Sulmohet me bojë rektori i Universitetit të Prishtinës Mujë Rugova. Ngjarja ka ndodhur në njërën prej sallave soleme të universitetit ndërsa rektori po mbante fjalën e rastin në 41 vjetorin e themelimit të Universitetit.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare të cilat theksojnë se aktivistë-studentë të Lëvizjes “Vetëvendosje” kanë hyrë brenda duke e gjuajtur me bojë të kuqe rektorin Mujë Rugova.
“Duhet të të vi turp për gjendjen që e keni sjell Universitetin” ka qenë thirrja e aktivistëve të cilët e kanë gjuajtur me ngjyrë, por pa i shkaktuar dëmtime rektorit Mujë Rugova. Më pas, disa aktivistë të saj janë larguar por janë rrahur jashtë objektit nga disa persona të panjohur.
Në përfundim të fjalës së tij, Rugova mori një përkrahje morale nga të pranishmit në sallë, ndërsa i falënderoi studentët që u kujdesën t’i japin ngjyrë të kuqe më shumë.
“Unë vesha sot rrobe të zeza me një kravatë të kuqe, faleminderit për studentet se nuk kisha vu mjaft ngjyrë të kuqe”, tha ai.
Pas pak minutash në Fakultetin e Filologjisë ku po mbahet ceremonia e shënimit të 41 vjetorit të UP-së erdhi policia, e cila i arrestoi dy aktivistët e Vetëvendosjes.