Home Aktualitet Sherri po mban peng Shqipërinë

Sherri po mban peng Shqipërinë

324
0

Duke kërkuar kompromisin Qeveri-Opozitë, politikanët ndërkombëtarë dhe vendas pranojnë ekzistencën e krizës politike. Kriza politike nuk është zgjidhur në të vërtetë as me ultimatume, as me dialog, as me rezoluta. E kemi quajtur ngërç politik duke mohuar ekzistencën e krizës, në të vërtetë ajo ekziston dhe vazhdon të bëhet pengesë serioze për proceset demokratike dhe integruese të vendit. Pavarësisht se opozita është në Parlament, Europa kërkon konsensusin e saj për miratimin e ligjeve të rëndësishme që kërkojnë shumicë të cilësuar. Sa për ilustrim, po përmendim mbledhjen e djeshme të KLD-së. Duhet kompromis, tha dje edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sepse mungesa e konsensusit politik ka bllokuar Gjykatën Administrative. Por opozita, nëpërmjet kreut të selisë rozë, Edi Rama, këmbënguli dje sërish për transparencën e zgjedhjeve të vitit të kaluar. Përndryshe, do të ketë protesta sërish, paralajmëroi Rama i sapokthyer nga një mbledhje e Internacionales Socialiste në Shtetet e Bashkuara. Një deklaratë e krerëve të PPE-së ishte mjaft e rreptë me opozitën shqiptare për qëndrimin refuzues të saj, por nga ana tjetër i kërkonte Partisë Socialiste të qëndrojë në Parlament dhe të luajë rolin që i takon. Pra I kërkonte kompromis. Më i drejtpërdrejtë ishte Jozef Daul, në përfundim të vizitës në Tiranë. Kryetari i grupit të PPE në Parlamentin Europian tha dje se Rama e Berisha të bëjnë kompromis, siç bëri PE për Shqipërinë. Mirëpo kompromisi i arritur nga të majtët dhe të djathtët në PE nuk ngjiti dhe nuk u pranua nga politikanët tanë. Vetë zyrtarët më të lartë europianë deklaruan dështimin e tyre në përpjekjet për zgjidhjen e krizës shqiptare. Ndaj me këto thirrje pas dështimit të draft-marrëveshjes së PE për zgjidhjen e krizës shqiptare, ndërkombëtarët dhe posaçërisht drejtuesit e PPE-së duket sikur luten për kompromis, por në të vërtetë nuk besojnë në arritjen e tij. Ata thjesht bëjnë detyrën e tyre duke bërë deklarata, pasi e shohin se palët në Shqipëri vazhdojnë me kokëfortësi në të tyren. Në të vërtetë jemi në shtratin normal të poltikës sonë, pasi në jemi mësuar me këtë klimë mosmarrëveshjes midis politikanëve tanë. Ndaj, kokëfortësia e tyre për të vazhduar kështu edhe më tutje, më shumë se ne duhet të shqetësojë partnerët ndërkombëtarë, sepse duket paradoksale që ata të na pranojnë me gjithë këto cene dhe me një demokraci të gjymtë. /Gazetatelegraf/