi mirë”.

Makina e parë në detaje

– Pjesa e përparme është e modifikuar dhe më e ngritur.
– Bishti i pasëm i modifikuar me një komandë elektrohidraulike, pjesa e përparme nuk do të jetë më e lëvizshme.
– Rikthehet sistemi KERS pas vitit 2009. Për këtë arsye serbatori i makinës së re është modifikuar.
– Rishikimi i disa elementëve të sigurisë rreth vendit të pilotit, janë lidhur edhe disa kavo me gomat në raste aksidentesh.
– Shpërndarja e peshës është parashikuar.
– Modifikimi i amortizatorëve të përparmë dhe të pasëm.
– Sistemi i frenimit krejtësisht i rishikuar.

Aerodinamika

– “Hunda” e lartë për të rritur kalimin e fluksit të ajrit nga poshtë.
– Për momentin, bishti i pasëm është i njëjti me vitin e shkuar, pasi i riu do të montohet në testimet e ardhshme.
– Devijuesit e ajrit në pjesën e përparme të makinës janë reduktuar dhe është modifikuar konfigurimi aerodinamik në vendin e pilotit.
– Piloti do të pilotojë në një pozicion më të lartë.
– Modifikimi i difuzorëve dhe shkarkuesve të gazrave.
– Bishti i pasëm i lëvizshëm, por do të ketë ende modifikime të tjera në këtë pjesë deri në garën e parë.

Gomat

Pasi janë testuar gomat e para “Pirelli” në Abu Dhabi, ato kanë patur një impakt të dukshëm në ndërtimin e makinës. Po punohet ende në konfigurimin e amortizatorëve dhe në aerodinamikën që kalon mbi goma, pasi kanë një formë të re.

Konsumi

Vazhdohet të punohet në këtë sektor. Me sistemin e ri KERS impakti që do të ketë konsumi ka pasur një pjesë të rëndësishme në fazën e projektimit të makinës.

Përmirësimi

Testimet vazhdojnë në galerinë e erës, pasi deri në garën e parë do të ketë ndryshime të mëdha, sidomos sa i përket bishtit të pasëm dhe amortizatorëve. Gjithçka duhet të jetë në nivele maksimale deri në këtë garë.

Skeda teknike e Ferrarit të ri

Telajo: e përbërë nga fibra karboni
Kambio: gjysmautomatike Ferrari
Diferenciali: automatik
Komandat e kambios: gjysmautomatike sekuenciale, me kontroll elektronik të shpejtë
Numri i marsheve: 7 + indietro
Sistemi i frenimit: me disk dhe sistem frenimi prej karboni, firma “Brembo”.
Amortizatorët: të pavarur
Pesha me ujë, vaj dhe pilot: 640 kg
Disqet: 13″ – BBS (para dhe pas)

1 COMMENT