Është hedhur ideja që trofeu i “Këpucës së Artë” të këtij sezoni në Superiore dhe në të Parën të mos jepet fare. Për sa i përket shpërblimit financiar, ai është vendosur përfundimisht që të mos akordohet.
Gola fiktivë, mbrojtje inekzistente dhe portierë që thjesht qëndronin nëpër shtylla. Disa prej ndeshjeve të javës së fundit të Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë u shndërruan në një teatër të vërtetë. Jo vetëm për tolerime për sa i përket rezultatit, por pjesë e estradës u bënë golashënuesit. Trepikëshat shkëmbeheshin me gola të lënë për sulmuesit që luftonin për “Këpucën e Artë”. Por, duke parë atë që ndodhi javën e fundit, burime të sigurta pranë Federatës Shqiptare të Futbollit bëjnë të ditur se golat fiktivë do të kalojnë në Komisionin e Etikës, që është ngritur pranë institucionit të futbollit.
Vendimet Është hedhur ideja që trofeu i “Këpucës së Artë” të këtij sezoni në Superiore dhe në të Parën të mos jepet fare. Për sa i përket shpërblimit financiar, ai është vendosur përfundimisht që të mos akordohet. Kështu, Roland Dervishi, golashënuesi i Superiores që përfitonte 2 milionë lekë të vjetër shpërblim dhe Kreshnik Ivanaj i Burrelit që do të merrte 1 milion lekë të vjetër, nuk do të kenë mundësi që t’i shijojnë këto para. Por, përveç kësaj, me 99%, as trofeu që jepet çdo vit nuk do të akordohet. Në Kategorinë Superiore, Dervishi i Shkumbinit dhe Bakiu i Tomorit ishin në një “luftë të fortë” javën e fundit. I pari shënoi katër gola në Shkodër, ndërsa i dyti pesë në Fier. Në Kategorinë e Parë, “lufta” qesharake ishte mes Norës së Luftëtarit që shënoi katër ndaj Mamurrasit dhe Ivanajt të Burrelit që realizoi gjashtë gola ndaj Gramozit.
Çfarë ndodhi
Në javën e fundit të Superiores dhe të së Parës, disa prej ndeshjeve u luajtën thjesht për disa sulmues që të shënonin sa më shumë gola. Kështu, Dervishi i Shkumbinit realizoi 4 gola në barazimin 4-4 në Shkodër. Ndërsa konkurrenti i vet, Bakiu i Tomorit, realizoi gjashtë gola në Fier. Në të Parën, Ivanaj i Burrelit shënoi gjashtë ndaj Gramozit, ndërsa Nora i Luftëtarit, 4 me Mamurrasin.
BESAR BOZGO