Si te gatuajme Tave balte (Tave dheu) – Receta gatimi per Tave balte – Perbersit e taves se baltes
Tava e baltës është një pjatë tradicionale e Shqipërisë së mesme.
Mishi i pjekur në tavë prej balte merr një shije e një aromë të mrekullueshme qe te ben ta shijosh deri ne kafshaten e fundit.
Më poshtë do të gjeni recetën e kësaj pjate të shijshme.
Përbërësit për Tavë balte
500 g mish viçi
1 kg qepë
4-5thelpinj hudhre
1/2 speci
pak vaj ulliri
2-3 domate të kuqe
pak kripë, piper
2 gjethe dafine
pak kanellë (sipas dëshirës)
1-2 lugë gjelle uthull
pak spec djegës
Përgatitja
Në një tigan të madh skuqim qepën e prerë në feta, shtojmë edhe specin e prerë hollë. I kapërdisim për disa minuta derisa qepa të jetë zbutur e të ketë marrë një ngjyrë të verdhë. Më pas shtojmë edhe mishin e prerë në copa. E trazojmë me ngadalë derisa të ketë marrë ngjyrë.
Hedhim mbi të uthullën dhe e lemë derisa ta thithë gjithë mishi.
Ndërkohë grijmë me rende domatet dhe i hedhim mbi mish. Shtojmë erëzat me radhë, hudhrën e grirë hollë, piperin, specin djegës, gjethet e dafinës, kanellën dhe kripën.
Mbulojmë enën me kapak dhe e lemë derisa domatja të jetë shkrirë komplet. Mishi do të jetë zbutur, (nëse shikojmë që mishi nuk është zier mirë mund të shtojmë pak brodo mishi dhe e lemë të ziejë akoma).
Më pas hedhim masën e përgatitur në tava balte të vogla.
Vendosim tavat në furrë të nxehur paraprakisht 250°C përreth 25 minuta. ( Do të ishte ideale nëse tavat do të piqeshin në furrë me dru, shija e tyre do të ishte e mrekullueshme).
I shërbejmë tavat të nxehta me bukë të thekur.