Teksa po mbyllet edhe muaji qershor, në Peqin ka mbetur të flitet vetëm për Shkumbinin si nocion, pasi në kampin bardhekaltër nuk mund të flitet për asnjë lloj zhvillimi tjetër. Asgjë e përcaktuar për presidentin e ri, çka kufizon tërësisht edhe merkaton e këtij ekipi. Por, si të mos mjaftonte kjo, ende është pezull dhe jo e përcaktuar se cila do të jetë data e saktë në të cilën ky ekip do të nisë përgatitjet. Deri këtu ekipi i Shkumbinit ka bërë vetëm një… vendnumëro.
Sezoni i kaluar – Askush nuk mund të mendonte Shkumbinin në një ditë të keqe në sezonin e kaluar. Në krye të Shkumbinit u vu Ylli Ndroqi si president i ekipit, i cili nisi të bëjë një revolucion në shtëpinë bardhekaltër. Mirëpo jetëgjatësia e presidentit të kompanisë “Ylldon” nuk ishte e gjatë dhe në fund të muajit nëntor ka ardhur edhe largimi i tij nga ky post. Që nga ai moment e deri në fundin e kampionatit, ekipi i Shkumbinit ka patur një ecuri me shumë probleme. Aspekti financiar ka qenë “thembra e Akilit” për vazhdimësinë e kampionatit. Paçka se lojtarët janë paguar, pasiguria ka qenë në shkallën më të lartë. Në fund, si rallë here, ekipi i Shkumbinit e ka parë veten në zonën e play-out i rrezikuar si asnjëherë tjetër. Megjithatë ndeshja me Mamurrasin ka rezultuar pozitive për peqinasit, të cilët në fund të kampionatit kanë arritur objektivin minimal, qëndrimin në superligë. Fundi i kampionatit e ka gjetur sërish te elitarët Shkumbinin, që duhet pranuar se ishte “një zë i stonuar” këtë sezon.
Sezoni i ri – Duket se sezoni i ri, të paktën deri në këto momente, nuk ka asnjë progres nga ai që u mbyll një muaj më parë. Nëse të gjitha ekipet janë duke u konturuar dhe duke nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik, tek Shkumbini kaplon heshtje e plotë. Financat e munguara e kanë penalizuar çdo lloj zhvillimi në ekip, i cili siç duket, duhet të presë muajin tjetër për ndonjë ndryshim pozitiv. Ndërsa merkatoja e ekipit duket se deri në këto momente duhet të përgatisë largime të shumta, ndërsa për afrime as që mund të bëhet fjalë.
Pashja i gëzohet djalit
Një lajm i mirë vjen nga gjiri i lojtarëve të Shkumbinit. Mbrojtësi Pashja, një lider për shumë vite tek ekipi peqinas dhe kapiten i tij, është shtuar me një djalë. Për mbrojtësin e Shkumbinit, është fëmija i parë dhe një gëzim i veçantë.