Topi, “Medaljen e Mirënjohjes” Komunës së Barit

Presidenti i Republikës nderoi sot Komunën e Barit me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Me mirënjohje të thellë Komunës së Barit dhe gjithë popullit të Rajonit të Puljas, për solidaritetin e rrallë dhe përkrahjen e pakufishme që i dhanë në momente të vështira dhe dramatike, 20 vjet më parë, mijëra qytetarëve shqiptarë që mbërritën në Portin e Barit, në kërkim të një jete më të mirë.”

Presidenti Topi ka udhëtuar sot drejt Barit me rastin 20 vjetorit të mbërritjes në këtë qytete të 20 mijë emigrantëve shqiptarë në vitin 1991.

Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të presidentit, Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe delegacionin zyrtar shqiptar u pritën me nderime nga Kryetari i Bashkisë së Barit, Mikele Emiliano dhe autoritetet e tjera të larta të pushtetit vendor, nga personalitete të politikës, sipërmarrjes dhe kulturës së këtij qyteti bregdetar si dhe nga shumë qytetarë, mes të cilëve numëroheshin me qindra bashkatdhetarë.

Topi vlerësoi bashkësinë shqiptare që jeton në këtë qytet, e cila sipas tij,  kanë dëshmuar vlerat më të larta qytetare, duke shtuar se, “ky integrim nuk do të kishte qenë i mundur pa mikpritjen dhe bujarinë e vetë qytetarëve italianë si dhe pa mbështetjen e vazhdueshme të autoriteteve italiane.

Bari po përkujton gjatë kësaj jave 8 gushtin e vitit 1991 kur në këtë qytete mbërritën 20 mijë shqiptarë nëpërmjet anijes “Vlora”. “Misioni Vlora” është quajtur java në përkujtim të kësaj date, ku që nga 2 gushti e deri më 8 gusht do të mbahen një seri aktivitetesh përkujtimore.

Panorama ONLINE

Comments are closed.