Emigrantët shqiptarë në Greqi tashme janë vendosur në një pozitë tepër të vështirë, sepse duhet të zgjedhin nënshtetësinë e tyre.
Shqiptarët në Greqi duhet të zgjedhin tashmë, nëse do të bëhen grekë, apo do të mbeten shqiptarë, por në asnjë mënyrë të dyja.
Disa ditë më parë Parlamenti grek miratoi një ligj të ri për sa i përket shtetësisë. Për të gjithë emigrantët shqiptarë, të cilët kanë shtetësinë si greke, por dhe shqiptare, duhet të zgjedhin midis njërës dhe tjetrës. Duket se ligji është marrë me shumë seriozitet nga autoritet vendase, madje po bëhen abuzime duke u kërkuar emigrantëve shqiptarë, që nëse duan të rinovojnë lejen e qëndrimit, duhet të zgjedhin shtetësinë greke. Sipas autoriteteve, zgjedhja e shtetësisë greke do t’u lehtësonte atyre shumë punë, madje nuk do t’u duhet të kryejnë as ushtrinë që është dhe kusht kryesor për t’u bërë grek. Këtë lajm e kanë konfirmuar vetë emigrantët shqiptarë në Athinë, që nën zë kanë deklaruar për disa media lokale se u është vënë si kusht që të zgjedhin shtetësinë greke, pasi vetëm kështu mund të lehtësonin punën e tyre. Ngjarjet ende nuk janë konfirmuar nga ana e autoriteteve greke, por janë mëse të besueshme kur dihen interesat e vjetra që ka Greqia ndaj Shqipërisë.
Shtetësia
Problemi lidhur me shtetësinë është i gjatë, pasi dy vite më parë Greqia ka miratuar një ligj, që e ka bërë më të lehtë për të marrë shtetësinë greke nga ana e emigrantëve. Ky ligj e ka lehtësuar si procedurën, por dhe afatet. Deri tani të dhënat tregojnë që shumë emigrantë shqiptarë, që i kanë plotësuar kushtet, kanë vendosur që të marrin shtetësinë greke, por ndërkohë kanë mbajtur dhe shtetësinë shqiptare, pasi ligji ua lejonte. Ndryshimet e fundit do t’i vendosin emigrantët përballë një dileme midis dy shtetësive, por për të gjithë ata “patriotë”, të cilët do të zgjedhin vetëm shtetësinë shqiptare, pritet të ketë problem për rinovimin e lejes së qëndrimit. Gjithashtu, në ditët e ardhshme pritet të miratohet një tjetër ligj për sa i përket marrjes së lejeve të qëndrimit që do të bëjë dyfishimin e tarifës bazë për emigrantët dhe në ligj pritet që të parashikohet që për “ata që do të mbajnë shtetësinë greke” do të pajisen direkt me një dokument tjetër dhe nuk do të kenë nevojë për të paguar ndonjë tarifë.
Emigrantët
Sipas shifrave zyrtare, në Greqi ka rreth 500 mijë emigrantë, por organizata e emigrantëve shqiptarë parashikon që ky numër është më i madh, dhe se 500 mijë janë vetëm në Athinë. Numri i emigrantëve që do të zgjedhin shtetësinë greke, është i lartë ku të dhënat tregojnë se ka patur me dhjetëra raste ditët e fundit që shqiptarët kanë zgjedhur shtetësinë greke dhe kanë lënë atë shqiptare. Pavarësisht se disa shqiptarë do ta lenë shtetësinë, përsëri ka një numër të lartë që janë kundër këtyre rregullave të rrepta dhe i përshkruajnë ato si detyrim për t’u bërë grek. Vetë emigrantët nuk kanë dashur të prononcohen, por kanë theksuar se leja e qëndrimit po u bëhet një makth duke filluar që me rritjen e pagesës dhe deri te shtetësia, në një kohë kur Greqia nuk ka më vende pune për grekët dhe jo më për shqiptarët. Përveç emigrantëve shqiptarë janë edhe ekstremistët grekë, të cilët kundërshtojnë politikën greke lidhur me shtetësinë që po u jep emigrantëve.