Serbia do të jetë e gatshme për t`u anëtarësuar në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2015, por së pari duhet një zgjidhje “kreative“për Kosovën.
Kështu është shprehur zëvendëskryeministri serb, Bozhidar Gjeliç, në një intervistë për “EurActiv”.
Ai, madje, e përmendi “modelin e Hong-Kongut” si një mënyrë për të zgjidhur çështjen.
Ndërsa përparimi i progresit të Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet nga aftësia e saj për të zgjidhur problemet e saj me fqinjët e vet, Gjeliç tha se ai do të kërkojë një kompromis “kreativ” për kontestimin që Serbia i bën pavarësisë së Kosovës.
Kur u pyet rreth kuptimit “të kreativitetit” në kontekstin e gjetjes së një zgjidhjeje, Gjeliç përmendi modelin e dy Gjermanive nga viti 1972 dhe “modelin e Hong-Kongut”.
Sistemi i “dy Gjermanive” i lejoi Gjermanisë Perëndimore që të mos e njohë Gjermaninë komuniste Lindore derisa njëkohësisht mbante lidhje me atë shtet dhe madje edhe kishte themeluar një ministri të ngarkuar me lidhjet ndërgjermane, rikujton “EurActiv”.
“Një kompromis i tillë do të garantonte autonominë ekonomike dhe politike të Kosovës pa e rrezikuar integritetin territorial të Serbisë”, tha Gjeliç.
“Nuk mund të keni paqe afatgjate nëse e përkrahni njërin nacionalizëm përballë tjetrit. Është shumë më mirë që të përkrahet një lloj evropian i kompromisit që është i pakënaqshëm por funksional”, tha ai.
Gjeliç shtoi se Serbia është tashmë e gatshme të hyjë në dialog me Kosovën në lidhje me çështjet e përditshme, si për targat e automjeteve deri te vulat e doganave.
Bisedimet e para të drejtpërdrejta mes Kosovës dhe Serbisë kanë nisur këtë javë, më 8 mars, nën mbikëqyrjen e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton.
Megjithatë, në intervistë për “EurActiv”, Gjeliç nuk dëshiroi të fliste në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Serbia nuk duhet të detyrohet të zgjidhë mes Evropës dhe Kosovës”, tha ai.
Kuçi: Dialogu, mbi bazë reciprociteti
Pala kosovare në dialogun me Serbinë mund të kërkojë për jugun e Serbisë atë që pala serbe mund të kërkojë për veriun e Kosovës.
Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri kosovar, Hajredin Kuçi, duke iu referuar faktit se në jug të Serbisë ndodhen tre komuna të banuara me shqiptarë.
Megjithatë, në një intervistë për të përditshmen “Koha Ditore”, Kuçi ka theksuar se pala kosovare në këtë proces do të insistojë mbi parimin e reciprocitetit.
“Ne nuk kemi vendosur ende për një temë të tillë, por në momentin që mund të krijohet një balancë mes dy shteteve, atëherë mund të jetë temë edhe pozita reciproke e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe e shqiptarëve që jetojnë në Serbi”, ka pohuar Kuçi.