Home Aktualitet Prifti: Dosje tjetër për abuzimet e Metës. Do mbetem gjithnjë i majtë

Prifti: Dosje tjetër për abuzimet e Metës. Do mbetem gjithnjë i majtë

243
0

TIRANË- Dritan Prifti, ish ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës ka deklaruar sot se do të dorëzojë në Prokurori një tjetër dosje, sipas tij me abuzimet e Ilir Metës gjatë tre muajve që ai drejtonte METE-n.

Gjatë një konference për mediat, Prifti ka pranuar se ka marrë kërcënime pa fund, ndërkohë që edhe mijëra mesazhe solidariteti për denoncimin që ka bërë. “Garantoj se video është e paprekur dhe unë mbaj përgjegjësi penale, morale dhe politike nëse video që kam dorëzuar është e prekur dhe e manipuluar”- tha Prifti.

Sipas tij, deklarata e fundit e Metës ka thënë se ky 7% është një 6.6% që kompania kishte dorëzuar në QKR. “Ai 7% e ofron me zë dhe figurë mjaft pastër dhe nuk ka njeri që e beson këtë. Ai përpiqet t’i justifikojë por nuk ka asnjë lloj justifikimi. Ka nxjerrë një dokument ku thuhet se unë kam bërë një shënim në një memo. I them zotit Meta se po të ishte i mençur sa gjysma ime do mund të mbrohej. Unë kam kopjet e mia dhe nëse ai bën falsifikim dokumentesh do të përballet me drejtësinë edhe për akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare”- tha Prifti.

Prifti ka deklaruar se vepra e tij mbetet thellësisht opozitare, pasi ndonëse nuk ka marrë falënderim nga opozita, ai ka me vete pjesën e ndershme të popullit dhe nuk i duhet mbështetje politike që ta çojë betejen deri në fund.

Ai i ka bërë apel kreut të qeverisë të prishë koalicionin që mbahet në këmbë me presionin e Metës për 3 deputetët në kuvend.

Prifti ka thënë se ai është në dijeni të një marrëveshjeje mes Ramës e Metës, që Meta të bëhej kryeministër dhe votat të bashkoheshin me opozitën. “Meta më ka konfirmuar që ai ka qenë pjesë e këtij skenari, por nuk e mendonte që vota ime do shkonte te PD dhe ndryshoi skenarin”- tha ai.

Pyetur për të ardhmen e tij politike, Prifti ka thënë se ende nuk ka marrë një vendim, por ka sqaruar se ka përpara tre variante: të bashkohet me PS-së, dhe të bëjë opozitë, të krijojë një forcë të re politike, ose të lërë fare politikën dhe të shohë hallet e veta.