Kampionët përballë fituesve të Kupës së Mbretit. Sevilja pret Barçën për Superkupën e Spanjës
Lojtarët më të mirë të Barcelonës do të kenë sot rastin të lënë pas Kupën e Botës dhe miqësoren e së mërkurës, duke luajtur ndeshjen e parë zyrtare të sezonit të ri, që është Superkupa e Spanjës. Ndeshja e parë, duke qenë se ky trofe ka dy ndeshje në Spanjë, sistemin vajtje-ardhje. Kundërshtari është Sevilja. Barcelona, kampione e Spanjës, kërkon ta mbrojë këtë kurorë kundër fitueses së Kupës së Mbretit në përballjen e parë të madhe para fillimit të kampionatit. Tetë lojtarë të Barcelonës luajtën kundër Meksikës në miqësoren e së mërkurës, që përfundoi 1-1. David Vila, i cili kaloi nga Valencia te Barcelona këtë verë, ka pohuar se ishte i lodhur para ndeshjes së sotme, që do të luhet në stadiumin e Seviljes, “Sançez Pizjuan”. “Kisha shpresë që seanca ime e parë stërvitore do të ishte në rrethana të tjera”, ka thënë sulmuesi. “Jemi të lodhur nga udhëtimi, por jam i lumtur që po fillojmë sezonin.” Në një kohë kur te Barcelona janë të shumtë lojtarët që ndiejnë lodhje, trajneri Pep Guardiola pritet të aktivizojë disa lojtarë të akademisë së Barcelonës për këtë ndeshje. Njëri prej fatlumëve mund të jetë portieri Ruben Mino, i cili do të zëvendësojë Viktor Valdesin. Merkatoja e verës ende nuk është mbyllur dhe si Barcelona edhe Sevilja mund të pësojnë ndryshime deri në fillim të sezonit, që është nga fundi i muajit. Lajmet në mediat spanjolle thonë se sulmuesi Zllatan Ibrahimoviç i Barçës mund të transferohet te Mançester Siti, kurse mesfushori i Liverpulit, Havier Maskerano, te kampionët e Spanjës. Për Seviljen, sulmuesi Luis Fabiano është në bisedime të avancuara me Marsejën. Ndërkohë, për Adriano Korreian e Barcelonës ndeshja e sotme do të jetë rikthim në stadiumin që e la në fund të sezonit të shkuar. “Jam i kënaqur me kohën që kam kaluar te Sevilja dhe tani ndihem mirë që do të shkoj te ai stadium sërish”, ka thënë Korreia, i cili ka luajtur në mbrojtje dhe në mesfushë për skuadrën andaluziane. Lojtari brazilian ka thënë se nuk ishte i sigurt se në çfarë roli do të luante te Barça, nëse luan, por ishte i sigurt se Sevilja do të luante fort. “Sevilja nuk do të frikësohet. Ata janë të interesuar për këtë ndeshje sepse është finale, është shans për trofe.” Nëse Barça arrin të fitojë këtë trofe, do të ishte një rekord i ri, pasi do të ishte Superkupa e nëntë, një më shumë se Real Madridi. Ndeshja e kthimit do të jetë në Barcelonë më 21 gusht.
http://www.sportishqiptar.com.al/superkupa-ngre-siparin-e-sezonit-ne-spanje/