Home Lajme Sport Primera Divizion, duhen mbrojtur “yjet”

Primera Divizion, duhen mbrojtur “yjet”

381
0

Ndërhyrja ndaj Mesit ka ngjallur debat në Spanjë. Mourinjo kërkon mbrojtje për Kristiano Ronaldon

Dëmtimi i Lionel Mesit të dielën ka ringjallur debatin nëse lojtarë të mëdhenj si Mesi apo Kristiano Ronaldo kanë nevojë për mbrojtje speciale nga arbitrat. Mesi u dëmtua nga një ndërhyrje e gabuar e mbrojtësit të Atletikos së Madridit, Tomas Ujfalushi, që i dëmtoi ligamentet në kaviljen e djathtë. Ai nuk do të luajë kundër Sporting Gijonit nesër dhe të shtunën kundër Atletik Bilbaos, madje ndoshta edhe më gjatë.

Trajneri i Realit, Hoze Mourinjo, ka sugjeruar kohët e fundit që lojtarët po ndërhyjnë me qëllim kundër kaviljes me probleme të Kristiano Ronaldos, ndërsa Xherard Pike, shok skuadre i Mesit te Barcelona, ka akuzuar kundërshtarët se janë vënë në gjueti për të dëmtuar Mesin. “Më duket se tani në botën e futbollit po lejohet gjithçka dhe kjo më trishton”, ka thënë Pike.

Ndërhyrja e Ujfalushit në kohë shtesë në stadiumin “Kalderon”, që i dha lojtarit çek karton të kuq, ishte “shumë e shëmtuar” dhe mund ta kishte lënë Mesin larg futbollit për shumë kohë. Kapiteni i Barcelonës, Pujol, u shpreh: “Këto gjëra duhen mënjanuar, por arbitri bëri detyrën e tij dhe e ndëshkoi mbrojtësin me karton të kuq.

Flitet shpesh për disa lojtarë të caktuar që duhen mbrojtur nga ndërhyrjet e rënda dhe të qëllimshme, por në fakt të gjithë duhen mbrojtur.” Fitorja 2 1 e Barçës e ka ndrequr sezonin e katalanasve për momentin pas humbjes befasuese kundër Herkulesit javën që shkoi. Trajneri Pep Guardiola la pushim disa lojtarë për atë ndeshje duke pasur parasysh se në mesjavë kishte Ligën e Kampionëve, por kundër Atletikos futi formacionin më të fortë.

Atletiko nuk i bëri dot ballë lojës së shpejtë të kampionëve dhe rezultati 2-1 ishte i merituar për miqtë. Pas tri ndeshjesh të luajtura, Valencia është e vetmja skuadër që ka nëntë pikë, ndërsa Reali dhe Sevilja kanë nga shtatë pikë. Reali mund të shkojë në +4 ndaj Barcelonës nëse fiton sot kundër Espanjolit. Atletiko luan kundër Valencias nesër dhe Sevilja pret Rejsing Santanderin të enjten.

Drejtuesit e Realit kanë shpresa të mëdha për këtë sezon sepse kanë shpenzuar 350 milionë euro për lojtarë dhe staf trajnerësh që kur president klubi është bërë Florentino Perez vitin që shkoi. Sipas mesfushorit Esteban Granero ata mund të mposhtin edhe Barcelonën. “Ne e nisëm kampionatin mirë dhe duhet të vazhdojmë kështu”, ka thënë ai në konferencë për shtyp. “Kemi besim se ky vit do të jetë i mirë për ne dhe se mund të lëmë pas
Barcelonën.”



http://www.sportishqiptar.com.al/primera-divizion-duhen-mbrojtur-yjet/