Dorëzohet zyrtarisht dosja, do të quhet “Bedër”
Komuniteti mysliman i shqiperise ka dorezuar ne ministrin e arsimit dosjen per aplikimin e Universitetit te pare Islamik ne Shqiperi. Universiteti e ploteson te gjithe ciklin e arsimit pas atij parauniversitar qe ka filluar me rihapjen e medreseve qe prej vitit 1991. Universiteti Islamik pritet te hapet vitin e ardhshem 2010 2011 dhe do te kete dy fakultete…
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, pas vendimit historik të marrë nga Kryesia e KMSH-së me dt. 15 shtator 2010 për hapjen e Universitetit nga ana e këtij institucioni, Komisioni i ngarkuar për hartimin e dosjes së aplikimit gjatë kësaj kohe ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për hapjen e Universitetit në Shqipëri dhe sot është bërë e mundur dorëzimi i dosjeve në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Kryetari i KMSH-së ka firmosur sot kërkesën zyrtare drejtuar Ministrit të Arsimit dhe Shkencës z. Myqerrem Tafaj për liçensimin e Universitetit që do të themelojë Komuniteti Mysliman. Universiteti plotëson kështu të gjithë ciklin e arsimit pas atij parauniversitar që ka filluar me rihapjen e medreseve në vitin 1991.
Kryesia e KMSH-së në shtator të 2010 fillimisht ka caktuar komisionin që do merrej me hartimin e dosjes së aplikimit, e cila përbëhej nga, z. Bujar Spahiu, z. Genti Kruja, z. Altin Shima dhe z. Dorian Demetja.
Pas një pune disa mujore nga komisioni, ata kanë dorëzuar sot zyrtarisht në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të gjitha dosjet dhe dokumentet sipas Udhëzimeve përkatëse të Ministrisë për liçensimin e arsimit privat, në këtë rast për hapjen e Universitetit, dosje këto të përbëra nga mijëra faqe.
Universiteti që do të hapet vitin e ardhshëm akademik 2011-2012 do të ketë dy fakultete, pesë departamente dhe tre qendra kërkimore dhe zhvillimore dhe pikërisht do të ketë një strukturë të tillë si më poshtë vijon:
I. Fakulteti i Shkencave Sociale
1. Dega e Shkencave Islame
2. Dega e Shkencave të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun
3. Dega e Drejtësisë (Juridikut)
* – Qendra Kërkimore për Dialog Ndërfetar
II. Fakulteti i Gjuhëve të Huaja
1. Dega e Gjuhë Letërsisë Angleze
2. Dega e Gjuhë Letërsisë Turke
* – Qendra Kërkimore për Gjuhë Letërsi Shqipe
* – Qendra Kërkimore për Gjuhë Letërsi Arabe
*
Pas propozimit të bërë nga ana e Komisionit të Arsimit, Kryesia e KMSH-së me vendim të posaçëm e ka emërtuar Universitetin me emrin “Bedër”.
Emërtimi i Universitetit me emrin “Bedër” ka patur shumë arsye, por ato më të rëndësishmet janë si më poshtë:
1. Kuptimi terminologjik
* Bedër do të thotë Hënë e plotë.
* Në emërtimin e universitetit Bedër është përdorur në kuptimin si Hëna e plotë që ndriçon errësirën.
* Bedër: si drita e dijes që ndriçon mendjet.
* Si drita e besimit që ndriçon zemrat.
* Si drita e edukimit që ndriçon shoqërinë.
2. Kuptimi historik
* Bedër është një prej epiteteve dhe cilësive që është thirrur Profeti Muhamed (a.s.) në momentin e hyrjes në Medine, moment që do të hapte epokën e re duke u quajtur edhe si viti i parë i kalendarit Hënor Hixhri, sipas të cilit shënohen të gjitha festat dhe datat e veçanta në Islam.
* Bedër është emërtim vendi ku kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme në historinë Islame gjatë jetës së Profetit Muhamed (a.s.).
3. Kuptimi simbolik i bashkimit të inicialeve sipas shtyllave bazë të motos së universitetit
BEDËR është bashkimi i inicialeve të fjalëve që do të jenë themelet e këtij universiteti:
* Besim
* Edukim
* Dije
* Ëndërr
* Realitet