Home Aktualitet Sër Aleks: Ja si menaxhohet Mançester Junajtid

Sër Aleks: Ja si menaxhohet Mançester Junajtid

257
0

Sër Aleksi si menaxhohet manchester unitedSër Aleks rrefen sekretet e punës së tij me Mançester Junajtid. Përpara ditëlindjes së 71-të, Në 26 vite në “Old Trafford” askush nuk ka pasur shansin të dëgjojë

Nuk e bën për ndonjë gazetë apo televizion, por përpara studentëve, në Universitetin e famshëm të Harvardit. Trajneri skocez ka ndihmuar “Harvard Business School” dhe profesorët Anita Elberse dhe Tom Daj që të hyjnë deri në detajet më të imëta të punës së tij, duke bërë studimin me titull: “Si menaxhohet Mançester Junajtid”. Sër Aleks tregon se si i menaxhon lojtarët, ritualin e përditshëm të stërvitjes, taktikat, si ruan ekuilibrat në dhomat e zhveshjes dhe gabimet.

 Diktaturë e milionerëve – “Ne i gjobisim lojtarët, por e mbajmë të fshehtë. Nuk mund të humbasim kontrollin dhe ta marrë vesh media. Kjo s’mund të ndodhë kur ke të bësh me 30 lojtarë profesionistë, të cilët janë të gjithë milionerë. Dhe nëse dikush del nga kontrolli im, atëherë ai është i vdekur.

Motivimi i lojtarëve – “Në stërvitje nuk ka vend për kritika. Për një lojtar dhe për çdo qenie njerëzore nuk ka gjë më të bukur se sa të dëgjojë fjalët ‘të lumtë’. Këto janë dy fjalët më të bukura që janë shpikur në sport. Nuk është nevoja të përdorësh superlativa”.

Talente & veteranë – “Mendimi i parë që u kalon nëpër mend 99% të trajnerëve të rinj është si të fitojnë dhe mbijetojnë. Blejnë lojtarë me eksperiencë, shpesh nga ish-klubet e tyre. Megjithatë, e rëndësishme është që trajneri të mos ndërtojë vetëm një ekip futbolli, por një klub futbolli. Duhet një themel dhe nuk ka asgjë më të bukur sesa të shohësh një lojtar të ri të kapërcejë në ekipin e parë. Është gjëja më e vështirë kur një lojtar i shkëlqyer largohet, por prova e tij është fusha. Nëse nuk jep dot më shumë, atëherë duhet të pyesësh veten se çfarë do të ndodhë me të pas dy vitesh, dhe merr vendimin e duhur”.

Lojtarët agresivë – “Një prej lojtarëve të mi është ulur në stol shumë herë. Ai do të bënte të pamundurën për ta fituar shansin e tij të titullarit edhe në stërvitje. A mund ta zëvendësoj sërish? Jo. A kam dëshirë ta zëvendësoj sërish? Sigurisht që jo. Po të përpiqesh t’i shuash agresivitetin, ai nuk është vetvetja. Prandaj duhet ta pranosh se mes karakterit të tij dhe gjërave të mrekullueshme që mund të bëjë në fushë ka një balancë”.

Talenti dhe puna – “Lojtarëve të mi unë u them se puna impenjative është një lloj talenti në vetvete. Duhet të punojnë më fort se çdokush tjetër. Dhe nëse nuk e ruajnë dot disiplinën që kërkohet në një klub si Junajtid, atëherë ne i japim duart. Unë jam i interesuar vetëm për lojtarë që dëshirojnë të luajnë me të vërtetë për Junajtid dhe ashtu si unë, janë humbës të këqij”.

Pushteti i lojtarit – “Disa klube angleze kanë ndërruar trajnerët aq shpesh, sa kanë krijuar klane pushtetesh të lojtarëve në dhomat e zhveshjes. Kjo është shumë e rrezikshme. Menaxhimi i futbollit në fund të fundit ka lidhje me lojtarët. Ti mendon se je një lojtar më i mirë se ta, ndërsa ata mendojnë të kundërtën, se janë trajnerë më të mirë se ty”.

Në pushim – “Që nga momenti kur skuadra hyn në tunel dhe arbitri lajmëron ridaljen në fushë janë 8 minuta. Prandaj është e rëndësishme ta përdorësh kohën me efektivitet. Gjithçka është shumë e lehtë kur je duke fituar. U flet lojtarëve se si të ruajnë përqendrimin dhe t’i ruhen vetëkënaqësisë. Por, kur je duke humbur, ndryshon puna. Duhet të thuash diçka që të ketë impakt. Në minutat e fundit të pjesës së parë mendoj gjithnjë se çfarë do t’u them në dhomat e zhveshjes. Shoh trajnerë të tjerë që marrin shënime, por unë nuk dua të humbas asnjë sekondë të ndeshjes. Nuk e imagjinoj dot të shkoj në dhomat e zhveshjes dhe t’u them lojtarëve me sytë nga shënimet: ‘Oh shiko, në minutën e 30-të ai pasimi yt…’. Kjo nuk u pëlqen lojtarëve dhe nuk do ndikonte pozitivisht”.

Zgjedhja e 11-shes – “Nuk e tregojmë kurrë skuadrën deri në ditën e ndeshjes, sepse mendojmë për mediet dhe menaxherët e lojtarëve. Detyra ime është t’i jap skuadrës shanset më të mira për ta fituar ndeshjen. Përse duhet t’i lejojmë ekipit kundërshtar të mësojë emrat e lojtarëve që do të zbresim në fushë? Kur luajmë në orën 16:00, e publikojmë formacionin në orën 14:00”.

Taktikat – “Taktikat ndryshojnë në varësi të kundërshtarit që kemi përballë. Zakonisht përpiqem të fokusohem te një apo dy lojtarët më të fortë të kundërshtarit. Kush është ai që ekzekuton goditjet e dënimit? Kush është lojtari që mban topin gjatë gjithë kohës? Pjesën tjetër të kohës e shpenzoj duke menduar për skuadrën time. Kur luajmë të dielën, të premten bëjmë një video-analizë të rivalëve për të parë pikat e forta, të dobëta etj. Të shtunën bëjmë një tjetër analizë më të shkurtër të asaj që analizuam ditën e premte”.

Uljet në stol – “E bëj në mënyrë private. Nuk është e lehtë, e di. Edhe vetë më kanë ulur në stol në një finale kupe në Skoci dhe e di si ndihet një lojtar. Nuk jam i sigurt çfarë mendojnë lojtarët, por unë u them: ‘Shiko, ndoshta po bëj ndonjë gabim këtu, por kjo është skuadra më e mirë për sot’. Përpiqem t’i jap besim duke u thënë se është thjesht një zgjedhje taktike dhe të tjera ndeshje na presin”.