PEQIN- Banorët e kuptojnë se kalaja nuk është thjesht një objekt, por një dëshmi historike që ka shumë vlera dhe një krenari për qytetin e Peqinit. Në pjesën jugore të qytetit, muret e saj fillimisht të japin përshtyjen e një rrethimi të vogël, por më pas, nëse viziton të gjitha anët, e kupton se nuk është një kala e zakonshme. Brenda territorit të saj ndjehesh si brenda një fortese.
Themelet e kalasë së Peqinit mendohet se i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës “Egnatia” dhe më pas është rikonstruktuar edhe gjatë pushtimit turk. Muret e kalasë, që mban edhe emrin e vendbanimit ilir të Klaudianës kanë patur një lartësi prej rreth 12 metrash. Kalaja e “Klaudianës” është zgjeruar në shekullin e XIV-të nga turqit, të cilët ia dhanë më pas spahiut të kazasë, i cili ndërtoi një saraj dykatësh dhe një harem.
Demir Pasha ka qenë i fundit që ka jetuar në kalanë e Peqinit. Këtë fortesë e përmend në shënimet e tij edhe kronikani i shekullit të XVII-të, Çelebiu, i cili thotë: “…muret e kësaj kështjelle shkojnë rreth 12 metra të lartë. Brenda rri dizdari dhe ka 70 ushtarë. Ka 5 topa në këtë kështjellë dhe 10 shtëpi të vogla të mbuluara me tjegulla. Ka gjithashtu një xhami të vogël pa minare. Në të majtë të kështjellës ngjitur me një mur ka një namazgja…” Kalaja ka qenë e pajisur me llagëme (tunele) të nëndheshme që shërbenin si dalje disa kilometra larg qytetit, në kohë të vështira. Po ashtu, në muret e kalasë janë gjetur tuba prej balte, që sipas arkeologëve do të thotë se në kohë lufte furnizimi me ujë është bërë nga jashtë.
Kalaja sot
Panorama e ditëve të sotme, në kalanë e Kaudianës është e trishtë, krahasuar me atë që rrëfejnë kronikanët. Një minitreg i improvizuar në hijen e mureve të uron mirëseardhjen, kurse në të vetmen portë të lartë do të kuptosh se hyrja është kthyer në një shesh- pushimi për karrocat e kuajve që përdoren për transport. Shkallët janë paksa të veçanta, por dera qëndron e mbyllur dhe çelsi nuk dihet se ku ka përfunduar, pas largimit të të vetmit punëtor që kujdesej për kalanë. E megjithatë, një hyrje tjetër duhet të ekzistonte, pasi fëmijët dhe të moshuarit e përdorin kalanë si një shesh loje apo lulishte. Në një nga portat e vjetra në formë tuneli të ofrohet pamja e brendshme e kalasë. Në një cep të saj është një ndërtim i ri që dikur mendohej të ishte një lokal luksoz për qytetarët e Peqinit. Duket se planet e pronarit të tij i ka prishur bashkia, me aksionin e prishjes së të gjitha objekteve pa leje. Një nga të moshuarit na tregon se kalaja është qendra e qytetit të Peqinit, pasi ai nuk ka asgjë tjetër me të cilin mund të pasqyrojë vlerat e qytetërimit të lashtë. 75-vjeçari Nebi Gripshi e quan fatkeqësi mungesën e përkujdesit për kalanë e vjetër.
Vlerat
“Dikur ky objekt ruhej dhe mirëmbahej. Madje këtu flitet se ekzistojnë varre shumë të vjetra, të cilat kërkojnë gërmime, por tani ka mbetur në mëshirën e fatit”,-thotë i moshuari. Nëse gërmohet në brendësi të saj dhe zbulohet pjesa bizantine, atëherë interesi edhe i të huajve do të ishte i madh. “Të vetmet gjëra që ne kemi këtu në Peqin është Kalaja dhe Sahati. Nëse edhe këtyre të dyjave i humbin vlerat, atëherë me çfarë mund të krenohemi. Kemi dëgjuar dhe lexuar se Demir Pasha, i fundit që ka qëndruar në kala ka qënë pas Aqif Pashës si një patriot me mjaft vlera. Qyterimi i vjetër dhe kultura e Peqinit duhet parë nga këto vlera dhe jo të njihet vetëm si një qytet i vogël dhe i papërfillshëm në hartën e Shqipërisë”,-përfundon Gripshi për “Shekullin”.
Trackbacks