Home Lajme Sport Të gjitha sekretet e finales Spanjë-Holandë

Të gjitha sekretet e finales Spanjë-Holandë

368
0

Kush triumfon, fiton për herë të parë në fronin e Botërorit. “Furitë e Kuqe” synojnë zotërimin dhe qarkullimin e topit dhe paraqiten me dështimin e Torres. Rreth holandezëve, që rigjejnë vitet ’70 dhe rikthejnë Van der Viel e De Jong, është i modës krahasimi me skuadrën e ’70-s, më të fortë, por ndoshta më pak konkretë

Do të jetë një finale interesante ajo mes Holandës dhe Spanjës, për shumë arsye. E para sepse, sido që të shkojë, do të jetë një komb i ri ai që do të hyjë mes klubeve ekskluzive që e kanë fituar Kupën e Botës. Hera e fundit që dy kombëtaret ende pa trofe ishin përballur, daton më 1978: edhe atëherë fitoi Holanda, e cila iu dorëzua më pas padronit të shtëpisë, Argjentinës, në një nga finalet më të vështira të të gjitha kohërave. Holandë-Spanjë është edhe triumfi i lojës së bukur. Spanja e ka konfirmuar këtë gjatë Europianit të fituar dy vite më parë: presing konstant, sinonim i njohur i formës së mirë atletike, dhe mbi të gjitha një qarkullim topi të mrekullueshëm. “Meritë” e xhonglerëve të mëdhenj të Barcelonës, zbulime të njohura, të cilët trajnerit të pjekur Del Boske nuk i është dashur të mendohet shumë, për t’u shtuar më pas atyre Serxhio Ramos në të djathtë, regjinë e Ksavi Alonsos, sigurinë e Kasiljas mes shtyllave. Do u shtonim edhe fuqinë e Fernando Torres, por për momentin sulmuesi i Liverpulit ka ndjerë problemet e pashmangshme fizike të sezonit dhe nuk ka demonstruar asgjë. Pikërisht Torres është një dyshim i madh për finalen: me shumë mundësi ai do të ulet sërish në pankinë, me Vijën si pikë referimi, Perdo drithërues në mbështetje, Injiesta e Ksavi në ndërtimin e lojës dhe me regjinë e lojës nga Ksavi Alonso e Buskets para mbrojtjes.

“Tulipanët” – Nëse në shtëpinë e Spanjës ekziston të paktën një dyshim për formacionin, në shtëpinë holandeze nuk ka asnjë. Rikthehet nga skualifikimi Van der Vil, i cili rimerr vendin e tij në të djathtë të mbrojtjes, dhe De Jong, shoku i çmuar i repartit për Van Bomel, në digën e mbrojtjes. Për sa i përket repartit ofensiv, gjithçka mjaft e qartë, me Van Persin pikë referimi, Shnajderin qendror në mesfushë me të çmuarin Kuijt dhe çudibërësin Roben në krah (i pari në të majtë, i dyti në të djathtë). Të shumtë janë ata që po bëjnë krahasime mes “tulipanëve” të viteve ‘70, që kishin shumë talente dhe për dy herë radhazi arritën finalen e Botërorit. Ndoshta kjo Holandë nuk vlen aq sa ajo, por mund të jetë më konkrete. Krahasojmë tre të dhënat e tre versionet e Holandës së madhe botërore: Kjo aktuale ka shënuar nga dy gola për ndeshje, por në çdo ndeshje ka gjuajtur 11.2 herë drejt portës kundërshtare. Në 1974 dhe në 1978 mesatarja e golave ishte më superiore (2,1), por me më shumë gjuajtje në portë (respektivisht 17-16.6 për ndeshje).
[simpleAdPlacement]
Çelësat taktikë – Holandezët duhet të lexojnë në perfeksion dy zona të fushës, nëse duan të kenë mundësi për t’ia dalë. Van Bomel e De Jong për shembull, përveçse duhet të kërkojnë të organizojnë aksione, duhet të bllokojnë vazhdimisht qarkullimin e topit nga spanjollët: me Gjermaninë, 298 pasime tw sakta nga “Furitë e Kuqe” kundrejt 167 të gjermanëve. Çelësi tjetër, përveç inkursioneve të Shnajderit, do të jetë kapaciteti i Robenit për të dribluar Kapdevijan, duke krijuar superioritet numerik. Nga ana spanjolle, ai që gjendet në anën e Van Brokhorst, i cili nuk ka sprintin e kohëve të dikurshme, mund të krijojë probleme, por edhe mbrojtësit qendrorë Mathjisen e Heitinga mund të vuajnë kundrejt xhuxhit Vija. Interesante edhe disa statistika kokë më kokë. Dueli Shnajder-Ksavi: holandezi shënon më shumë (5 me 0) dhe tenton më shumë gjuajtje (22 me 5), por nga këmbët e spanjollit në këtë Botëror janë nisur plot 25 shanse për gol kundrejt 9 të holandezit.

Finalja e vogël – Finalja tjetër e programuar për sot është ajo e ngushëllimit. Gjermania dhe Uruguai kthehen për t’u përballur për vendin e tretë, gjë që ka ndodhur 40 vite më parë: në Meksikë fituan 1-0 gjermanët. Moralin e lartë e kanë uruguaianët (një çmenduri, Botërori i tyre), që rikuperojnë Suarez për një 4-4-2 ofensive: sulmuesi i Ajaksit do të jetë dyshe me Forlan, ndërsa Kavani do të rimarrë pozicionin në të majtë të mesfushës. Gjermania rikuperon Mylerin, trekuartistin e djathtë, mungesa e të cilit u ndje shumë në sfidën e humbur ndaj Spanjës. Por rrezikon të humbasë Klosen, që ka probleme fizike. Në repartin difensiv në të majtë, ka mundësi të luajë nga minuta e parë Jansen në vend të Boateng. Morali i ulët i gjermanëve, i dëshmuar nga deklarata e Lahm, i cili ka bërë të ditur se edhe në rastin e vendit të tretë skuadra nuk do të sfilojë si 4 vite më parë, ngaqë objektivat ishin më të larta se kaq.

Shqip