Home Aktualitet Shkaqet e vdekjes së poetit Ali Podrimja (Update)

Shkaqet e vdekjes së poetit Ali Podrimja (Update)

547
0

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes Ambasadës së Kosovës në Francë, është në kontakte të vazhdueshme me autoritetet franceze për kryerjen e procedurave mjeko-ligjore dhe përgatitjes për kthimin në atdhe të trupit të pajetë të poetit kosovar, Ali Podrimja. Autoritetet franceze po zhvillojnë të gjitha procedurat e parapara ligjore dhe brenda pak ditëve pritet të dalin me raportin mjeko-ligjor për rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Nga të dhënat e deritashme, dihet se trupi i poetit Podrimja është gjetur në një pyll në anën perëndimore të qytetit Lodeve diku rreth 4 kilometra në vijë ajrore nga qendra e qytetit Lodeve. Trupi i poetit ndodhej rreth dy metra afër një rrjedhe të ujit dhe në trupin e tij nuk kishte asnjë shenjë dhune. Aktualisht trupi i poetit ndodhet në Klinikën e Mjekësisë-Ligjore në Montpellier, kurse gjatë 2-3 ditëve në vijim do të kryhet procedura e autopsisë, për të analizuar hollësisht shkaqet e vdekjes. Pas përfundimit të autopsisë, gjykatësi hetues duhet të vendos për lejen për transportimin e trupit për riatdhesim.
Autoritetet lokale të qytetit Lodeve, ku po zhvillohej festivali i poezisë “Zërat e Mesdheut”, nën organizimin e Kryetares se Komunës Marie -Christine Bousquet, mesditën e sotme kanë zhvilluar një tubim përkujtimor për nder të poetit Ali Podrimja.
22 korrik 2012

UPDATE

Trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja mbërrin të enjten paradite në Kosovë. Raporti mjekoligjor i kryer nga autoritetet franceze thekson se mbi të nuk është ushtruar dhunë. Supozohet se akademik Podrimja nuk ka bërë vetëvrasje, por duke humbur orientimin në pyll, ka vdekur si pasojë e dehidratimit.

 

Poetin e madh kosovar, Ali Podrimja, nuk e ka vrarë askush.

E, as nuk ka bërë vetëvrasje.

Vdekja dyshohet të jetë si pasojë e dehidratimit.

Kështu i kanë thënë të martën gazetës Express, burime të afërta me rastin.

Tashmë autoritetet franceze vetëm se kanë përfunduar procesin e obduksionit të trupit të pajetë të poetit.

Sipas rezultateve, mbi trupin e tij nuk janë vërejtur shenja dhune apo sulmi.

Autoritetet franceze supozojnë se vdekja Podrimes i është shkaktuar nga dehidratimi.

Express ka mësuar se raporti i autopsisë nuk pritet të mbërrijë në Kosovë edhe për dy javë, për shkak të procedurave ligjore që duhen zbatuar.

Por në të njëjtën kohë, trupi i pajetë i poetit nuk do të presë kaq gjatë që të varroset në vendlindjen që e deshi aq shumë, e për të cilën shkroi aq shumë poezi