Home Aktualitet Shqipëria në flakë, Gjiri i Lalëzit, Ndroq, Mirditë, Peqin …

Shqipëria në flakë, Gjiri i Lalëzit, Ndroq, Mirditë, Peqin …

391
0

Flakët pushtojnë territorin e vendit, nga jugu në veri vatra të shumta zjarri. Një tjetër zjarr ka rënë gjatë orëve të mbrëmjes në fshatin Shën Pjetër, tek Gjiri i Lalzit në Durrës.

Flakët kanë përfshirë zonën kodrinore të fshatit, ndërsa bëhet fjalë për disa vatra masive zjarri.

Rrezikshmëria e zjarrit është tepër e madhe pasi sic raportojnë banorët, flakët janë vetëm 150 metra larg banesave, ndërsa favorizohen edhe nga era. Zjarrfikësit e mbërritur në vendngjarje e kanë të vështirë të ndërhyjnë për shkak të terrenit të vështirë.

Nënprefekti i Mirditës Gjon Pjetri ka deklaruar se situata në fshatin Kthellë e Epërme është e vështirë, pasi 3 banesa rrezikohen të digjen. Sipas tij tashmë ka ndërhyrë zjarrfikësja dhe banorë të fshatit, por zjarri favorizohet nga era e fortë.
“Duhet ndërhyrje nga ajri, por është e pamundur natën”, thotë ai.

Ndërsa kreu i zjarrfikësve Dilaver Laçi sqaron se tashmë, “Janë evakuuar fëmijët dhe të moshuarit e banesave të rrezikuara”.

Zjarri ne Mirdite
Një vatër zjarri është regjistruar në komunën Kthellë e Epërme në Mirditë, ku situata duket tepër problamatike, pasi flakët i janë afruar banesave.
Sipas drejtorit të policisë së mbrojtjes nga zjarret për Qarkun Lezhë, Zef Frani, zjarrfikësit janë nisur që në orën 13:30, drejt kësaj komune të thellë dhe kanë mbërritur në orën 21:00, ndërkohë që atje flakët bëhen kërcënuese për banesat.

Ai sqaron se deri më tani ka marrë flakë “ një sipërfaqe me pisha”. Bëhet me dije se zjarri është vetëm 200 metra larg banesave.

Zjarri në Peqin
Një zjarr i përmasave të mëdha ka nisur sot rreth orës 16:00 në fshatin Kosën të Peqinit. Raportohet se deri më tani zjarri ka djegur rreth 5 hektar shkurre, ndërsa rrezikohet edhe kurora e gjelbër me ullishte.

Në vendngjarje, forcat zjarrfikësve kanë ndërhyrë për të shuar flakët, ndërsa deklarojnë se e kanë nën kontroll. Në ndihmë ju kanë ardhur edhe banorët e zonës, të cilët me mjete rrethanore kanë tentuar të shuajnë flakët. Sipas zjarrfikësve, dyshohet se zjarri është i qëllimshëm.

Zjarri në Radhimë
Po sot rreth mesdites një tjetër zjarr i qëllimshëm dyshohet të jetë vënë në ullishtet e Radhimës, zonë kjo afër plazhit, duke përhapur panik tek pushuesit. Edhe atje kanë ndërhyrë zjarrfikësit për të vënë nën kontroll situatën.

Zjarri në Ndroq
Një tjetër zjarr është regjistruar sot në Ndroq. Disa vatra zjarri kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme në një kodër rreth fshatit Ndroq, në afërsi të Tiranës, ndërsa skuadrat e zjarrfikësve po mundohen për shuarjen e tyre. Sipas informacioneve paraprake, zjarrfikësit po mundohen të ulin përparimin e flakëve, por po hasin vështirësi në terren. Pavarësisht nga sipërfaqja e zënë nga flakët, nuk ka dëme në njerëz apo dhe materiale.
(ma.ar/BalkanWeb)