Roberto Saviano: Kanuni bashkon mafiozin shqiptar me mafien italiane

Një pyetje tjetër ka të bëjë me mafian dhe investimet e huaja në Shqipëri.
Sigurisht, po. Atëherë, e kuptoj që është komplekse. Të dhënat janë të vërtetueshme në të gjitha hetimet, të cilat gazetarët shqiptarë mund t’ia kërkojnë drejtorisë kombëtare antimafie që ka të bëjë me Shqipërinë nga vitet ’90 deri sot. Nëse ti dëshiron të hapësh një fabrikë në Shqipëri dhe je italian, francez apo serb, duhet t’i drejtohesh dikujt. Në përgjithësi, ky dikush është një ndërmjetës mafioz që ndërmjetëson midis politikës lokale dhe politikës qendrore. Domethënë, unë dua në bregdetin shqiptar të hap diçka. Duhet të paguaj një ndërmjetës që të më sigurojë autorizimin politik, pra burokratik, dhe autorizimin mafioz. Nëse e bën pa këtë ndërmjetës, kohët janë të pafundme, telashet janë të pafundme, burokracia ndalet, dhe mafiet vijnë e trokasin. Por më çudit që rezulton e re për ju shqiptarët, sepse kjo ndodh ngahera…
Ku ndodh, si, me kë?
Është çmenduri! Do të të mjaftonte të pyesje çfarëdolloj sipërmarrësi që nuk ka frikë të flasë. Çfarëdolloj sipërmarrësi! Me një fjalë, nëse unë nesër shtirem si sipërmarrës dhe dua të hap një veprimtari në Shqipëri, është e natyrshme që do të vijnë të mi kërkojnë paratë. Vijnë të më kërkojnë paratë familjet e Tiranës që vendosin për çdo kokrrizë që lëviz nga vendi në Shqipëri. Vijnë të m’i kërkojnë familjet e Prishtinës, nëse shkoj në Kosovë. Vijnë të m’i kërkojnë në Nju Jork, nëse jam shqiptar dhe shkoj të investoj në Nju Jork, sepse natyrisht edhe atje janë familjet.…
Cilat janë familjet?
Është e çuditshme, sepse kujtoja se ishte e vërtetuar tashmë në kulturën shqiptare, që familjet mafioze shqiptare kanë për fat të keq një rol shtypës të popullit shqiptar. Është një hetim që u krye në 2009-n, i cili ka të bëjë me Ndranghetën e Kozencës, një hetim që flet për një aleancë midis Ndrangetës dhe mafies shqiptare dhe që e kanë administruar prokuroritë kalabreze. Ky hetim tregon se si shqiptarët dhe kalabrezët kanë formuar një strukturë të vetme kriminale. Shqiptarët japin dhjetë kilogramë heroinë në këmbim të pesë kilogramëve kokainë dhe investojnë në çdo sektor: kamiona, ndërmarrje ndërtimi, veshjet e rrugëve, riciklimin e mbeturinave, hotele… Prandaj habitem se si është e mundur që shqiptarët nuk i dinë të gjitha këto?! Është e vërtetë që pjesa më e madhe e hetimeve janë italiane, dhe janë italiane sepse tashmë shqiptarët para së gjithash flasin italisht, përdorin kodin mafioz italian, përzihen me familjet italiane dhe sot maqedonasi konsiderohet i huaj, marokeni konsiderohet i huaj, shqiptari konsiderohet italian. Për herë të parë, Kamorra, për shembull, ka anëtarë shqiptarë, të cilët nuk i konsideron të huaj. Shqiptari di të bëjë mafie. Italiani mafioz ka besim te shqiptari mafioz, sepse është i lidhur me gjakun, të afërmin, sepse ka një marrëdhënie me femrën, identike me atë që ka një italian. Për shembull, nuk kanë besim te mafiozët rusë. Nuk kanë besim te serbët; bëhen tapë, janë shumë të lidhur me një kodin e tyre të pakuptueshëm për një mafioz italian. Hetimi që përmenda ka nisur në ’91-shin. Ishte ndërkaq një hetim tjetër në ’91-shin. Mjafton të hysh në google dhe të shkruash Ndrangheta Albania, Camorra Albania, Sacra Corona Albania, dalin të gjitha hetimet që kanë bërë prokuroritë italiane. Tani pyes veten se si mund të mendohet që mafia shqiptare është e fuqishme në Itali dhe jo në Shqipëri?! Dhe duke mos folur për këtë në këto vite, ka krijuar një heshtje që atyre u leverdis. Nëse shkon te FBI-ja në Nju Jork, ka policë me origjinë shqiptare që punojnë vetëm mbi mafien shqiptare aty. Prandaj çuditem sa herë që më mbërrijnë e-mail-e të djemve apo vajzave shqiptare që më shkruajnë në Facebook dhe më thonë; si është e mundur që këto histori nuk i dëgjoj ose i dëgjoj pak këtu? Edhe unë e pyes veten, nuk e di se si është e mundur.
Një pyetje tjetër vjen në lidhje me biznesin e çimentos…
Për këtë, për shembull, unë nuk kam të dhëna të reja në kuptimin se nuk më duket se prokuroritë shqiptare kanë bërë hetime të mëdha mbi ciklin e çimentos tani për tani. Ndoshta po hetojnë. Është e natyrshme, mafia shqiptare investon gjithçka në çimento. Duhet betonizuar gjithë hinterlandi shqiptar, gjithë jugu, është e afërt ardhja e emigrantëve në Shqipëri. Cikli i çimentos është në dorën e tyre. Për shumë arsye. Para së gjithash, është një biznes shumë i madh, kështu që mund të fitosh shumë. Është një biznes i thjeshtë, i kontrollueshëm në kuptimin që betonierën e një konkurrentit tënd e ndalon, siç bëhet edhe në Itali. Vjen betonierja e dikujt që ka fituar një sipërmarrje, e ndalon, e urdhëron ta fikë çimenton, çimentoja thahet. Kështu humbasin kamionin, betonierën dhe punën. Në atë pikë thonë ‘mirë, sipërmarrjen e ke fituar ti’. Kështu që është edhe diçka e kontrollueshme për organizatën në krahasim me veprimtari të tjera jomateriale. Dhe pastaj, gjëja tjetër jo e dorës së dytë, kërkon shumë forcë pune, që do të thotë kontroll politik, kontroll territorial, miratim në territor, riciklim (domethënë ato apartamente i blen ti, pastaj i riciklon, pastaj i shet përsëri). Është e natyrshme që sot qendra e biznesit në Shqipëri është çimentoja.
Kush është pas biznesit të çimentos, sipas jush?
Unë kam ndjesinë, flas thjesht nga ndjesia që kam, sepse nuk kam të dhëna, se me çimenton kanë të bëjnë mafiozët shqiptarë, jo italianët. Sepse nëse do të duhej të kishin të bënin mafiozët italianë, ose më mirë, mbase italianët kanë dhënë shtytjen fillestare, do të thotë se italianët po komandojnë tashmë në territorin shqiptar, dhe këtë nuk e besoj. Në Malin e Zi dhe në Shqipëri, italianët kanë qenë gjithnjë mysafirë. Investitorë shumë të mëdhenj, por mafiet e këtyre vendeve nuk e lejojnë kontrollin territorial, siç ndodh për shembull në Gjermani. Italianët kontrollojnë territorin gjerman, por nuk e kontrollojnë territorin shqiptar. Investojnë, jetojnë atje, por nuk e kontrollojnë.
Atëherë, kush e kontrollon territorin shqiptar?
Mafiet shqiptare! Mafiet shqiptare kontrollojnë Shqipërinë, Kosovën dhe veriun e Maqedonisë, atje ku ka shqiptarë kërkojnë të futen, ndër të tjera duke e shtypur popullsinë shqiptare. Një gjë shumë e bukur që më kanë thënë në Gjermani ishte se për shembull kur mafia kosovare u orvat në Gjermani të merrte pushtetin nëpërmjet riciklimit të lavanderive, të kontrollonte krahun e punës, të kontrollonte udhëtimet, domethënë ushqimet, paratë, veshjet që kosovarët dërgojnë në Kosovë, kur u rrek mafia kosovare, pjesa e ndershme e komunitetit kosovar iu kundërvu dhe kjo merret gjithnjë si shembull për të thënë se kur pjesa e shëndetshme bashkohet, nuk ka shpresë për kriminalitetin. Sipas meje sot të reagosh keq, kur dikush tregon për mafien shqiptare, do të thotë t’i japësh një dorë mafies shqiptare, në vend që të bashkosh pjesën më të madhe të vendit, që natyrisht është e shëndetshme, kundër mafias.
Një pyetje tjetër vjen nga Kosova, për faktin se koka transgjenike nuk ka të bëjë fare me Kosovën.
Ai referim i imi, në intervistën tonë, para dy vjetëve, për kokainën transgjenike, të jetë e qartë, ishte një referim ndaj një mundësie. Kosova është një shtet që ka një rrezik mafioz të brendshëm të stërmadh. Ai që e mohon këtë, gënjen. Gënjen! Mafia kosovare është e fortë. UÇK-ja, që kosovarët e kanë për zemër, është financuar (ka hetime në SHBA, për këtë), është financuar nga kapitale mafioze. UÇK-ja kërkon para’ mbi ardhjen e kamionëve, administron heroinën…
Po tani UÇK-ja nuk ekziston më…
Sigurisht, sepse janë shndërruar në mafiozë. Ata janë bërë mafiozë. Le të themi ata që kishin një administrim ushtarak më të fortë, jo të gjithë. Nuk janë kurrë të gjithë. Por, ai referim ndaj kokainës transgjenike ishte një hipotezë, që ishte bërë gjatë diskutimeve midis ekspertëve të narkotrafikëve dhe thuhej: kur çmimi i kokainës transgjenike do të jetë i arsyeshëm, Kosovën do ta shndërrojnë në një Kolumbi të vogël. Ishte një referim ndaj faktit se Kosova kontrollohet nga mafiet. Dhe mendoj se mund të them edhe diçka tjetër. Ky mund të duket një provokim, dhe në fakt është pjesërisht i tillë, por Kosova e ndarë dëshirohet më shumë nga familjet mafioze sesa nga popullsitë. Populli në Kosovë e do Tiranën, dëshiron të bashkohet me Shqipërinë. Qeveritë, jo. Mafiet, jo. Mafia kosovare nuk preferohet nga mafia shqiptare. Tirana dhe Prishtina janë dy kartele të ndryshme. Atje, ashtu si edhe jashtë. Shqiptarët dhe kosovarët mafiozë në Gjermani merren me biznese të ndryshme. Njësoj edhe në Amerikë. Njerëzit, popullsia, shqiptarët e Kosovës ndihen vëllezër të shqiptarëve të Tiranës. Mafiozët kosovarë nuk ndihen vëllezër të mafiozëve shqiptarë të Tiranës. Tani e gjithë kjo sindikatë më duket omertoze. Dhe për ta mbyllur çështjen e kokainës transgjenike, është e natyrshme që është një hipotezë. Nëse do të kishte pasur, do të kisha folur në ndonjë hetim. Ishte më tepër një mënyrë për të thënë se ai territor rrezikon të bëhet një plagë, nëse nuk është ndërkaq.
Po vazhdoni të hetoni për mafien shqiptare?
Po, për mua nuk është më një mafie e huaj. Unë kur merrem me mafien shqiptare, merrem me mafien e tokës sime, ashtu siç merrem me mafien nigeriane. Kastel Volturno, që është një territor afër shtëpisë sime, është në dorë të mafies nigeriane. Kështu që unë merrem me mafien nigeriane, ashtu siç merrem me mafien e vendit tim, të kulturës sime, madje të mungesës sime të qytetërimit, të mungesës së qytetërimit që sundon tokën time, lëndon tokën time. Mafia shqiptare nuk ka më asgjë të largët. Mafia shqiptare flet italisht, ndjek logjikat italiane, është tërësisht e brendshme në organizatën italiane. Jam i bindur se, ose i jepet fund me këtë heshtje para krimeve, që e ka pak kultura shqiptare, intelektuale, domethënë të ndjerit i lënduar, i fyer kur të flasin për këto gjëra. Për të marrë një shembull praktik: gazetat shqiptare, revistat televizive shqiptare duhet t’i hapin të përditshmet e tyre me lajmin e hetimeve që ndodhin në Itali, kur aty ka shqiptarë të përfshirë, sepse të lejon të kuptosh më shumë. Kur Prokuroria e Kozencës tregon se Ndrangheta dhe mafia shqiptare janë strukturuar tashmë në një organizatë të vetme, ky lajm që duhet të hapë revistat televizive, s’ekziston. Vetëm shkruhet sikur lajmi ka të bëjë me pesë gangsterë të izoluar. Jo, jo, jo, nuk mund të mendohet kështu. Edhe për shembull që femrat shqiptare, në krahasim me dhjetë-pesëmbëdhjetë vjet më parë, janë më pak të pranishme në tregun e prostitucionit, kjo ndodh ngaqë kanë ardhur rumunet dhe organizatat shqiptare janë bërë më të pasura. Kështu që organizatat shqiptare, nëse munden, e shmangin të qëndrojnë në kuadrin e prostitucionit dhe qëndrojnë në kuadrin e narkotrafikëve. Shqiptarët, për shembull, sot e administrojnë prostitucionin, më shumë sesa nxjerrin në rrugë shqiptaret, siç ndodhte deri dje. Dhe meqë për fat të keq ka ende prostituta shqiptare, janë sidoqoftë të organizatave më të brishta, sipas këndvështrimit tim. Sot është në dorë të rumunëve. Shpesh rumunët komandohen nga shqiptarët. Tani, po e përsëris, të gjitha këto unë i quaj të ditura, sepse është përditshmëria e punës sime. Kështu që kur më mbërrijnë e-mail-e të tipit: “Po si është e mundur?! Për cilin vend e ke fjalën?! Ky nuk është vendi që njoh unë! Unë jetoj këtu!”, unë çuditem.
Mafia dhe politika shqiptare…..
Ja, në këtë për shembull, është e natyrshme që ka shumë pak hetime. Nuk është se italianët mund të flasin apo të bëjnë hetime mbi qeverinë shqiptare. Por kontaktet janë jashtëzakonisht të shumta. Më kujtohet Lelo Amato. Lelo Amatoja ishte një drejtues i kartelit të Sekondiljanos, në Napoli. Dy herë ka qenë i përzier me shqiptarët. Ai konsiderohet një perandor i vogël, në Spanjë dhe në Shqipëri. Sot është në burg në Itali. Ai u përzie dy herë me shqiptarët. Herën e parë trafikonte hashash, madje me djalin e një ambasadori, unë e përmend te “Gomorra”, me djalin e një ambasadori shqiptar në Itali. Ky djalë e ndihmonte të trafikonte, po flasim për fundin e viteve ’90, të trafikonte hashash midis Italisë dhe Shqipërisë. Herën e dytë, madje u hap një hetim, që bashkonte kartelet shqiptare, kartelet puljeze dhe kartelet napoletane. Dhe ai në Shqipëri shkonte vazhdimisht, duke blerë toka, duke blerë magazina, duke administruar kamionë. Ja, prandaj them që me siguri politika shqiptare ka kontakte… nuk mund të mos flasë me mafien. Nuk mund të mendohet! Nuk mund të mendohet! Kodet e Kanunit, që të kuptohemi, janë shumë magjepsës për intelektualin italian që studion këto gjëra, por në fakt për mafien është diçka tjetër. Kanunin e shoh shumë të pranishëm në qëndrimin e mafiozit shqiptar, si dhe të një mafiozi italian. Kur arrestuan një bos të Ndranghetës, Rabiton, ishte vonë, ishte natën vonë, dhe i dhanë një panine. Një bos nuk mund të hajë ushqim të ofruar nga një polic, nga një gjykatës, sepse për jugorin në përgjithësi, të hash do të thotë të ndash. Në fakt, kur unë duhet të mbaj distancë kundrejt teje, them: “Po se mos kemi ngrënë në të njëjtën pjatë! Po pse?! Mos kam ngrënë ndonjëherë bukë me ty?!”, njësoj sikur të hash bukë të jetë një mënyrë intimiteti. Por ky plak filloi të kishte uri, kishte frikë nga ndonjë rënie tensioni, kështu që duhej të hante. E merr këtë panine, çohet në këmbë, po flasim për një burrë 80-vjeçar, kthehet me fytyrë nga muri dhe ha. Në mënyrë që askush prej të pranishmëve të mos mund të thoshte: “Hëngri bashkë me ne”. Tani nuk donte të thoshte asgjë, apo jo? Ai ishte një bos që u arrestua, burgim të përjetshëm, nuk do të pendohej, ç’kuptim kishte të hante ashtu në tryezë. Këto simbole janë themelore, sepse krijojnë disiplinë. Të respektosh, kur është e rëndësishme, disa çaste, domethënë disa rituale, disa rrugë, është e rëndësishme në kodin e mafias. Kjo i krijon siguri italianit që trafikon me një mafioz shqiptar. Edhe në çështjen politike, në muajt e ardhshëm, nëse qeveria shqiptare do ta lejojë dhe nuk do ta persekutojë Prokurorinë, jam i bindur që do të dalin shumë gjëra. Do të dalin shumë gjëra, sepse pushteti shqiptar, të cilin unë e studioj që këtej, pushteti i mafieve shqiptare është eksponencial. Nuk është se nga intervista e fundit kam parë ndonjë ndryshim. Përkundrazi, kam parë prokurorë guximtarë të izoluar, gazetarë të guximshëm të izoluar, policë guximtarë që shmangen, por një det me korrupsion…
Ju po e ndiqni atë që po ndodh në Shqipëri, kriza, protestat, të vrarët?
Po. Po, pashë shumë dhe më bëri shumë përshtypje. Mendoj se është një moment i vështirë që do të çojë në një ripërtëritje. Dhe jam i bindur se demokracia shqiptare nuk do të mundë dot kurrë të mbërrijë në pjekuri, pa u çliruar më në fund nga spektri i mallkuar i komunistëve, nuk do të mundë dot kurrë të mbërrijë në pjekuri nëse nuk përballon dhe nuk ndalon problemin mafioz. E njëjta gjë ndodh në Malin e Zi, që të kuptohemi. Eshtë një situatë shumë e ndryshme, por totalitarizmi komunist ka një vazhdimësi te mafiet: monopoli, frika nga kontrolli, nga dhuna dhe nga balta. Kështu që po u referohesha dokumenteve të shërbimeve të fshehta shqiptare, që nuk janë më të sekretuara. Nuk e di, me siguri duhet të ketë ndonjë kërkues që po i studion dokumentet e Sigurimit, por i ftoj vëzhguesit shqiptarë t’i studiojnë ato dokumente, sepse vërtetojnë zyrtarisht marrëdhëniet midis Kamorrës dhe shtetit shqiptar, para rënies së regjimit komunist. Përkon, të paktën nga këto dokumente, me fundin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë. Shqipëria përjetoi një krizë shumë të ndërlikuar dhe udhëheqës të shtetit shqiptar të regjimit komunist takuan drejtues të Kamorrës napoletane, në veçanti Paskuale Galason dhe Mikele Xaxan, të cilët e pranuan kërkesën e Shqipërisë për të shitur armë, armë që Kamorra ua shet palestinezëve, irlandezëve, të gjitha karteleve kriminale që duan. Armë shqiptare të shitura nga Kamorra. Në këmbim, Shqipëria i ofron mbështetje në rrugët ujore për kontrabandën e cigareve, mikpritje të të fshehurve, pra anëtarëve të Kamorrës, dhe meqë po flasim për regjimin komunist nuk mund t’u ofronte tregun e lirë, sepse nuk ekzistonte tregu. Por kur regjimi ra, ata i kishin ndërkaq të gjitha pikat e referimit atje, sepse ata gjeneralë, ata ambasadorë, ata funksionarë komunistë pastaj u bënë demokratë, dhe në atë pikë u dhanë lejet për të hapur fabrikat, mundësinë për të investuar në banka. Kamorra asokohe u jepte shqiptarëve edhe shkopinj gome për policinë, bombat gazlotsjellëse, gjithë këto gjëra. Është e shkruajtur në ato dokumente. Sepse Shqipëria në kohën e regjimit komunist, instrumentet e shtypjes sovjetikëve nuk ua kërkonin dhe kinezët nuk ua jepnin. Dhe ua jepte Kamorra. Kjo është e rëndësishme të kujtohet: sepse shqiptarët që kanë vuajtur në ato vite shtypjen e regjimit komunist, kjo shtypje ushtrohej me prangat dhe armët që Kamorra i jepte regjimit, gjithnjë nëse këto dokumente janë të vërteta. Dhe sidomos, edhe një element tjetër është se borgjezia shqiptare që po kuptonte që regjimi po binte, filloi të strukturohet falë marrëdhënieve me kriminalitetin e organizuar, që i jepte valutë të huaj. Kështu që në këtë rast, sinjalizohet në dokumentet e shërbimeve të fshehta, se valuta që Kamorra u jepte shqiptarëve ishte valutë spanjolle. Meqë Kamorra napoletane ishte e fortë në Spanjë, nuk jepnin lireta, por jepnin para’ spanjolle. Para’ spanjolle që këta i vinin mënjanë që të mund t’u qaseshin tregjeve që kishin rëndësi për të blerë nga makinat te rrobat, nga informacionet te kokaina, sepse monedha shqiptare natyrisht që nuk vlente fare në rrafshin ndërkombëtar. Tani fakti që e gjithë kjo nuk është një debat i vazhdueshëm në Shqipëri, tregon se ka një dobësi, dhe kjo dobësi është e rrezikshme. Nuk jam unë ai që po ju tregoj një vend që nuk ekziston. Unë kam frikë se ka shumë shqiptarë që e shikojnë vendin e tyre në mënyrë dritëshkurtër. Vendi që ata kujtojnë se ekziston, nuk ekziston.
Në Tiranë po flitet për demokracinë, në një kohë kur diplomatë të huaj, madje edhe italianë, flasin për stabilitet.
Sigurisht, kjo është një shenjë pozitive. Edhe revoltat ishin një shenjë pozitive. Njerëzit kuptojnë se demokraci do të thotë lumturi, përmirësim i mirëqenies fizike, intelektuale. Kështu që nuk është diçka abstrakte, të cilën mund ta shkëmbesh shumë mirë me pak siguri. Diplomatët natyrisht flasin për stabilitet, sepse kanë nevojë për një aleancë me qeverinë shqiptare. Të tregosh lidhjet që qeveria shqiptare ka me organizatat kriminale, është edhe një mënyrë për t’u mësuar qeverive të huaja ç’marrëdhënie të mbajnë, me kë të mbajnë marrëdhënie. P.sh., politika e jashtme italiane e viteve të fundit është katastrofike: marrëdhënie me Libinë, marrëdhënie me Bjellorusinë, marrëdhënie me Putinin, domethënë gjithçka që është larg demokracive i pëlqen Berluskonit. Mund të duket si një batutë, por atij i leverdis, sepse është unaza e dobët e Europës. Gjermania vështirë se do ta priste Gedafin me nderimet me të cilat pritet në Itali. Berluskoni e di këtë, dhe kështu që i shfrytëzon marrëdhëniet e këqija të këtyre shteteve me shtetet e tjera europiane për të pasur marrëdhënie të privilegjuara ai vetë. Shqipëria bën pjesë në këtë dinamikë. Por mendoj se i kanë orët të numëruara, që të dyja qeveritë. Sepse popullsia, kam ndjesinë ose është thjesht një shpresë, njerëzit nuk pranojnë më, nuk e ndjekin më linjën qeveritare, po e kuptojnë gjithnjë më shumë se çfarë është bërë. Qeverive ju mbeten besnikët. Besnikët janë të pamposhtur. Çfarëdolloj gjëje të bëjë shefi, ata do ta ndjekin pas deri në fund. Por ata nuk ngrenë peshë, ose më mirë mund të kenë rëndësi në këtë fazë, por në Shqipëri ka një ajër të ri.
Më pëlqen slogani juaj: “Nëse jo tani, kur?
Po, është parullë e bukur, e marrë ndër të tjera nga lufta antinaziste. Po, jam i bindur se përsëri fati i italianëve dhe fati i shqiptarëve janë afër, siç kanë qenë gjatë fashizmit, siç kanë qenë në antifashizëm, tani do të jenë afër në orvatjen për të ndërtuar një demokraci më të plotë. Demokracia shqiptare është një demokraci e vogël, ende adoleshente, por po vjen pjekuria.
Njerëzit në Shqipëri shpesh besojnë se gjithë politika është pis, të gjithë janë njësoj.
E kuptoj. Është e natyrshme ta mendosh këtë. E kam menduar edhe unë në shumë faza të jetës sime. Por të mendosh kështu është një mënyrë për t’i dhënë hapësirë politikës më të keqe. Të thuash se gjithçka është njësoj, të mos kuptosh ndryshimet, është një gjest antidemokratik. Nuk është e vërtetë, demokracia është ndryshim. Mbase ka shumë politikanë të paaftë, por jo të gjithë janë hajdutë. Dhe ky është një ndryshim ndërkaq. Të arrish të thuash se gjithçka është një neveri, është një mënyrë për të legjitimuar cilindo. Sepse në atë pikë justifikon më dinakun, më të pamëshirshmin, atë që ka më pak rregulla, atë që ka më pak skrupuj. Duke parë revoltën në shesh në këto ditë në Shqipëri, m’u duk se ndieva një zemër të gjallë, të ngjashme me atë që ndodhi kur ra regjimi komunist. Domethënë, një atmosferë të ngjashme. Më duket se tani duhet kaluar, duhet arkivuar ajo që ishte periudha e tranzicionit nga komunizmi në demokraci, dhe duhet mbërritur më në fund në demokraci. MJAFT me tranzicionin!
Më pëlqeu letra që u keni dërguar të rinjve të lëvizjes. Do doja në fund të bisedës, t’u drejtoheni të rinjve shqiptarë.
Unë përpiqesha t’u thosha studentëve italianë se të djegësh kamionçinat e karabinierëve, ato ditë protestash, ishte një gjest i dobët, që nuk duhej bërë, sepse kjo rrezikonte të delegjitimonte protestën. Qeveria nuk iu përgjigj kërkesave të tyre, u tha vetëm “Digjni kamionçina! Sulmojini policët! Kjo është revolta juaj!”. Kështu që unë thosha “Le të mos e bëjmë këtë! Le të shkojmë masivisht në protesta, por me instrumente të tjera!”. Do të më pëlqente që të rinjtë shqiptarë aq të fuqishëm, aq të shëndetshëm ta kuptojnë këtë. Demokracia e re është një privilegj sepse mund ta ridizenjosh një vend dhe të rinjtë shqiptarë e kanë këtë fat. Unë jam i sigurt që ata janë të vetëdijshëm tashmë, se duhet të vazhdojnë në rrugën që të mund t’i bëjnë të flasin për Shqipërinë mediat ndërkombëtare. Është e vetmja shpresë që kemi ne italianët, ju shqiptarët. Me qëllim që mediat ndërkombëtare të merren me revoltat, jo pse pati të vrarë, siç ndodhi, sepse ajo gjë kalon për një sekondë, mbërrin lajmi dhe kalon si diçka që duhet zgjidhur në kuadrin e rendit publik, por lajmi për ju të mund të mbërrijë për temat, për hetimet, denoncimet. Është më e lodhshme, por mund të bëhet. Nëse lind një ëndërr e madhe për rilindjen në Shqipëri, bota nuk mund ta shpërfillë dot.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Shqip” i Rudina Xhunges

Comments are closed.