TIRANË- Kreu i shtetit, Bamir Topi ripërsërit thirrjen për dialog të menjëhershëm politik mes maxhorancës dhe opozitës dhe sugjeron pezullim të përkohshëm të çdo tubimi për uljen e tensionit të krijuar në vend.
Në një deklaratë për mediat, pas dy takimeve me delegacionin e posaçëm të Bashkimit Evropian në vendin tonë, të kryesuar nga zoti Miroslav Lajçak, Topi thekson se dialogu konstruktiv, i maturuar dhe me tone të qeta e të civilizuara mes palëve është rruga e vetme e domosdoshme drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjes politike dhe garanti i stabilitetit, i funksionimit normal të shtetit ligjor si dhe respekti i plotë për institucioneve në vend.
Topi ka kërkuar nga klasa politike, të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë e demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin.
“Në këtë drejtim sugjeroj se pezullimi i përkohshëm i çfarëdolloj demonstrate apo tubimi publik do të kontribuonte ndjeshëm në uljen e tensionit si dhe mundësimit të hapësirave të duhura për institucionet e pavarura të drejtësisë që të zhvillojnë një hetim tërësor, transparent, të paanshëm dhe profesional. Nga ana tjetër, duhet që për stabilizimin e menjëhershëm të situatës, si maxhoranca ashtu edhe opozita të gjejnë vullnetin e duhur politik dhe individual e të rivendosin menjëherë dialogun politik institucional!”- tha ai.
Presidenti ka theksuar se ai së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian dhe në unision me organizmat e tjera ndërkombëtare, dënon dhunën e ushtruar dhe të pajustifikuar gjatë ngjarjeve të 21 janarit duke theksuar edhe njëherë së rendi kushtetues e publik, jeta e qytetarëve dhe e punonjësve në detyrë si dhe institucionet e shtetit janë të shenjta e të paprekshme.
Duke kujtuar zgjedhjet lokale që janë në prag, Topi ka deklaruar se qytetarët shqiptarë duhen lejuar dhe mundësuar që të shprehin vullnetin e tyre të lirë vetëm nëpërmjet votës, së pacenuar e të pa manipuluar nga askush.
“E ardhmja evropiane e Shqipërisë varet nga sjellja e përgjegjshme, atdhetare dhe vizionare e drejtuesve politikë të mbarë spektrit politik!”- përfundon ai.