Tajson Gej mposht kampionin botëror dhe olimpik Usain Bolt pas 15 finaleve të garave të 100 m në Diamond League që po zhvillohet në Stokholm.
Dy nga njerëzit më të shpejtë të planetit u përballen në finalen e këtij evenimenti ku Gej kaloi finishin në kohën 9.84 sekonda, ndërkohë që Bolt u rendit pas tij me kohën 9.97 sekonda.
Pas kësaj fitoreje atleti amerikan u shpreh se rivali i tij Bolt nuk është në formën e tij më të mirë, por pavarësisht kësaj ka mbetur i kënaqur për këtë sukses.
Xhamajkani Bolt ka patur probleme me kaviljen në fillim të këtij viti dhe ende nuk ka arritur rikuperimin e tij të plotë, për këtë arsye është shprehur se ky nuk është viti i tij.
Nuk mori pjesë në finalen e 100 metrave ish-rekordmeni Asafa Pauell i cili ishte eliminuar në raundet paraardhëse për shkak të një dëmtimi.
Në tre hapsh atleti vendas Kristian Olson u rendit në vendin e dytë pasi vinte nga një dëmtim që e detyroi të tërhiqej nga kampionati europian javën e shkuar në Barcelonë.
Ish-kampioni botërorë dhe olimpik Olson kërceu 17.32 metra duke u renditur menjëherë pas francezit Tedi Tamgho që kërceu 17.36 metra.
Në kërcim së larti për femra kampionia Blanka Vlasic me vështirësi arriti të fitojë për të pestën herë finalen e Diamond Leagues me kërcimin 2.02 metra.
Pas saj u rendit amerikania Shonte Lou.
Ndërkohë në garën e 200 metrave për femra dominoi amerikania Elizon Feliks edhe pse ka qenë në mes të kritikave gjatë gjithë këtij evenimenti për paraqitjen jo shumë të mirë.
Menjëherë pas fitores Feliks u shpreh se kishte mundësi për të bërë një paraqitje edhe më të mirë se kaq.
Australiania Seli Pirson ka fituar garën finale të 100 metrave me pengesa.
Me kohën 12.57 sekonda fituesja e medaljes së argjendë në olimpiadën e pekinit, arriti të mund dy femrat më të shpejta në botë të kësaj kategorie, kanadezen Shlip dhe amerikanen Xhons që u renditën në vendin e dytë dhe të tretë.
http://shqiplajme.com/tajson-gej-mposht-usain-bolt/