Të mbrojtur nga Kriza Greke

https://i0.wp.com/i.bnet.com/blogs/greece-financial-crash.jpg?resize=300%2C280Efektet e krizës greke nuk pritet të jenë aq të ndjeshme për tregun shqiptar sa po perceptohet.

Ndryshe nga një vit më parë, kur në Shqipëri efektet e krizës greke sollën reduktim të konsumit të brendshëm, ulje të eksporteve si dhe mbyllje të disa ndërmarrjeve të fasonit (sektori që punon me material porositës), këtë vit ndikimi është i kundërt.

Të dhënat zyrtare të bilancit të tregtisë, por edhe opinionet e disa bizneseve për “Monitor” konfirmojnë një përmirësim të situatës, që po reflektohet me një rritje të lehtë të eksporteve të fasonit, dyfishim të eksporteve të materialeve të ndërtimit dhe metaleve si dhe rritje të volumeve të porosive në ndërmarrjet e fasonit në vend.

Juxhin Andrea, drejtues i ndërmarrje që qep veshje për kompani greke, ka konfirmuar se sasitë e porositura po rriten, kjo sepse në një kohë krize kërkohen kosto mjaft të ulëta, favor që e kanë kompanitë shqiptare.

Pasiguria e mjaft emigrantëve që jetojnë e punojnë në Greqi duket se ka shtyrë mjaft prej tyre të tërheqin kursimet dhe t’i investojnë ato në pasuri të patundshme në kryeqytete. Fakti konfirmohet nga drejtuesja e agjencisë “Century 21 The Point”, Ilda Biçoku, e cila thotë se tregu po rigjallërohet nga emigrantët në Greqi.

Por një efekt negativ, kriza greke duket se po e shfaq tek investimet e kompanive greke në Shqipëri, ku “Monitor” rendit raste të “dështimit” të tyre.

Në fakt, investimet greke janë mjaft të rëndësishme, sepse mbi 300 kompani greke apo në bashkëpunim veprojnë në Shqipëri, me investimet më të mëdha në sektorët e telekomunikacionit, atë bankar, në energji, sistemin e informacionit dhe ndërtim, ndërsa ka një numër të konsiderueshëm të kompanive greke në fushën e shëndetit, në industrinë ushqimore dhe tregti.

Por një peshë mjaft të madhe kanë për ekonominë tonë edhe dërgesat e rreth 1 milionë emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Christos Farmakis, konsull për çështjet ekonomike dhe tregtare pranë ambasadës greke në Shqipëri, ka konfirmuar në një intervistë dhënë për “Monitor” se dërgesat nga Greqia përbëjnë rreth 45% të totalit të vlerës së remitancave që kanë hyrë në Shqipëri çdo vit.

Por Drejtori i Unionit Financiar Tiranë, Elton Çollaku, ka siguruar gjatë një intervistë për “Monitor” se megjithë krizën rënia e remitancave nga ky shtet është neutralizuar nga shtimi i remitancave nga shtetet e tjera.

INTERVISTA – Drejtori i Unionit Financiar Tiranë, Elton Çollaku

Dërgesat bien nga Greqia, por rriten nga shtetet e tjera

Si është ecuria e remitancave në 6-mujorin e parë të vitit 2011?

Edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2011, ecuria e përgjithshme e remitancave karakterizohet nga një tendencë pozitive. Është domethënës fakti që në pothuaj të gjitha shtetet perëndimore, të cilat janë edhe vendet ku është vendosur emigracioni shqiptar dhe automatikisht edhe nga vijnë remitancat, vihet re një trend rritës mjaft i qëndrueshëm, madje në jo pak raste, edhe në rendin dyshifror. Pikërisht kjo tendencë na bën të besojmë që edhe pjesa tjetër e vitit do të shoqërohet me të njëjtin nivel qëndrueshmërie të këtyre hyrjeve.

Si është sjellja e dërguesve të remitancave në raport me vlerat që dërgojnë dhe periodicitetin e dërgesave?

Me kënaqësi, ne si kompani konstatojmë se kemi rritje të mëtejshme të bazës së klientëve dhe në të njëjtën kohë, edhe rritje të frekuencës së përdorimit të shërbimit nga klientët tanë. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e kombinimit të disa aksioneve strategjike që Unioni Financiar Tiranë ka ndjekur në vijim si: shtrirja e mëtejshme e rrjetit tonë të shërbimit Unionnet-Western Union në territorin e Shqipërisë, reduktimi i komisioneve për dërgesat e parave (si për transfertat inbound ashtu edhe për ato outbound) duke e bërë edhe më atraktiv shërbimin Western Union të transfertave të parave për klientët tanë dhe për ata potencialë, ofrimi i programit të klientit “Western Union Gold Card”, etj.

Ndërkohë, ndërsa performanca e përgjithshme e nivelit të transaksioneve është pozitive, vërehet një tendencë e stabilizuar e uljes së principalit të dërguar për çdo dërgesë. Kjo është më se normale dhe shpjegohet me disa faktorë, si socialë ashtu edhe ekonomikë të emigracionit (por më së shumti me fenomenin e “plakjes së emigracionit”).

A ka ndikuar kriza greke në remitancat e emigrantëve të këtij vendi?

Thellimi dhe përkeqësimi i krizës financiare të Greqisë sigurisht që pritej të sillte ndikim edhe në tregun e remitancave të emigrantëve tanë në këtë vend. Është evident fakti që në këtë vend, pasojat e krizës po i ndien si sektori publik, ashtu edhe ai privat, ku masivisht gjenden emigrantë shqiptarë, çka do të thotë automatikisht rënie e mirëqenies së emigrantëve tanë. Po ashtu po shohim një fenomen të kthimit të përkohshëm të një pjese të emigrantëve të këtij vendi, në pritje të “ditëve më të mira”. Të gjithë këta faktorë automatikisht ndikojnë në rënien e fluksit të remitancave nga ky vend.

Si është performanca e kompanisë suaj gjatë kësaj periudhe?

Siç e përmenda edhe më sipër, performanca dhe tendenca e përgjithshme e aktivitetit tonë mbetet pozitive, pavarësisht luhatjeve në korridorin e Greqisë. Gjithashtu fakti që rreth 25% e familjeve shqiptare ende mbështeten nga suporti i të afërmve të tyre në emigracion, si dhe duke pasur parasysh lidhjet e forta që ekzistojnë ende në familjen tradicionale shqiptare, më bën të besoj që, edhe në vazhdim, do të kemi tendencë të qëndrueshme të dërgesave të emigrantëve.

Emigrantët

Tërheqin kursimet, blejnë apartamente në Shqipëri

Ilda Biçoku, drejtuese e zyrës imobilare “Century 21 The Point”, thotë se një fenomen interesant që po ndodh, është kthimi i interesit të emigrantëve që jetojnë në Greqi, për të investuar në pasuri të patundshme në Shqipëri.

“Ne kemi pasur disa raste nga emigrantë që jetojnë prej vitesh në shtetin grek dhe kursimet që kanë, kërkojnë t’i investojnë. Me gjithë qëllimin për të investuar në Greqi, kriza i ka larguar ata nga ky treg dhe kanë ardhur në zyrat tona për të blerë apartamente në Tiranë”, shprehet Biçoku. Sipas saj, kjo tendencë është ndier në ato familje që kanë arritur një lloj niveli të ardhurash dhe që po i tërheqin kursimet për t’i investuar në një vend më “të sigurt” dhe pritshmëri pozitive në tregun e pasurive të patundshme.

Drejtuesja e “Century 21 The Point”, shpjegon se klientët shprehen se, nëse do t’i investonin kursimet në Greqi, ato do të ishin “të ngurtësuara” dhe si pasojë nuk do të ishte e mundur të merrje dot të ardhura.

“Duhet thënë se në drejtim të investimeve individuale nga emigrantët, efekti është pozitiv për tregun tonë, sepse po i nxit ata që kanë kursime t’i investojnë në tregun vendas të real-estate”, thotë Ilda Biçoku.

Nga ana tjetër, prej vitesh në tregun imobilar emigrantët po i ulin ndjeshëm investimet, duke ndikuar edhe në rënien e kërkesës në vend.

“Në fakt, rënia e peshës së emigrantëve nuk ka të bëjë me krizën, por me stabilizimin e tyre në vendet ku jetojnë dhe si rrjedhojë, mosinvestimit në vendin e lindjes. Kjo ka ardhur gradualisht”, shpjegojnë imobilarët.

Bien investimet

Një efekt negativ po reflektohet në drejtim të investimeve nga kompanitë greke, investimet e të cilave përllogaritet të zënë rreth 28% të totalit të vlerës së investimeve të huaja direkte të bëra në Shqipëri.

Ilda Biçoku tregon për “Monitor” raste konkrete të investimeve të planifikuara nga sipërmarrës grekë, por që tashmë janë ngrirë apo “fshirë”.

“Ndryshe nga individët, rasti i investimeve të mëdha nga kompanitë, është negativ. Ne shoqëruam dhe asistuam një kompani greke, për të blerë një truall në autostradën Tiranë-Durrës ku dhe do të ngrihej fabrika e projektuar. Por ata u larguan dhe pezulluan çdo investim të mundshëm”, thotë drejtuesja e “Century 21 The Point”.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Biçoku shton se edhe disa kompani turizmi kanë hequr dorë nga investimet e planifikuara në Shqipëri, duke ulur fluksin hyrës të kapitaleve të huaja.

“Një nga rastet e fundit ishte një kompani greke, e cila do të ngrinte një agroturizëm në Gjirokastër, por që gjithashtu ka hequr dorë nga investimi”.

Sipas Stela Dhamit, menaxhere e “Colliers International” në Shqipëri, është e natyrshme që, ndërkohë që Greqia po kalon një krizë të rënduar ekonomike, njerëzit dhe investitorët të bëhen më skeptikë dhe të hezitojnë të bëjnë investime.

“Në një situatë ekonomike të pastabilizuar, kjo është më se e pritshme”, shton Dhami.

Greqi

Koha për të blerë prona

Por ky moment krize për një shtet me shumë potenciale turistike, siç është Greqia, mund të shndërrohet në një nga shanset më optimale për të blerë pasuri të patundshme, që nga apartamentet e deri te vilat.

Stela Dhami tregon se kriza greke, për herë të parë pas shumë vitesh, po krijon mundësi që të bëhen rinegocime në çmimet e pronave.

“‘Colliers’ është duke asistuar në Greqi shitjen e pronave ku çmimet që ofrohen janë ulur ndjeshëm. Kompanitë e ndërtimit, nën presionin e bankave për të shlyer kreditë, janë duke i negociuar çmimet, siç nuk kanë bërë kurrë më parë”, thotë Dhami.

Sipas saj, është padyshim një nga momentet më të mira për të blerë prona e pasuri, sepse çmimet po bien ndjeshëm.

“Një nga rastet që kemi marrë së fundmi është një kompleks vilash në Kretë, i cili ofrohet me çmim 750 mijë euro. Përllogaritet se një vilë kushton më pak se 75 mijë euro, një ofertë mjaft e mirë që ka qëllim të investojë në pasuri të patundshme”, shton menaxherja e “Colliers”.

Për të nxitur rigjallërimin e tregut të real-estate, qeveria greke ka ndryshuar ditët e fundit një ligj 85-vjeçar, duke u dhënë më në fund mundësinë, sidomos shtetasve shqiptarë, të blejnë një shtëpi, apo një sipërfaqe toke në Selanik, në zonën turistike të Halkidhikisë apo zonat kufitare të vendit. Më parë ishte tepër e vështirë për banorët e shteteve fqinje si Shqipëria apo Turqia, të blinin një shtëpi apo një sipërfaqe toke, në zonat kufitare, për arsye të një ligji të vitit 1926, që ndalonte blerjen nga fqinjët në Greqinë Perëndimore, si dhe në zonën e Euros. Në 20 vitet e fundit, blerjet e rralla kryheshin vetëm me leje të veçanta nga Ministria e Mbrojtjes, një leje që kërkonte dhjetëra procedura burokratike, që zgjasnin për muaj me radhë dhe kushtonin. Me këtë ndryshim, qeveria greke kërkon t’i japë frymëmarrje tregut të shitjes së banesave, sidomos në qytetin e Selanikut, ku ka më shumë se 15,000 apartamente të reja të pashitura në vitet e fundit.

Fasoni

Vonohen pagesat, por rriten porositë

Ndërkohë, në sektorin e fasonit, efektet e krizës greke po ndihen në likuidimin e faturave nga partnerët e shtetit grek. Ndryshe nga një vit më parë, kur sipërmarrjet në Korçë treguan se kufizuan aktivitetin me tregun grek, në masën 40%, me gjithë shtyrjen e afatit të pagesave, porositë janë rritur.

Sipas Juxhin Andreas, drejtues i një ndërmarrjeje në Korçë, që punon me material porositës (fason) për partnerë grekë, kriza ka shtyrë afatet e pagesave deri në 2 muaj, nga afro 2 javë që ishte para nisjes së saj.

“I vetmi problem që po hasim nga gjendja e rënduar në Greqi lidhet me pagesat, që janë vonuar. Ndërkohë partnerët grekë na kanë kërkuar që të ulim çmimet e punës për to, por kjo nuk është bërë, se ne tashmë kemi çmime shumë të ulëta”, thotë Andrea.

Por një fakt interesant është se grekët kanë vijuar të rrisin porositë e tyre për kompanitë shqiptare, që sipas fasonistit korçar, janë rreth 25% më të larta. Në këtë periudhë të vështirë, kompanitë greke nuk mund të “braktisin” kurrsesi ndërmarrjet shqiptare, kur çmimi që ato paguajnë për koston e punës është shumë herë më i ulët se në Europë, por përkundrazi i kanë rritur volumet e punës.

“Ajo që kompanitë greke të veshjeve po bëjnë në këtë kohë të vështirë është ulja e çmimeve të tyre në njësitë tregtuese në Greqi, me qëllim që të mos humbin tregun dhe klientët”, thotë Juxhin Andrea.

Tregtia, më mirë se vjet

Pesha e Greqisë në tregtinë e jashtme shqiptare vazhdon të bjerë. Një vit më parë, tregtia u përkeqësua më shumë

Ndërsa shkëmbimet tregtare me jashtë u rritën 22% gjatë katër muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, volumi i tregtisë me Greqinë ra gati 8%. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT), shkëmbimet tregtare me Greqinë zbritën në 21.3 miliard lekë. Rritja e tregtisë në tërësi, dhe ulja me Greqinë, bënë që pesha e partnerit të dytë historik tregtar të Shqipërisë së zbehet. Nga 11% të volumit të tregtisë që zinte të njëjtën periudhë të një viti më parë, pesha ra në 9% gjatë këtij viti. Në këtë periudhë importet pësuan një rënie të lehtë, ndërsa eksportet u rritën në vlera relativisht të kënaqshme

Megjithatë, sipas të dhënave të INSTAT, tregtia me Greqinë është përmirësuar krahasuar me ndryshimin që pësoi në fillim të vitit të kaluar. Në katër muajt e parë të vitit 2010, vlera e eksporteve drejt Greqisë ra 20%. Gjatë këtij viti, eksportet shqiptare drejt këtij tregu pësuan një rritje prej 15.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 3.1 miliard lekë. Rritjen më të madhe e dhanë eksportet e materialeve të ndërtimet dhe metaleve. Vlera e tyre u dyfishua na katër muajt e parë të këtij viti, sipas INSTAT, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pas goditjes që pësuan në muajt e parë të vitit të kaluar, edhe eksportet e tekstileve e këpucëve kanë filluar të rimëkëmben. Në katër muajt e parë të këtij viti, eksportuam gati 1.12 miliard lekë tekstile e këpucë, ose 2% më shumë se një vit më parë. Për këtë grup, rritja e vlerës së eksportit erdhi për shkak të rritjes së vlerës së monedhës evropiane, por drejtuesit e fabrikave të fasonit që punojnë me tregun grek tregojnë se gjenden në kushte më të mira se vjet për sa i përket nivelit të porosive.

Në importe, vërejmë ulje për dy prej grupeve të mallrave më të mëdha që vijnë nga Greqia. Vlera e grupit më të madh “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” pothuajse u përgjysmua krahasuar me një vit më parë. Për produktet agroushqimore, tregtia është në rënie në të dy kahet. Në tërësi importet u ulën 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa një vit më parë ranë mbi 7%.

Ndryshimi i tregtisë me Greqisë

Janar-prill ‘10/’09 janar-prill ‘11/’10

Import -7% -1%

Eksporte -20% + 15.5%

Burimi:INSTAT

Ndryshimi i volumit ndaj totalit

Vol. tregtar jan-prill ’10 Vol. tregtar jan-prill ’11

Greqi 23088 21316

Total 186447 227569

Burimi:INSTAT

Turizmi, vetëm efekt mediatik

Për herë të parë këtë verë Greqia do të jetë një destinacion i vërtetë turistik për shqiptarët. Përmes Agjencive turistike, apo përmes vizitave private tek të afërmit, kësaj radhe do t’i gëzohemi mundësisë së një udhëtimi pa barriera tek fqinjët e jugut. Fluksi i vërejtur nga agjensitë turistike është i pakrahasueshëm më atë të një viti më parë. “Nuk mund të bëjmë një krahasim me zeron”, thotë z.Besnik Vathi Drejtor i ATHS (Albanian Travel and Hospitality Service). Planet e shqiptarëve për të vizituar shtetin fqinj, nuk po frenohen nga lajmet në mediat ndërkombëtare dhe transmetimet e protestave në kryeqytetin helen. Krahasuar me shumë destinacione të tjera, pushimet në Greqi mund të kushtojnë më lirë, për shkak të kostos së ulët të lëvizjes.

Protestat e Athinës nuk po ndikojnë as në planet e pushimeve të të huajve që preferojnë Greqinë si destinacion turistik. Operatorët turistikë në vendin tonë, të cilët bashkëpunojnë me operatorët grekë, tregojnë se nuk vërehet ndonjë rënie drastike në këtë sektor. Anulimet janë të papërfillshme, sipas tyre, dhe aspak e krahasueshme me atë çfarë ndodhi me turizmin në Egjipt. “Ndryshe nga vendet e Afrikës Veriore, turistët perceptojnë se nuk kërcënohet siguria në Greqi”, shprehet një prej operatorëve turistikë më të mëdhenj në vend.

Nga puna e tyre në këtë treg, drejtuesit e agjencive turistike në vend tregojnë se një pjesë e mirë e hoteleve i kanë mbyllur tashmë prenotimet për gjithë sezonin. Efekti krizë nuk ka arritur të dobësojë çmimet e paketave turistike në brigjet e Greqisë. Madje, në disa raste ato janë më të larta se vjet. “Në ishullin e Korfuzit e pata më të vështirë të prenotoja këtë vit. Çmimet ishin më të larta se një vit më parë dhe ishte shumë më e vështirë të gjeje vende”, tregon Alma Hila, e cila ka vendosur të kalojë pushimet në këtë ishull për të dytin vit radhazi. Sipas përfaqësuesve të agjencive turistike, rritja e çmimeve në Korfuz po vjen si përgjigje e kërkesës së shumëfishuar të turistëve shqiptarë.

Duke e vlerësuar si sektorin “shpëtimtar” të ekonomisë së vendit, pavarësisht problemeve, Qeveria greke i ka kushtuar rëndësi turizmit, duke krijuar lehtësira për thithjen e turistëve më të mirë. Me chartera direkt, Kina e Japonia pritet të jenë dy tregjet kontribuese në turizmin grek.

Qeveria: nuk pritet rikthim i emigrantëve

Në rast të kundërt nuk ka një plan “B”

Pavarësisht se ka një Ligj për integrimin e emigrantëve që duan të kthehen në vend, realisht pak mund të ofrohet për emigrantët tanë jashtë. Specialistët pranë zyrave të punësimit në Tiranë tregojnë se deri më tani nuk kanë regjistruar ndonjë fluks të dukshëm të emigrantëve që kthehen nga Greqia. Por, edhe nëse do të ketë një fluks të tillë, kërkesat që kanë nga punëdhënësit janë shumë të kufizuara.

Kriza e shtetit fqinj nuk pritet të shkojë deri aty sa emigrantët të humbasin vendet e tyre të punës, tregojnë ekspertët në fushën e ekonomisë. Suzana Guxholli, Këshilltare e Kryeministrit tregon se, “nuk ka ndonjë vërshim të emigrantëve në masë. Edhe efektet e krizës financiare në Europë, nuk sollën ndonjë fluks emigrantësh të papunë. Kjo ndodh për faktin se janë angazhuar në ato punë që vendasit nuk i bëjnë”. Shumica e emigrantëve shqiptarë në Greqi punojnë në bujqësi, turizëm, dhe ndërtim. Ky i fundit është sektori më i prekur nga kriza.

Edhe në rast se do të rritej kërkesa për punë në vend (për shkak të kthimit të emigrantëve) znj.Guxholli, mendon se tregu ka potencial t’i thithë ato brenda tyre. “Shqipëria është një vend në zhvillim dhe ka kapacitet thithës për të punësuar të rinj”, pohon këshilltarja e Kryeministrit.

Kriza greke, ankth për bankat në Rumani

Frika se Greqia është duke falimentuar prej borxheve është duke shqetësuar zyrtarët fqinjë të Rumanisë, në një kohë kur bankat greke në Rumani do të stopojnë së kredituari kompanitë lokale, thonë ekspertët.

“Një dështim grek do të çojë pashmangshmërisht në ndaljen e kreditimit për klientët në Rumani dhe në një shitje urgjente të aseteve të tyre”, tha Minea Vasilache, një analist ekonomie.

“Në një rast të tillë, Rumania do të detyrohet të garantojë kursimet e njerëzve dhe të kompanive vendase, rreth 4 miliardë euro”, shtoi ai. “Ky nuk do të jetë një hap i thjesht për qeverinë”.

Bankat greke, duke përfshirë Bankën Kombëtare të Greqisë, NBG, EFG Eurobank, Alpha Bank, Piraeus Bank, ATE Bank dhe Emporiki, janë të gjitha aktive në tregun rumun.

Një publikim nga banka japoneze “Nomura”, e cituar në shumë raporte të shtypit, tha se bankat greke tashmë po tregojnë se e kanë ngadalësuar huadhënien për klientët e saj jashtë vendit. Për më tej, raporti tha, se disa klientë rumunë të bankave greke janë tashmë duke financuar bankat e tyre “mëmë”. Agjencia vlerësuese “Standard & Poor” e uli vlerësimin e katër bankave greke në Rumani. Agjencia tha që profilet financiare të bankave greke janë të ekspozuara ndaj risqeve të larta si pasojë e një përkeqësimi në vlerën totale të kredive në Greqi. Kriza financiare në Greqi e ka privuar Rumaninë me rreth 1 miliardë euro pas një pritshmërie për shitjet e aksioneve të telekomit në Greqi, dështuan. Muajin e fundit, grupi greke OTE vendosi të mos blejë 46% në kompaninë monopol të telekomit në Rumani, “Romtelecom”. Vendimi erdhi në një moment të vështirë për Rumaninë, që është duke u përpjekur të mbushë vrimat e buxhetit duke shitur kompanitë shtetërore. Bukureshti, që është duke u përballur me një nevojë në rritje për cash, është e varur shumë në huamarrjen nga jashtë për të financuar planet e tij të investimit.

Comments are closed.