Në Rumani askush s’i beson “cirkut” të përballjes së fundit (6-1), madje i frikësohen befasisë
Nuk ka më sekrete. Shqiptarët do të bëjnë gjithçka të mundshme për ta prishur debutimin tonë në këto eliminatore, ditën e premte, në kuadrin e eliminatoreve të “Euro 2012″. Ky, një paralajmërim për “tricolori! Shqiptarët duan të hakmerren për humbjen e turpshme 6-1, të pësuar në nëntor 2007, në Bukuresht, në ndeshjen e fundit të eliminatoreve për “Euro 2008″.
“Ne ju kemi ndihmuar, duke ndalur dy herë bullgarët në eliminatoret e Europianit 2008, ndërsa ju nuk keni kursyer asgjë në ndeshjen e fundit, edhe pse ishit të kualifikuar tashmë. Për këtë kemi për t’ua bërë jetën më të vështirë,” – mësohet të jetë shprehur një ndërmjetës, në emër të lojtarëve të kombëtares shqiptare, tek i cili janë këshilluar dhe konsultuar drejtuesit e Federatës Rumune të Futbollit për kundërshtarin e 3 shtatorit.
Presioni psikologjik jashtë fushe
Shqiptarët e kanë filluar tashmë luftën psikologjike. Bëhet fjalë për një protokoll të pashkruar të Federatës Rumune të Futbollit, që i është bërë i ditur edhe stafit të kombëtares së këtij vendi, teksa i është bashkangjitur kasetës video të miqësores së fundit të shqiptarëve, luajtur në fushën e tyre, kundër Uzbekistanit, fituar me rezultatin 1 0, më 11 gusht.
Një kasetë që do të analizohej edhe nga drejtori i shkollës së trajnerëve në Rumani, Mirçea Radulesku, për t’i dhënë indiciet e duhura trajnerit Luçesku. Por, një surprizë e pakëndshme ka ndodhur. Kur është vënë për t’u parë kjo kasetë video, konstatohet se ajo është kopjuar në një format të çuditshëm, krejt të paqartë. Vetë trajneri Luçesku, pasi është njohur me DVD, ka pohuar se nuk mund të shohë asgjë në të, pasi pamjet janë të një formati të çuditshëm dhe krejt të paqarta.
“Në fund të fundit, specialistët tanë u munduan ta deshifrojnë këtë DVD, e cila nuk na ndihmon shumë, sepse cilësia e figurës ishte e tmerrshme. Ne kemi qenë të sinqertë me shqiptarët, teksa u kemi dhënë atyre një DVD të mirë të miqësores sonë të fundit në Turqi, ndërsa ata na e kanë punuar me gjakftohtësi,” tha një zyrtar i federatës rumune.
Kësisoji, trajneri Razvan Luçesku është munduar ta njohë dhe zbulojë kundërshtarin, duke mbledhur materiale mbi përfaqësuesen shqiptare në rrugë të tjera.
“Shqiptarët na konsiderojnë neve si miq, ndaj nuk e shpjegoj dot se si ata duan të na i prishin planet me të tilla DVD. Kjo tregon se dëshira e tyre për të na befasuar më 3 shtator është shumë e madhe. Bëhet fjalë patjetër për një hakmarrje,” – ka thënë Mircea Radulescu, drejtor i shkollës së trajnerëve (Scoala Federala de Antrenori) në Rumani.
Frikë nga Erjon Bogdani
Ndërkohë, asistenti i Razvan Luçeskut, pjesë e stafit teknik të Rumanisë, Stephan Iovan, ka lëshuar një apel të tij: “Kujdes Bogdanin, është i rrezikshëm!” Gjithashtu, ai ka shtuar se Shqipëria do të jetë e vështirë për t’u mundur, pasi ka një ekip që mbron në mënyrë shumë të organizuar. “Shqipëria, edhe pse emri i saj nuk thotë shumë, mund të na e bëjë jetën të vështirë. Ky është përfundimi im, nisur nga ajo që pashë në videot e tyre, bashkë me trajnerin Razvan Luçesku. Ajo mbron mirë dhe luan me shumë angazhim. Në gjirin e tyre, shqiptarët kanë Bogdanin, i cili mund të na krijojë probleme,” thotë Iovan.
Iovan vuri në dukje se sulmuesi i kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, mund të dhurojë momente të papritura për mbrojtësit rumunë. “Ai është i lartë dhe ka një konstrukt shumë të mirë fizik. Bogdani është gjithashtu shumë luftarak, luan te Çezena në Itali, në një nga ligat më të mira në botë. Ndaj, ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj tij.”
Stephan Iovan mendon se shqiptarët kanë një ekip të mirë dhe të organizuar, ndaj ballafaqimi i fundit mes dy kombëtareve në fjalë (fitorja 6 1 e Rumanisë), nuk duhet marrë kurrsesi për bazë, apo për referim. “Shqipëria luan më së shumti me një skemë fleksibël, 4 4 1 1. Ata do të vijnë me mendje të mbledhur, për t’u mbrojtur fort në Rumani dhe për të shfrytëzuar kundërsulmin e tyre,” – ka thënë Stefan Iovan, ndihmëstrajneri i komnbëtares së Rumanisë.
http://www.sportishqiptar.com.al/rumunet-kujdes-shqiptaret-synojne-hakmarrjen/