Kërkesat për punë janë të lehta për t’u shkruar, por të vështira për t’u perfeksionuar. Ashtu si çdo reklamë, kërkesat për punë duhet të jenë të thjeshta, informative dhe bindëse në mënyrë që të japin ndikimin e duhur te punëkërkuesit. Objektivi kryesor i një njoftimi pune është i njëjtë me atë të një reklame, mesazhi që po transmetoni duhet të bindë njerëzit.
Një kërkesë e mirë me shkrim duhet të shprehet qartë, në mënyrë që të tërheqë kandidatin e dëshiruar. Përshkrimi i punës duhet të jetë i hapur që të aplikojnë mjaftueshëm kandidatë për pozicionin e ofruar. Gjetja e balancës së përkryer mes kërkesave për pozicionin dhe fleksibilitetin është aspekti më i rëndësishëm për të krijuar një kërkesë me shkrim.
Njihuni me audiencën
Për të gjetur kandidatët e duhur, së pari duhet të dini se çfarë aftësish po kërkoni. Duhet të vini veten në pozicionin që po ofroni, në mënyrë që të kuptoni se çfarë aftësish janë të rëndësishme dhe pse. Duhet ta tërhiqni kandidatin me origjinalitetin dhe njohuritë tuaja, kur ata të paraqiten për intervistë.
Njihni pikat e forta
Çdo kandidat ka arsyet personale pse po aplikon. Bazuar te mosha, përvoja, arsyet mund të jenë: dëshira për një titull prestigjioz, për të punuar në një kompani të njohur, për një pagë më të lartë etj. Ju si rekrutues duhet t’i dëgjoni kandidatët dhe të zbuloni se përse po aplikojnë, por përpara se të arrini te ky hap, njoftimi për një pozicion pune duhet të përmbajë sa më shumë pika të forta shitjeje që të jetë e mundur por pa i zbuluar të gjitha kartat tuaja. Në mënyrë që ju të tërhiqni talentet më të mira, kërkesa me shkrim duhet të lexohet si një dokument marketingu. Mahnitini ata me mundësi të mëdha dhe lërini pa fjalë kur i informoni për detaje shtesë në telefon. Përqendrohuni te pozicioni i punës që po ofroni si të ishte më tepër i lidhur me tipin e individit që ju po kërkoni të punësoni.
Përfshini kërkesa reale
Kërkesa për edukimin e duhur dhe për eksperiencë duhet të funksionojë si një filtër paraprak për të kualifikuar talentet e duhura. Është më mirë të jeni fleksibël dhe të mos besoni shumë te detajet. Ju kurrë nuk do të gjeni një kandidat i cili do të përputhet saktësisht me specifikat tuaja. Specifikimi i kërkesave arsimore mund t’i bindë kandidatët e kualifikuar të mos aplikojnë. Për shembull, nëse ju listoni kërkesën për master si një bonus për t’u kualifikuar, shumë kandidatë do të supozojnë se vendi i punës do të fitohet nga një kandidat, i cili i ka kryer studimet pasuniversitare. Nuk ka problem nëse shkruani kualifikime arsimore dhe eksperiencë pune, por kini parasysh që të jeni i bindur në atë që po kërkoni.
Mos përdorni klishe
Ju po kërkoni për një “njeri punëtor i cili jep rezultate”. Harrojini këto fraza dhe fokusohuni tek aftësitë për të cilat ju vërtet keni nevojë. Nëse po kërkoni aftësi të veçanta, atëherë përshkruajini. Rivlerësoni stafin aktual dhe vendosni se cilët janë punonjësit më të suksesshëm. A janë ata me të vërtetë punëtorë apo kanë cilësi dhe mund të përshtaten në një departament plot me personalitete unike (të veçanta)? Ju nuk mund të kërkoni aftësi të jashtëzakonshme, mund ta përshtasni vendin e punës me tipin e individit që kërkoni të punësoni.
Postoni në vendet përkatëse
Postimi i kërkesës suaj nëpër faqet e zakonshme të punës dhe në rrjetet sociale të medias nuk është një strategji rekrutimi efektive. Kërkoni për faqe karriere për profesione specifike. “Peshkoni atje ku peshqit ndodhen”, thotë një fjalë e urtë. Më pas sigurohuni të masni rezultatet e pozicionit që keni postuar, ekzaminoni rezultatet e përpjekjeve tuaja, mund të ndodhë që kostoja të jetë më e lartë se përfitimi.
Në fund kuptoni që të shkruash një kërkesë me shkrim për një pozicion pune nuk është si të shpikësh raketën. Përpiquni ta poziciononi veten në vendin e kandidatit, kur të intervistoni kandidatët sigurohuni që t’i pyesni për arsyen pse ata kandiduan. A kishin thjesht nevojë për një punë apo i tërhoqi veçanërisht një fjali e juaja në postimin e punës? Duke ekzaminuar suksesin, mund të zhvilloni praktikat më të mira.