Home Shendeti Tatuazhet shkak kryesor per rritjen e numrit te shqiptarëve me Hepatitin B...

Tatuazhet shkak kryesor per rritjen e numrit te shqiptarëve me Hepatitin B dhe C

402
0

Specialistët e mjekësisë kanë vënë alarmin së shqiptarët po  rrezikohen gjithnjë e më shumë nga përhapja e hepatiteteve. Të dhënat më të fundit konfirmojnë se 7 % e shqiptarëve janë të prekur nga Hepatiti B dhe 1 % nga Hepatiti C.
Hepatiti
Nga viti në vit, virusi i hepatitit B dhe C po paraqitet gjithnjë dhe më kërcënues për shëndetin e popullatës seksualisht aktive në Shqipëri. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, që i referohet të dhënave të grumbulluara nga sistemi parësor dhe ai spitalor në vend prevalenca e përhapjes së këtij virusi në Shqipëri rezulton të jetë në shifrat 1 në 10 banorë, ose 2 për qind më e lartë se mesatarja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Mjekët
“Në Shqipëri ka një tendencë në rritje të hepatitit B dh C me një prevalencë rreth 7 % për hepatitin B dhe 1 % për hepatitin C. Afërsisht rreth 80 % e vdekjeve nga kanceri i mëlçisë i atribuohen hepatitit B dhe C”, deklaroi dje Lumturi Merkuri, specialiste në Institutin e Shëndetit Publik. Specialistja Mërkuri veçon si tepër shqetësuese përhapjen e shpejtë te hepatitit tek përdoruesit e drogave intravenoze, si dhe tek personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me më shumë se një partner, por të rrezikuar janë edhe personat që vizatojnë tatuazhe në trup.
Trajtimi
“Virusi i hepatitit B është 50 deri në 100 herë me infektues se virusi i HIV-it, dhe reziston shumë në mjedisin e jashtëm. Ka edhe trajtim, por është shumë i kushtueshëm dhe për shumë njerëz është i papërballueshëm. Kushton qindra mijëra dollarë në vit. Vaksina e hepatitit B ka hyrë në vaksinimin bazë që ju bëhet fëmijëve. Dhe fëmijët të lindur që nga viti 1994 dhe në vazhdim janë të vaksinuar dhe të mbrojtur ndaj hepatitit B”, theksoi Mërkuri.
Informacioni
Mungesa e edukatës shëndetësore ka bërë që pothuajse të gjitha rastet të diagnostikohen në mënyrë rastësore, kryesisht pranë bankave të dhurimit të gjakut. Për këtë arsye specialistët apelojnë që dhe të rriturit të vaksinohen, pasi në tregun tonë farmaceutik ekziston vaksina kundër hepatiteve.
Tatuazhet
Mjekët gjithashtu theksojnë se një numër i madh i të infektuarve i kanë marrë hepatitet dhe gjatë bërjes të tatuazheve, tendencë kjo në rritje në vendin tonë. Ata këshillojnë që çdo person që ka dyshime të diagnostikohet në kohë pasi një mjekim i nisur në kohë ndihmon ata të mos preken nga kanceri i mëlçisë, i cili është vdekjeprurës.
Transmetimi
Rrugët e transmetimit të virusit të hepatitit janë të njëjta me përhapjen e SIDA-s ndërkohë që në shumicën e rasteve njerëzit nuk e dinë se janë të sëmurë derisa sëmundja nuk është e dukshme. Hepatiti është një nga sëmundjet më të përhapura dhe më të rënda infektive në botë, ku çdo vit rreth 1 milion vdekje i atribuohen hepatitit viral.