Home Lajme Sport Silagails: Te Tirana, për t’u bërë i famshëm

Silagails: Te Tirana, për t’u bërë i famshëm

273
0

Mbrojtësi letonez i bardhebluve, Artur Silagails, nga dita në ditë po kthehet në personazh në radhët e skuadrës së Tiranës. Ai iu bashkua kryeqytetasve në ditët e para të fazës përgatitore që u zhvillua në Pukë dhe erdhi me sugjerimin e Ervin Bulkut. Madje “Uku” doli garant për aftësitë e lojtarit dhe ia propozoi trajnerit Starova që ta përfshinte në planet e veta. U bënë afro 3 javë që shtatlarti Silagails është kontigjent i 24 herë kampionëve dhe deri më tani ai flet me përshtypjet më të mira për Tiranën, shokët e skuadrës dhe në veçanti miqësinë me shqiptarët. Por nuk mund t’i kalonte pa e vënë re edhe bukuria e vajzave shqiptare, për të cilat thotë se janë shumë të mira. “Kam ardhur në Shqipëri për t’u bërë i famshëm, aq më tepër që do të luaj në radhët e skuadrës më të mirë të kampionatit shqiptar që ka fituar shumë trofe, por ka edhe traditë. E di që do të jetë e vështirë, pasi në mbrojtje ku unë luaj ka shumë konkurrencë, aq më tepër që në gjirin e ekipit ka edhe lojtarë të kombëtares. Megjithatë, në asnjë vend nuk është fushë me lule dhe mua nuk më tremb konkurrenca. Këtu kam gjetur një skuadër me ambicie, por edhe një staf që punon shumë mirë jo vetëm fizikisht, por edhe teknikisht. Jam i bindur që nuk do të më mungojë asgjë në këtë drejtim,”- pohoi fillimisht mbrojtësi letonez, Silagails. Por të bën përshtypje fakti se letonezi është tepër popullor jo vetëm në stërvitje, por edhe në kafe kur del me shokët e skuadrës. Siç na thotë ai, nuk është thjesht rastësi, por i pëlqen miqësia me shqiptarët: “Këtu kam gjetur një mjedis shumë të mirë, më pëlqejnë shqiptarët, miqësia ime e ka zanafillën me Ervin Bulkun, ish-lojtarin e Tiranës dhe të kombëtares, është një djalë shumë i mirë si brenda edhe jashtë fushe. Kështu që edhe kohën e lirë e kaloj shumë mirë këtu në Tiranë. Dal për kafe, por frekuentoj edhe internetin. Por ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është bukuria e vajzave shqiptare. Janë shumë tërheqëse, – u shpreh me humor 23-vjeçari Artur Silagails. Tirana në javën e parë të garës do të jetë mysafire në Elbasan, aty ku do të shkojë për t’i bërë një nisje dinjitoze garës. Kur e pyesim Silagailsin për kampionatin që po troket, ai thotë: “Nuk i njoh ende ekipet shqiptare, megjithatë nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Shpresoj që ta kalojmë me sukses ndeshjen e parë.”

 

Te bardheblutë nis nënshkrimi i kontratave

Letonezi Artur Silagails duket se është i pari lojtar që është bërë zyrtarisht pjesë e skuadrës së Tiranës. Dje, në prani të noterit, ai ka nënshkruar me shefin e klubit, Dimraj, ndërkohë që në kontratat e reja do të jetë edhe firma e presidentit Refik Halili, firma e të cilit me sa duket do të hidhet sot.

 

Asnjë i federuar deri më tani

Drejtuesit bardheblu janë paksa të vonuar me procedurat e federimit të lojtarëve, edhe pse është bërë e modës që në kampionatin tonë federohen lojtarë edhe 24 orë para ndeshjes së parë. Nga sa bëhet e ditur nga burime pranë klubit, deri më tani nuk ka asnjë lojtar të federuar, edhe pse të dielën luhet java e parë.

 

Elbasani-Tirana luhet të dielën

Edhe pse ishte parashikuar që të zhvillohej ditën e shtunë, takimi mes Elbasanit dhe Tiranës bëhet e ditur se është shtyrë për një ditë. Kështu, përballja mes bardhebluve dhe verdhebluve do të zhvillohet ditën e diel në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”, në orën 17:30, një sfidë që ia vlen për t’u ndjekur.

 



http://www.sportishqiptar.com.al/silagails-te-tirana-per-tu-bere-i-famshem/