Home Lajme Sport Tani vjen e vërteta për trajnerin Kuzhe dhe kombëtaren kuqezi!

Tani vjen e vërteta për trajnerin Kuzhe dhe kombëtaren kuqezi!

292
0

Kualifikueset për Europianin 2012 e morën “bekimin” para disa muajsh në Poloni, njërin prej dy vendeve organizatore të finaleve të këtij eventi. Drejtuesit tanë, që yshten drejt kundërshtarëve “big”, që sigurojnë të ardhura financiare, delir për të tjerët, që me ne në grup llogarisin pikët dhe kualifikimin, një “mollë e ndaluar’ për kuqezinjtë. Gjithmonë, edhe kur sistemi komunist zhduku kisha e xhamia, për t’i hequr besimin një populli të tërë, pa e shndërruar kurrë atë “de facto” në ateist, nuk kemi qenë kaq shpresëpaktë, apo shpresëhumbur, që Shqipëria të jetë një ditë të afërt në finalet e një eventi madhor, si Europiani apo Botërori. Pavarësisht se në dekadën e fundit, jo pak trajnerë të huaj kanë ardhur e ikur, duke na premtuar herë Europianin dhe herë Botërorin. Fundi ka qenë i njëjtë, vendi i parafundit në grup, duke iu rikthyer ëndrrës dhjetëravjecare si Sizifë të martirizuar. Sic do të bëjmë sërish, për Europianin e radhës. Me besim se Zoti, jo mundësitë tona, do të na e sjellin një ditë nga qielli këtë “dhuratë”. E meqë jemi në kufijtë e një ëndrre të parealizuar, pse jo, ta quajmë të parealizueshme, kemi besuar dhe vijojmë ta imagjinojmë Zotin e futbollit si një burrë të vjetër, me mjekër kuqezi: të heshtur, të kujdesshëm, me sensin e besimit dhe respektit supersticioz. Një njeri i mirë, në dorë të të cilit (themi të fatit, në fakt) hera-herës qëndron një ndeshje futbolli, por edhe verdikti i një edicioni të tërë. Por, Zoti, dihet mirëfilli se nuk luan me fatin e askujt, aq sa të dhuron ndonjë ditë të paharrueshme dhe më pas të kthen me këmbë në tokë. Sepse aq e ke takatin. Aq meriton. Aq ke investuar. Pavarësisht se kemi ëndërruar aq shumë për të qenë në finalet e një Europiani apo Botërori, sa vijojmë të besojmë te Zoti edhe jashtë kornizave religjioze, duke e ekzagjëruar në gjithçka, në të mirë e në të keq. Sa t’i thuash kujtdo shqiptari sot, para fillimit të ndeshjeve kualifikuese të Euro 2012, se do të jemi pjesë e finaleve të Polonië dhe Ukrainës, është një gjë jo vetëm e pabesueshme përfundimisht, por edhe e mërzitshme. Ndonjë shembull? Tre edicionet e fundit kualifikues. Katër trajnerë të huaj, Brigel, Baric, Ari Han dhe aktuali, Josip Kuzhe. Tre të parët na kanë yshtur në ëndrrën “kualifikim”, teksa kanë shkelur për herë të parë në tokën shqiptare, ndërsa i fundit ka bërë premtimin e radhës. Katër personazhe me një president! Midis të shenjtës dhe profanes! Kuzhe, që sot ndihet shqiptar, që nuk kishte preferenca për kundërshtarët në grupin kualifikues, vetëm të mos përplasej me Kroacinë e tij, atje në Poloni, si pjesë përbërëse e delegacionit shqiptar në hedhjen e shortit, para sfidës së 3 shtatorit me Rumaninë në Bukuresht, me gjysmën e kombëtares pa ekip, sikur mban në dorë një shishe me ujë të bekuar. Dhe mendon: “Të lutem Zot, mos të kem fatin e shkjesit tim, Oto Baric në Bukuresht, të asaj humbjeje shkombëtarizuese në të vërtetë, 6-1. Që prodhoi “baltë pa fund”, me të drejtë apo jo kush e mori vesh, mbi kombëtaren kuqezi. Por jo; tigani në zjarr e peshku në det, thotë një fjalë e urtë. Këtu, Zoti kuqezi i futbollit “kënaqet” me realizimin e dëshirës shqiptare, që “peshkoi” në grup Francën, për të përfituar sa më shumë të ardhura nga e drejta televizive, ndërkohë që rezultatet teknike, parësore në cdo garë, sikur dalin në plan të dytë. Për të gjithë. Sic ka qenë gjithmonë, në fakt. Dhe kështu, duke luajtur me fatet e periudhës postshort dhe nga “rrota magjike” troket në derë Rumania. Çfarë tersi! E nisim pikërisht aty ku u gremis një nga premtimet e radhës, me trajnerë të huaj në krye, ndoshta më ekzaltuesja në performancë, “made in Oto Baric”, por që Bjellorusia dhe Rumania ia “nxorën bojën” brenda katër ditësh. Atëherë flitej për eliminatoret e “Euro 2008”, tashmë jemi para startit të eliminatoreve të “Euro 2012”. Motorrët e kombëtares janë ndezur. Të paktën teorikisht, kjo duhej të kishte ndodhur. Ndaj Uzbekistanit modest, i zgjedhur ndoshta qëllimisht si “aperitiv” për kuqezinjtë, kombëtarja e “lëshoi kushtrimin” me një fitore “silenaciator”. Nga ato të heshturat, që nuk të lënë as shije, as të mbeten gjatë në kujtesë. E megjithatë, fitore e merituar, si edhe të tjerat në epokën “Kuzhe”! Për të cilat thuhet se janëë meritë e grupit, por edhe e “trajnerit që kemi kërkuar prej kohësh”. Vecse, një gjë duket sheshit. Kombëtarja kuqezi nuk ka fantazi, nuk ka një lider. Lojtarët titullarë janë pa ekip, të tjerët, të thirrur në kushtet e emergjencës nga kampionati shqiptar, kur veshin fanellën kuqezi të ngjasojnë me ata emigrantët në Nju Jork: të hutuar, të pasigurt, në kërkim të një identiteti. Miqësoret mënjanë, tani vjen e vërteta. Të rëndësishme janë pikët në ndeshjet zyrtare. Ato e ndajnë “shapin nga sheqeri”. Jemi mirë, thonë disa. Na duhet edhe pak fat, shtojnë të tjerët. Por, ka vend edhe për një “kujdes”, sidomos kur luan edhe aq me fatin. Zoti i futbollit “i dha një dorë” paraardhësit të Kuzhes, Ari Han, në Bragë, në atë barazim vërtet historik me Portugalinë e Kristiano Ronaldos, por dihet se si shkoi më pas. Zoti i futbolli, thonë optimistët, ndoshta jo ai, dyshojnë pesimistët, i kishte rezervuar Oto Baricit një turpërim kuqezi, në fund të karrierës si trajner, në Bukuresht, me atë humbje 6-1. Megjithatë, dhëntë Zoti të mos jetë e thënë të ndodhë gjithmonë kështu! Aq më tepër që Kuzhe dhe kombëtarja jonë, bashkë me tifozët kuqezi, janë këndellur midis ëndrrash, ndër miqësore pozitive, për t’jua treguar nipërve. Por për nostalgji të tilla nuk ka më kohë. Rumania është te dera; mund të na zhbëjë ëndërrat, madje të na prishë edhe gjumin, edhe pse urimi i të gjithëve bekon një “hakmarrje të ëmbël”. Që do të ishte edhe starti më i mirë i mundshëm i një fushate eliminatoresh! Amin! Kështu rezultoftë!



http://www.sportishqiptar.com.al/miqesoret-menjane-tani-vjen-e-verteta-per-kuzhen-dhe-kombetaren/