Home Aktualitet Shkodra, aty ku varkat punojnë si taksi

Shkodra, aty ku varkat punojnë si taksi

294
0

Shkodra kaloi një tjetër ditë nën ujë, ku një pjesë e mirë e qytetit, kryesisht në periferi, por dhe komunat e tjera rreth saj, kanë qenë nën ujë.

Brenda 24 orëve, Liqeni i Shkodrës ka avancuar në tokë me rreth 300 metra si pasojë e fryrjes duke e bërë situatën edhe më dramatike.

Shkodra po kalon ditët më të këqija të historisë së saj. Një pjesë e mirë e qytetit është paralizuar tërësisht nga ujërat.

Lagjet e përmbytura në qytetin e Shkodrës janë në emergjencë humanitare.

Ende nuk ka ndonje llogaritje të dëmeve, po në qytet ato janë të shumta.

Rreshjet ndërkaq vazhdojnë dhe për këtë shkak, prurjet në hidrocentrale mbi kaskadën e Drinit janë shtuar së tepërmi duke e çuar nivelin e ujit në Vaun e Dejës pranë atij maksimal.

Situata ka detyruar shkarkime të vazhdueshme nga liqenet e hidrocentraleve.

Burimi i sasisë së madhe të ujit që po vërshon në Shkodër është hidrocentrali i Fierzës, portat e të cilit janë hapur që prej së mërkurës.

Hapja e portave nga ana e drejtuesve të KESH-it është bërë për shkak të rritjes së madhe të nivelit të ujit në digën e ujëmbledhësit të Fierzës.

Me mijëra familje janë bllokuar në katet e larta të pallateve pa energji elektrike dhe në mungesë të mjeteve elementare të jetesës.

Për t’u furnizuar, ata duhet të lëvizin me këto varka, të cilat i kanë kthyer rrugët dhe rrugicat në një Venecia.

Dëmtimet në banesat e zonës së Tophanës dhe Xhabijes, ndërkohë uji është afruar në zonën e quajtur ‘Pesëkatëshi me urë’.

Banoret e zonës duket se shqetësimin më të madh kanë sigurimin e mjeteve për të jetuar.

Mëngjesin e sotëm pranë dyqaneve dhe magazinave që ndodhen në zonen e përmbytur janë vendosur policë për t’i ruajtur.

Frika e grabitjeve për shkak të kushteve të këqija është evidente, ndërkohë që për shumë familje apo persona që e kanë të pamundur të kalojnë ujërat që kanë krijuar shumë thellësi, situata është akoma më e keqe.

Dyqanet dhe magazinat në hyrje të qytetit janë braktisur dhe janë marrë nën ruajtje nga policia.

Ndërkohë, janë me dhjetëra automjete që kanë mbetur në rrugë nën ujë.

Në një vend është krijuar një port i vogël, dhjetëra varka të vëna në dispozicion nga ushtria bëjnë transportimin e njerëzve dhe mallrave, ndërkohë edhe banorët që kanë varka në pronësi kanë nisur të punojnë si taksi.

Shumë njerëz presin në këtë port të improvizuar për të shkuar drejt banesave të tyre pasi kane marre furnizime

Shqiptari.net

1 COMMENT