Home Aktualitet Projekti i stadiumit Qemal Stafa, “luks dhe… traditë” (VIDEO)

Projekti i stadiumit Qemal Stafa, “luks dhe… traditë” (VIDEO)

320
0

Detajet e impiantit të ri. Nga brenda katror, nga jashtë harta e Shqipërisë. 33 mijë vendësh, 75% i mbuluar. 100 vende në tribunën VIp dhe 250 poste për mediat. 17 mijë metra katrorë parkim

Këto ditë mund jenë shumë të favorshme për të gjithë ata që mendojnë se stadiumi Qemal Stafa ka shkruar një pjesë shumë të rëndësishme të futbollit në vend. Në harkun e 48 muajve ai do të transformohet tërësisht dhe kushedi një “copë” e tij sot mund të vlejë shumë në të ardhmen. “Antikitet” më vete. Impianti që sot nuk e meriton një përcaktim të tillë po kalon ditët e fundit. “Një vdekje” natyrale, pa asnjë virus të shpejtë, por pasojë e një amortizimi klasik. 70 vite histori, beton, shkallë, por shumë pak komoditet dhe modernizëm do të mbesin pas. Sipas ligjit të natyrës asgjë nuk “shuhet” e gjithcka tjetërsohet. Kështu do të ndodhë me atë, stadium. Në vend të tij do të jetë një i ri, i denjë për mijëvjecarin ku jetojmë. Një 33 mijë vendesh klasik, i projektuar nga një studio spanjolle e famshme në këtë fushë, është konfiguruar tashmë deri në detaje dhe pritet vetëm firma e Berishës, që mund të vijë gjithashtu në një ditë të njohur për futboll, të mërkurën e ardhshme. Vetëm dy ditë para ndeshjes kundër Bosnjës. Me shumë gjasa e fundit për mitikun shqiptar.

Stadiumi, që mban emrin e një guerrilasi të famshëm në luftën e dytë botërore mund të krenohet me të shkuarën e tij. Me atë që “I kanë parë sytë” dhe emocionet e njerëzve. i ndërtuar nga italianët dhe i përfunduar nga sistemi komunist stadiumi ka mbajtur mbi shpinë të vetmin sukses absolut të kuqezinjve, fitoren në Kupën ballkanike. Që atëherë më shumë ka pasur vuajtje se sa gëzime. Por së paku ka pasur shumë emocione. Sot stadiumi, ajo që gjendet brenda soletave të tij është kthyer në një qëndër kritikash. Qemal Stafa nuk do ishte ndjerë kaq shumë krenar nëse “atje lart” do kishte mësuar që njerëzit sa herë i përmendin emrin thartojnë fytyrën. “atje? Bie erë…”. Është koha për ndryshim.

Duke lënë pas të shkuarin dhe duke u fokusuar te i riu, stadiumi pritet të jetë një luks i vërtetë për shqipërinë. “lufta” e madhe ka qënë rindërtimi tij. Hipotezat kanë qënë që të ndërtohej një tjetër i ri diku në dalje të kryeqytetit. Jo! Më mirë aty ku është. Historia duhet të vazhdojë.

Stadiumi i ri do të ketë 33 mijë vende. Ai do të jetë 75% i mbuluar pasi pavarësisht se kopertura do të jetë e plotë, do të ketë hapësira që nuk mund të “zihen” për shkak të formës së tij nga sipër. Projekti spanjoll është i qartë, nëse stadiumin e “vjetër” e kanë ndërtuar italinët, i riu duhet të ketë pamje shqiptare. Nuk është e vështirë që në syrin dimenasional të sipërm të shohësh qartë që pamja i ngjan hartës së Shqipërisë. Asnjë pankik, brenda staidumit nuk do të ketë një “reliev”. Do të jetë i gjithi katror, një stadium tipik futbolli. Për ata që duan një pistë atletike… nuk ka vend. Futboll, vetëm futboll. Ndonjë ndeshje speciale, dhe shumë… koncerte.

Tribuna kryesore do të jetë më shumë “VIP” se sa për njerëzit e thjeshtë. Të paktën 100 vende do të jenë për njerëzit e rëndësishëm ndërkohë tribuna e medias do të ketë 250 vende. Sot ajo ka 40 vende. Një furrik më vete. 6 mijë vendet e kësaj tribune do të kenë mes tyre një morri llozhash familjare. Doni ti lini një trashëgim fëmijëve tuaj. Blini një llozhë. Është një investim kënaqësie që ka blerë. Rreth e rrotull stadiumit do të jenë 17 mijë metra katrorë parkim, ndërkohë që nuk diskutohet që Brenda tij do të ketë pika ku mund të shijohen nga të gjitha. Përfshi dhe farat, kaq të dashura pë rpublikun shqiptar. Do të ketë dhe banjo, të domosdoshme…

Stadiumi do të rindërtohet në tri faza. Punimet pritet të fillojnë në fund të këtij muaji. Tribuna kryesore që ka sigurisht më shumë punë do të ezaurohet e para. Më pas do të shemben tribunat anësore dhe në fund të sistemohet tribuna përballë dhe do të realizohet dhe rrethimi i stadiumit. Që nga jashtë do të jetë i bardhë.

Firma spanjolle ka menduar dhe për stolat. Do të jenë të kuq. Arsyeja? Optike. Nëse luhet në një stadium të kuq në ndeshjet e përfaqësueses edhe në rastet kur tifozët mungojnë stadiumi nuk të jep idenë e një “boshi”. Tifozët janë kuqezinj. Sot mund të dallosh klehtësisht copa “blloku bojëqielli”.

Inagurimi i stadiumit nuk është një ditë e largët. Më së fundi do të kemi dhe ne një stadium! Të ri, të bukur, komod!

Sportekspres