Kompania shqiptare e përpunimit dhe tregtimit të naftës ARMO e privatizuar në vitin 2008 nga konsorciumi i përfaqësuar nga Rezart Taçi, “AMRA Oil” rrezikon të kalojë në pronësi të qeverisë së Azerbajxhanit. Gjykata e Tiranës ka vendosur të vërë nën sekuestro konservative 85 për qind të aksioneve të “ARMO”-s që zotërohen nga “Amra Oil” dhe të gjitha llogarive bankare të kësaj kompanie. Vendimi është marrë me kërkesë të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, që kontrollohet nga qeveria e këtij vendi.
Gjykata
Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro konservative ndaj kompanisë ARMO për shkak të një borxhi të pakthyer prej 75 milionë eurosh, që është marrë nga AMRA Oil për blerjen e ARMO-s. Gjykata e Tiranës ka urdhëruar vendosjen e sekuestros konservative pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO sh.a., të zotëruara nga shoqëria AMRA Oil sh.a. (vlera e tyre nominale është 5.126.461.000 lekë).
Gjykata po ashtu ka kërkuar vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë bankare të shoqërisë AMRA Oil, mbi llogaritë bankare të shoqërisë ARMO, mbi pasuritë e paluajtshme të shoqërisë ARMO sh.a. dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi gjendjen e stokut të kësaj shoqërie deri në përfundim të gjykimit.
Në vendimin e marrë nga gjyqtari Ilir Çeliku thuhet se sekuestroja vendoset për një shumë jo më të madhe se 75.000.000 (shtatëdhjetë e pesë milionë) euro.
Kredia 75 milionë
Gjykata ka vendosur sekuestro pas kërkesës së Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit (IBA), e cila ka provuar me fakte para gjykatës se për të realizuar investime në Shqipëri, ka depozituar në nëntor të vitit 2008 në llogarinë e bankës “Credins” shumën prej 75 milionë euro. Sipas vendimit të gjykatës, mësohet se gjykata ka provuar se shuma e përmendur më sipër është depozituar në bankën “Credins” në tre këste. Nga 18 nëntori deri më 21 nëntor 2008. Sipas të njëjtit burim, nga provat e depozituara para gjykatës rezulton se AMRA Oil në datë 15.07.2010 i kthen bankës IBA një shumë prej 1.5 milionë eurosh, e cila është dhe shuma e vetme e kthyer deri tani palës kërkuese dhe që nga momenti i kryerjes së kësaj pagese, nuk rezulton që palët të kenë kryer pagesa të tjera. Në këto kushte, IBA u ka dërguar njoftime si shoqërisë AMRA Oil sh.a dhe bankës “Credins” të përfshirë në transaksion, me anë të të cilave vë në dijeni të dyja palët lidhur me detyrimin e tyre dhe kërkon kthimin e menjëhershëm të të gjithë vlerës së detyrimit së bashku me interesat dhe fitimin e munguar në vlerën totale prej 115 milionë eurosh. Në mungesë të një përgjigjeje zyrtare nga debitorët, banka shtetërore azerbajxhanase i është drejtuar gjykatës së Tiranës me kërkesën për “Marrjen e masës së sigurimit të padisë”.
Borxhet
Gjatë gjykimit të çështjes mes AMRA Oil dhe bankës IBA rezultoi se nga ana e AMRA Oil sh.a. janë blerë aksionet e shoqërisë ARMO sh.a. dhe në këto kushte e vetmja pasuri e kësaj të fundit janë aksionet që ajo zotëron në këtë shoqëri. Ndërkohë, gjykata ka konstatuar se me vërtetimin e sekretarisë gjyqësore që pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 1.8.2012 ka nisur edhe një proces tjetër gjyqësor ndaj shoqërisë ARMO sh.a. me paditës shoqërinë “Albpetrol”, e cila kërkon një shumë prej 5 miliardë lekësh si përmbushje e detyrimeve kontraktore, si dhe penalitete në masën 269 milionë lekë. Nga sa më sipër rezulton se ekzistojnë dhe kreditorë të tjerë, të cilët mund të kenë pretendime mbi aksionet e shoqërisë ARMO, 85% të të cilave zotërohen nga shoqëria AMRA Oil sh.a.
Pasojat
Bazuar në vendimin e Gjykatës së Tiranës, rezulton se nëse kompania AMRA oil nuk do të jetë në gjendje të shlyejë detyrimin ndaj bankës azere, kjo bankë me kapital shtetëror do të fitojë pronësinë mbi 85 për qind të aksioneve të kompanisë ARMO, sh.a. Në një rast të tillë, ish-kompania shtetërore e përpunimit dhe tregtimit të naftës, e cila iu shit në vitin 2008 një konsorciumi shqiptaro-amerikan, do të kontrollohet nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, ku paketën kontrolluese të aksioneve e zotëron qeveria azere.
AMRA
Nëntor 2008
Zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, dhe përfaqësuesi i Konsorciumit Anika Enterprises SA, Mercuria Energy Group Limited dhe Refinery Associates of Texas, INC, Rezart Taçi, nënshkruan marrëveshjen për kalimin e pronësisë të 85% të aksioneve shtetërore të ARMO sh.a., te ky konsorcium.
Banka
Më shumë se 50 për qind e aksioneve të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit janë në pronësi të Ministrisë azere të Financave dhe enteve të tjera shtetërore