Ukraina ka ende shumë punë për të bërë për zhvillimin e kampionatit Europian Euro 2012. Gjithsesi vëzhguesit e UEFA-s që kanë shkuar për inspektim janë të bindur se do t’ia dalin mbanë që gjithcka të përfundojë në kohë.
Vetë sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino ka shkuar për të parrë terrenet e stadiumet që po përgatiten për Kampionatin Europian.
“Erdhëm në Kiev për të parë stadiumin e ri, ka ende shumë punë për t’u bërë por ka shumë njerëz që po punojnë e si rrjedhojë jam i bindur se do t’ia dalin të mbyllin gjithcka brenda afatit,” ka thënë Infantino. Qeveria e Kievit i ka bërë të ditur UEFA-s se do të jenë gati brenda afatit për të pritur këtë europian që do të zhvillohen në Ukrainë dhe Poloni.
Sipas presidentit të Ukrainës Janukovic, në vendin e tij janë bërë disa rrugë të reja, është përmirësuar aeroporti dhe janë ndërtuar gjithashtu disa hotele që do të bëjnë të mundur akomodimin e tifozëve e skuadrave gjatë aktivitetit. Përvec Kievit ndeshjet në Ukrainë do të zhvillohen në Lviv, Kharkiv dhe Donjetsk.