Sa ndikon kriza politike në ekonominë e vendit?

Si po ndikon në biznes dhe ekonomi kriza politike në vend? Nga anullimi i kontratave, rënia e shitjeve, stepja e investitorëve potencialë, tëhqeqja e prenotimeve nga turistët deri te cenimi i imazhit të vendit, për të cilin ishin dashur vite që të përmirësohej

 

Kur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, po bëheshin të qarta pasojat e protestës të 21 janarit, e cila u mbyll me vdekjen e tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve dhe në mediat e huaja lajmi kishte marrë dhenë, në zyrat e administratorëve të qendrës më të re tregtare “CityPark”, sapo mbërriti një e-mail.

 

Kompania multinacionale me qendër në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që tregton veshje e lodra fëmijësh, e cila do të nënshkruante kontratën e qirasë, me një vlerë prej 35,000 euro/muaj me “Citypark”, sapo njoftonte se do të duhej të rishikonte vendimin për të investuar edhe në Shqipëri.

 

Sigurisht që vendimi nuk kishte të bënte me ndonjë parregullsi nga pala shqiptare, apo ndonjë lloj tjetër paqartësie, por gjithçka lidhej me imazhet që po transmetoheshin për Shqipërinë në ekranet televizive të së gjithë botës. Në një moment, kur në kryeqytet sulmoheshin institucionet qeveritare dhe kur pamjet që transmetoheshin nuk ngjasonin aspak me një vend stabël, kompania e huaj, që do të duhej të punësonte rreth 35 punonjës, të ushtronte aktivitetin në mbi 2,000 metra katrorë dhe të realizonte vetëm nga qiramarrja 420 mijë euro të ardhura/vit, vendosi se “marrëdhënia me ‘CityPark’ duhej rishikuar”.

 

“Sinqerisht që atë ditë, jo vetëm u frikësuam me atë çka po ndodhte. Mbërritja e përgjigjes na demoralizoi edhe më shumë, sepse ne ishim gati për të nënshkruar kontratën me kompaninë dhe gjithçka u kthye mbrapsht”, thotë drejtori i “CityPark”, Genti Çela.

 

Drejtuesit e kompanisë shpresojnë se me normalizimin e situatës, marrëdhënia do të rikuperohet dhe firma e huaj do të realizojë investimin e saj në Shqipëri.

 

Por “ndodhia” (nëse mund të quhet kështu) e drejtuesve të “CityPark” nuk është padyshim një ngjarje e izoluar, shumë sipërmarrës të tjerë e kanë përjetuar në mënyrë “irrituese” gjithçka prishi imazhin e Shqipërisë atë ditë.

 

Protesta e 21 janarit, ku u sulmua Kryeministria, ka alarmuar të gjithë diplomatët e huaj, por në të njëjtën ditë, më të alarmuar kanë qenë biznesmenët vendas dhe partnerët e tyre europianë.

 

Administratorë të kompanive të ndryshme në vend, kryesisht eksportues dhe operatorë të tregtisë me pakicë, kanë konfirmuar për “Monitor” se telefonat e tyre nuk kanë pushuar së rëni e për minuta të tëra u është dashur të garantojnë njëri pas tjetrit partnerët e tyre të huaj mbi situatën në Shqipëri.

 

“Të frikësuar” nga ngjarjet e mëparshme në Shqipëri, sidomos nga viti 1997, shumë të huaj duket se ende kanë mbetur skeptikë mbi mënyrën se si do të evoluojë situata, duke lënë në këtë mënyrë pezull shumë projekte.

 

Shqetësimi rritet…

 

Presidenti i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, Flamur Hoxha, njëherësh administrator i një prej ndërmarrjeve më të mëdha të fasonit në vend, tregon se ka marrë mbi 20 telefonata atë ditë nga partnerë të huaj, të cilët kërkonin informacion mbi situatën në Shqipëri.

 

“Atë ditë, telefoni im nuk ka pushuar së rëni dhe u mundova ta normalizoja situatën, por pamjet në media kishin bërë efektin e tyre. Kishim katër persona të huaj që do të duhej të mbërrinin në Shqipëri për të kryer takime mbi mundësi bashkëpunimi dhe të gjithë kanë preferuar t’i shtyjnë për më vonë”, shprehet Hoxha.

 

Ajo që duket se i frikëson më shumë investitorët e huaj në vend, sidomos ata italianë, është përsëritja e ngjarjeve tragjike të vitit ‘97, ku një pjesë e mirë e tyre kanë qenë gjithashtu “dëshmitarë”. Pjesa më e madhe e investitorëve italianë, të cilët ushtrojnë aktivitet në vend, janë “shpërngulur” në Shqipëri që në vitet ‘93 dhe vetëm katër vite më vonë panë sesi investimet e tyre u shkatërruan. “Frika” se kjo mund të ndodhë sërish duket se i ka trembur jo vetëm ata, por edhe ata partnerë të huaj që kërkojnë të investojnë rishtazi në vend.

 

Protesta e 21 janarit ka “irrituar” sipërmarrësit shqiptarë, sidomos ata që kërkojnë partnerë të huaj, sepse sipas tyre vjen në një moment kur imazhi i Shqipërisë ishte i përmirësuar dhe kur shanset për më shumë investime ishin më të mëdha.

 

“Ulja e konkurrueshmërisë së Kinës, si dhe situata e rënduar politike në Tunizi, na kishte bërë më atraktivë për investitorët e huaj dhe madje patëm edhe shumë interesime për investime në fason, por kjo që ndodhi duket se i ka frikësuar pak a shumë të gjithë. Po punonim dhe ecnim shumë mirë, kjo nuk duhej”, thotë kreu i Dhomës së Prodhuesve të Veshjeve.

 

Në fakt, viti 2011 duket se është një nga periudhat më të mira për industrinë e fasonit në vend, e cila duket se po rigjen partnerët e humbur dhe po rrit volumin e punës, në një kohë kur ekonomia dhe tregjet europiane po e lënë pas krizën financiare që nisi në 2009-n. Sipas përfaqësuesve të industrisë, ky sektor preket shumë nga destabilitetet ekonomike, pasi një partner i huaj që nënshkruan kontratë për një vit të tërë nuk mund të pranojë “luhatje” apo pasiguri të tilla.

 

Shtohen projektet e anulluara

 

Të njëjtin fakt e konfirmon për “Monitor” edhe administratori i “Cotonella” në Shqipëri, Gjergj Leqejza. Ai tregon se në komunikimet që ka pasur me partnerët italianë, ata janë shprehur të shqetësuar dhe deri-diku të frikësuar mbi situatën.

“Çdo ditë kam marrë dy-tre telefonata nga partnerët italianë, të cilët kërkojnë të informohen mbi ecurinë e situatës. Ne jemi një kompani që nuk e kemi ndalur për asnjë minutë punën edhe në një vit të vështirë si 1997, por edhe tani, shqetësimi i të huajve është i madh”, shprehet Leqejza.

 

Ajo që i ka trembur më shumë italianët që punojnë në Shqipëri është e-mail-i i mbërritur nga ambasada italiane, i cili u kërkon atyre të japin informacion mbi adresën e shtëpisë, detajet personale, numra kontakti etj. Kjo ka ngjallur dyshime mbi ruajtjen e një normaliteti. Por të njëjtin hap kanë bërë edhe ambasada të tjera të rëndësishme në Shqipëri, si ajo amerikane apo britanike, të cilat u kërkuan shtetasve të tyre të shmangnin lëvizjet apo grumbullimet gjatë ditëve të protestave.

 

E me gjithë dëshirën dhe vullnetin e sipërmarrësve shqiptarë për të “qetësuar” partnerët e tyre të huaj, shumë prej tyre ndihen ende të pasigurt.

 

Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, tregon se mjaft sipërmarrës të huaj, të cilët planifikonin të vinin në Shqipëri këtë periudhë, kanë zgjedhur ta anulojnë vendimin. “Është e qartë tashmë që shumë projekte që ishin planifikuar do të shtyhen për një periudhë të mëvonshme, kjo sepse shumë kërkojnë të dinë dhe të kenë garancinë mbi atë që do të ndodhë në të ardhmen”, shprehet Zusi.

 

 

Bizneset shqetësohen, kërkojnë stabilitet

 

Në një situatë të tillë, sipërmarrësit vendas gjykojnë se çdo protestë e dhunshme, që dëmton imazhin dhe stabilitetin e vendit, ndikon negativisht në ecurinë e bizneseve dhe të ekonomisë në përgjithësi. Kreu i Dhomës së Prodhuesve të Veshjeve, Flamur Hoxha, kërkon që situata të kthehet sa më parë në normalitet, për të mos cenuar asnjë sipërmarrje apo projekt të ri në Shqipëri.

 

Të gjithë sipërmarrësit vendas thonë se në raste kaosi janë pikërisht bizneset që goditen të parët dhe kjo nuk është në interes të vendit.

 

Sipërmarrësi Sami Gjergji, i cili administron kompaninë e prodhimit të vezëve “Floryhen”, dhe që prej vitesh eksporton në tregun italian, shprehet se situata të tilla nuk janë kurrë në dobi të askujt. Edhe ai, si çdo biznesmen i cili ka marrëdhënie me jashtë, ka pasur kontakte apo telefonata nga të huajt dhe është munduar t’i sqarojë apo qetësojë mbi atë çka ndodh në Shqipëri. Sipas Gjergjit, fakti që Shqipëria është në NATO, është garanci për shqiptarët dhe të huajt, se ngjarje të rënda nuk mund të ndodhin kurrë më në Shqipëri.

 

“Por nga ana tjetër, djegia, shkatërrimi dhe sulmi ndaj institucioneve dëmton Shqipërinë në një moment të përmirësimit të tij”, shprehet ai.

 

“Konfindustria” ka shprehur domosdoshmërinë e gjetjes së zgjidhjeve afatgjata politike. Nëpërmjet një njoftimi për mediat, administratori i përgjithshëm i “Konfindustrisë”, Gjergj Buxhuku, pas ngjarjeve shqetësuese që u shfaqën në mënyrë tragjike ditët e fundit, kërkon nga vendimmarrja politike e të gjitha ngjyrave si dhe institucionet shtetërore të gjejnë sa më parë me qetësi dhe përgjegjshmëri zgjidhjen e duhur brenda hapësirës kushtetuese në fuqi.

 

“Ekonomia shqiptare ka nevojë për qëndrueshmëri politike, shoqërore dhe institucionale, për të siguruar investimet e nevojshme të brendshme dhe të huaja, që do të sigurojnë zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e dëshiruar të qytetarëve”, është shprehur Gjergj Buxhuku.

 

“Konfindustria” shpreh domosdoshmërinë e gjetjes së zgjidhjeve afatgjata politike, në një kohë sa më të shpejtë.

“Ditët e fundit, një numër i madh partnerësh institucionalë ndërkombëtare, si dhe shumë investitorë të huaj, kanë shprehur pranë ‘Konfindustrisë’ shqetësimin për ngjarjet në Shqipëri, si dhe domosdoshmërinë për të arritur sa më shpejt në zgjidhje të qëndrueshme, si kusht parësor për zbatimin e projekteve të parashikuara dhe në vazhdim”, thuhet në njoftimin për shtyp.

 

“Konfindustria” vlerëson se Shqipëria ka të gjitha kushtet e nevojshme institucionale, kushtetuese, shoqërore dhe politike, bashkuar me dëshirën dhe pjekurinë e provuar të qytetarëve të saj, si dhe mbështetjen e shprehur të vendeve mike, për ndërtimin e një shteti demokratik dhe funksional në të mirë të të gjithë kombit shqiptar.

 

Investitorët e huaj

Ngadalësohen proceset e nisura

Flet Z. Francesco Vitulli, drejtori i Institutit Italian për Tregtinë me Jashtë (ICE)

 

Sa mendoni se janë penguar planet italiane të investimit në Shqipëri veçanërisht me zhvillimet e fundit politike. A mund të na transmetoni përshtypje konkrete të kompanive italiane që kanë planifikuar të investojnë në Shqipëri, apo janë këtu e kanë planifikuar të zgjerohen?

Sigurisht, qëndrueshmëria e një vendi luan rol të rëndësishëm në zgjedhjet e investitorëve ndërkombëtarë. Por e gjitha nuk është e rastësishme, nevojitet kombinimi i disa faktorëve si një informacion korrekt, një klimë e mirë biznesi, nxitje për investimet e mbi të gjitha, një mbështetje e efektshme nga institucionet e vendit përkatës.

Në këtë drejtim, për shembull, ka ndërhyrë sistemi italian në Shqipëri, i drejtuar nga ambasada jonë, e cila prej disa kohësh ka ndërmarrë nisma të rëndësishme që kanë si qëllim të mbështesin Shqipërinë në procesin e standardizimit në kuadrin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, dhe në të njëjtën kohë të favorizojnë investimet, bashkëpunimet dhe shkëmbimet tregtare ndërmjet sipërmarrësve italianë dhe atyre shqiptarë.

Nuk besoj se është vështirë të supozohet se zhvillimet politike të cilave i referoheni, pa hyrë në brendi, në njëfarë mënyre do të ndikojnë si ngadalësues të procesit të nisur, të paktën për ato ndërmarrje që së fundmi kanë vendosur të orientohen drejt tregut shqiptar.

Në këtë rast, detyra jonë do të konsistojë në monitorimin e ngjarjeve dhe në ndërlidhjen me firmat italiane, duke vënë në zbatim informacionin.

Në të vërtetë nuk kemi pasur sinjale shqetësimi nga kompanitë tona, sidomos nga ato që operojnë në Shqipëri. Si rrjedhojë, besojmë se programet e tyre, edhe ato për zgjerim, nuk do të pësojnë në këtë fazë reflekse negative.

 

Situata e pafavorshme për vendin dhe biznesin

Patrik Pascal, kryetar i Shoqatës së Investitorëve të Huaj

 

Një situatë e tillë nuk është e favorshme për vendin dhe as sigurisht as për biznesin, mbi të gjitha po të kemi parasysh zhvillimet aktuale ekonomike. Ne shpresojnë që gjendja të qetësohet dhe për këtë duhet të kërkohet marrëveshja mes përfaqësuesve të politikës në vend.

Comments are closed.