Nga Gugash Magani i pari, Ernest Gjoka, Përparim Daiu, Nevil Dede e të tjerë, për të përfunduar te plejada më e fundit me Gentian Stojkun, Armir Grimën dhe Vioresin Sinani, që sapo e kanë lënë futbollin, janë një kontingjent jo i vogël trajnerësh që kanë suksese më shumë profesorët e tyre, që dikur i kanë drejtuar në fushë. Secili prej tyre ka arritur diçka me ekipet përkatëse.
Magani, Daiu dhe Gjoka madje nuk mund të quhen më debutues, pasi ata kanë ndërruar nga 3 apo 4 skuadra në drejtim, duke u konfirmuar si trajnerë të suksesshëm. Magani shkoi deri nënkampion me Flamurtarin, kurse këtë sezon ngjiti Besën në Superligë. Daiu dhe Gjoka këtë sezon shpëtuan ekipet nga rënia në Kategorinë e Parë, pa përmendur sukseset sezonin që kaloi.
Pra, nuk janë më të rinj. Ashtu siç nuk mund të quhet i ri në këtë profesion edhe Nevil Dede. Ka drejtuar Tiranën, Laçin dhe së fundmi Luftëtarin, teksa u shpall kampion në Kategorinë e Parë me ekipin gjirokastrit. Moda e këtyre trajnerëve të rinj ka hyrë edhe në Shqipëri, ashtu si Vilas Boas me Porton dhe Çelsin, apo Stramaçoni së fundi tek Interi, që është më i ri se kapiteni Zaneti.
Plejada më e re Në sezonin e fundit janë disa trajnerë të sapo konfirmuar, edhe pse ende pa marrë kualifikimin përfundimtar, pra licensën profesioniste. Janë disa futbollistë që sapo kanë lënë karrierën e tyre sportive dhe janë ulur në stol duke drejtuar. Mund të përmendim ish-portierin Armir Grima, i cili sapo vari dorezat, u emërua drejtor teknik dhe më pas e drejtoi Vllazninë në 6 ndeshjet e fundit të sezonit.
Ai me shumicën e lojtarëve kishte luajtur deri në korrikun e vitit të kaluar. Po te Vllaznia, mund të përmendim Vioresin Sinanin, i cili ka filluar karrierën si ndihmëstrajner dhe po ndjek kursin për trajner. Nuk është çudi që shumë shpejt ta shohim të drejtojë një ekip në Superligë. Nuk po përmendim dy shkodranët e tjerë, Cungun dhe Plorin, pasi ata janë të konfirmuar tashmë si trajnerë.
Një tjetër trajner i ri, që sapo ka lënë futbollin e luajtur është edhe Gentian Stojku, që këtë sezon arriti të shpallë kampion Tërbunin në Kategorinë e Dytë dhe në sezonin e ri pritet ta drejtojë në Kategorinë e Parë. Po kështu, mund të përmendim trajnerin e Adës, Etrit Nika, që u drejtoi plot profesionalizëm ekipin e Velipojës. Shumë të tjerë të rinj janë gati të shpërthejnë në sezonin e ri.
Nga plejada e vjetër pak trajnerë kanë mbetur në qarkullim. Në Superligë ishin Hasan Lika, Stavri Nica, Kristaq Mile, Dhimitër Papuçiu, pa përmendur dy të huajt, Levin dhe Rubion. Por kategoria e trajnerëve në moshë sa vjen dhe bie, është koha që shumë shpejt trajnerët e rinj të dominojnë, duke arritur të fitojnë tituj dhe trofe të rëndësishëm, për të mos thënë se një pjesë e mirë kanë filluar. /Nga EDUARD ILNICA/ssh/peqini.com