Home Aktualitet Taksat, rekordi i zymtë i Shqipërisë

Taksat, rekordi i zymtë i Shqipërisë

288
0

Raporti i Bankës Botërore, “Paying Taxes”, mbi pagesën e taksave në botë, e rendit Shqipërinë jo dhe aq mirë krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Pavarësisht deklaratave të qeverisë për barrën fiskale më të ulët në rajon dhe shpejtimit të procedurave, lehtësia për të paguar taksat nuk është dhe aq e madhe, koha e shpenzuar paraqitet relativisht e gjatë dhe vëllimi që zënë taksat në total, krahasuar me të ardhurat është i lartë. Vendi mund të ketë bërë përparim, por në nivel krahasues mbetet mbrapa, duke rezultuar vendi me barrën fiskale më të lartë, nëse krahasohet me Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën

Taksat janë çmimi që paguajmë për qytetërimin. Këto janë fjalët me të cilat hapet raporti i Bankës Botërore “Paying Taxes 2011” – fjalë të thëna nga Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara në vitin 1904. Raporti në fjalë jep një vlerësim teknik për situatën dhe renditjen e vendeve të ndryshme në një numër treguesish që lidhen me pagesën e taksave.
Shqipëria ndërkohë mund të ketë realizuar një sërë reformash dhe hapa përpara, por në këtë renditje botërore, vendi nuk paraqitet fort mirë, edhe nëse krahasohet me fqinjët e Ballkanit Perëndimor.
Vende si Maqedonia, Mali i Zi, madje dhe shteti tepër i ri i Kosovës, shfaqen me tregues më pozitivë për shumicën e rasteve, duke dëshmuar se progresi tatimor shqiptar nuk është në nivelet e trumbetuara dhe se ende nevojiten një sërë reformash kyç për t’u konsoliduar në standardet mesatare të rajonit. Megjithatë, për Shqipërinë thuhet në raport se e ka bërë më të lehtë dhe më pak të kushtueshme, pagesën e taksave për kompanitë, duke amenduar disa ligje, duke ulur kontributet e sigurimeve shoqërore, si dhe duke ofruar mundësi të dorëzimit të dokumenteve dhe bërjes së pagesave në mënyrë elektronike. Por, këto reforma, duket se nuk e kanë ndihmuar shumë vendin për të arritur në mesataren rajonale.

Lehtësia për të paguar
Kështu, lehtësia për të paguar taksat, pavarësisht reformave të kryera në sistemin shqiptar të pagesave, e vendos Shqipërinë në vendin 149 në renditjen botërore, krahasuar me Kosovën në vendin e 41-të, Bosnjën në vendin 127, Maqedonia – 33 dhe Mali i Zi – 139.
Sipas këtij vlerësimi, “mbajtja e rregullave sa më të thjeshta dhe të qarta të jetë e mundur, pa dyshim që u vjen në ndihmë taksapaguesve. Sistemet e ndërlikuara të pagesës së taksave rrezikojnë të shkaktojnë evazion të lartë”. në raport vërehet se kostot e larta të pagesës së taksave shoqërohen me sektorë informalë, më shumë korrupsion dhe më pak investime. Ndërsa, ekonomitë me sisteme tatimore të ndërtuara mirë, janë në gjendje të ndihmojnë rritjen e biznesit dhe investimet e punësimin. Ky mund të mos jetë, rasti i Shqipërisë, për sa kohë vendi renditet poshtë në klasifikimin botëror – diçka pranë fundit të listës – për sa i përket lehtësisë së pagesës së taksave.

Frekuenca e pagesave
Treguesi tjetër, që lidhet me numrin e pagesave të kryera në një vit – ose sa herë duhet të paguhen taksat – e rendit vendin disi më mirë se treguesi paraardhës, duke ia kaluar Bosnjës dhe Malit të Zi, por duke mbetur pas Kosovës dhe Maqedonisë. Në këtë zë të renditjes, Shqipëria është në vendin 142, Kosova, 109, Bosnja 158, Maqedonia 130 dhe Mali i Zi 180. Numri i pagesave të kryera në harkun e një viti është një tregues që dëshmon për lehtësinë ose vështirësinë në pagimin e taksave. Sa më i ulët të jetë numri i pagesave për tatimpaguesit në një vit, aq edhe më e lehtë bëhet pagesave e detyrimeve tatimore ndaj shtetit. E kundërta ndodh për një numër të lartë pagesash.

Koha e shpenzuar
Ndërkaq, një tregues ku Shqipëria paraqitet jokonkurruese me Kosovën dhe Maqedoninë, vetëm disi më mirë se Mali i Zi, dhe duke ia kaluar vetëm Bosnjës, është koha e shpenzuar nga tatimpaguesit për të shlyer detyrimet e tyre ndaj shtetit. Në këtë tregues, vendi shënon renditjen 146, me një hendek të thellë me Kosovën, e cila renditet në nivelin 56 dhe Maqedoninë, në nivelin 26. Bosnja renditet në vendin 158, ndërsa Mali i Zi, në vendin 148. Megjithatë, krahasuar me disa vite më parë, Shqipëria ka bërë hapa para në këtë drejtim, duke evituar radhët e gjata të njerëzve para dyerve të zyrave tatimore. Por sërish, rruga e lehtësimit të procedurave dhe kohës së shpenzuar mbetet e gjatë.

Taksim i rënduar?
Një tregues shumë i rëndësishëm, që lidhet direkt me barrën fiskale është Norma Totale e Taksimit, e cila është një përllogaritje e cila vlerëson normën e barrës fiskale, sipas një metodologjie të caktuar, duke i renditur vendet e ndryshme në varësi të peshës së taksimit që ato kanë vendosur. Lidhur me këtë tregues, Shqipëria rezulton të ketë barrën fiskale më të lartë mes vendeve fqinje, me një hendek spektakolar nga vendet e tjera. Norma totale e taksimit e rendit Shqipërinë në vendin 92, Kosovën në vendin 13, Bosnjën në vendin 22, Malin e Zi në nivelin 31 dhe Maqedoninë e vendos numrin 5 në krye të renditjes botërore. Kjo do të thotë se jo vetëm që Shqipëria nuk është “vendi me taksat më të ulëta në rajon”, por rezulton me një barrë fiskale tepër të lartë, krahasuar me fqinjët.
Sipas raportit, mbajtja e taksave në nivele të arsyeshme është e rëndësishme për sa i përket sektorit privat dhe formalizimit të bizneseve. “Diçka e tillë është veçanërisht e rëndësishme për ndërmarrjet e vogla e të mesme, të cilat kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës dhe rritjes së të ardhurave”, thuhet në raport.

Novacioni teknologjik
Sipas raportit në fjalë, ofrimi i një opsioni elektronik për të dorëzuar deklaratat tatimore dhe për të kryer pagesat është një hap i rëndësishëm në eliminimin e burokracive të tepërta dhe të komunikimit me administratën tatimore. Diçka e tillë ofrohet nga 61 vende në botë, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kjo mundësi ul kohën e shpenzuar nga bizneset për të përmbushur detyrimet ndaj legjislacionit ligjor, si dhe në pagesën e taksave. Nga ana tjetër, diçka e tillë ul edhe kostot administrative për bizneset. Por, BB thekson se diçka e tillë bëhet e mundur vetëm përmes një zbatimi të efektshëm të këtyre platformave, duke vënë theksin te thjeshtësia e përdorimit dhe niveli i lartë i sigurisë.

Sukses me mbledhjen?
Nga ana tjetër qeveria shqiptare deklaroi së fundmi sukses në realizmin e mbledhjes së të ardhurave në masën 97.4%, krahasuar me dështimin e pushtetit vendor me vetëm 77 për qind. Sipas deklaratës së Ministrisë së Financave, të ardhurat buxhetore arritën në nivelin e 324 miliard lekë ose sa 97.4 % e programit të miratuar në buxhetin e muajit korrik 2010, duke realizuar 26 miliard lekë më shumë 9 % më shumë të ardhura krahasuar me vitin 2009.
Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, buxheti i pushtetit vendor ka pasur një performancë më negative, me një realizim prej 77 % të programit ose 2 % më pak se viti 2009. “Kjo evidenton edhe shqetësimin që kemi ngritur si administratë qendrore për një performancë jo të mjaftueshme nga buxhetet vendore në nxjerrjen e taksave dhe administrimin e tyre”, theksoi Bode.
Ndërkaq, buxheti i shtetit për vitin 2010 u rishikua në korrik të vitit që shkoi, sipas dinamikave më pesimiste se ai i miratuar paraprakisht. Ndërsa, “pushteti vendor”, që në fakt ndahet në një sërë bashkish e komunash të paorganizuara sipas një strukture të përbashkët ekzekutive si ajo e qeverisë qendrore, nuk patën mundësinë të kryejnë një rishikim publik të të ardhurave e shpenzimeve të parashikuara në mes të vitit financiar.
Nga ana tjetër, një tregues i rëndësishëm, tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) nuk është realizuar në krahasim me planin me rreth 8 miliardë lekë. Por, sipas ministrit të financave, ka treguar rritje në nivelin 3.4 për qind, krahasuar me një vit më parë, si dhe duke arsyetuar se diçka e tillë kishte ardhur edhe nga rritja e rimbursimit të TVSH-së për bizneset.

Taksa e sheshtë “kaput”?
Krahas zhvillimeve të mësipërme me tatimet shqiptare, këto ditë u paralajmërua edhe fundi i taksës së sheshtë dhe kthimi te sistemi progresiv. Kë të konfirmoi vetë Kryeministri i vendit, kur tha se qeveria do të rrisë tatimin mbi fitimin në disa sektorë të ekonomisë. Me ekzekutimin e kësaj nisme të re, do të vijë edhe sakrifikimi i taksës së sheshtë, e trumbetuar për një kohë të gjatë si fitore e madhe jo vetëm në drejtim të shëndoshjes ekonomike, por dhe në luftën “kundër ideologjisë bolshevike”, e cila sipas Kryeministrit materializohej më së miri me tatimin progresiv.
Tashmë vetë ai njoftoi se do të ketë tatim progresiv – pra bolshevik – kur tha në mënyrë eksplicite se do të ketë rritje të tatim-fitimit mbi disa sektorë. Vetë ministri i Financave nuk është se tha diçka të qartë mbi këtë çështje; pra nëse vendi po kthehet në tatimin progresiv, apo nëse taksa e sheshtë mund të quhet ende e tillë edhe kur nuk është më e tillë.
“Sigurisht që nuk janë tabu taksat dhe rishikimi i sistemit fiskal duhet të ketë dinamikën që ka ekonomia për të adresuar dhe për të zgjidhur problemet. Jo për të rritur taksat por për të zgjidhur problemet që lindin në segmente të caktuara të ekonomisë dhe për të tilla gjëra mund të ndërhyjmë”, tha ministri ndër të tjera. Në këtë pikë, i jepet lamtumira taksës së sheshtë, përmes rritjes së diferencuar të taksave në disa sektorë.