[pro-player width=’480′ height=’423′ type=’video’]http://video1.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/kombetarjahumbje0902.flv[/pro-player]
Ekipi kombëtar i futbollit u mund të mërkurën në mbrëmje nga Sllovenia me rezultatin 2-1 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në një ndeshje miqësore në kuadrin e përgatitjeve për eliminatoret e kampionatit evropian të futbollit 2012. Një gol i mrekullueshëm i Ervin Bulkut nuk i mjaftoi kuqezinjve, që bënë një paraqitje mesatare dhe arritën të realizonin një ndeshje të mirë përballë një kundërshtari mjaft të organizuar. Në pjesën e parë skuadra shqiptare bërëi një lojë të dobët, duke mos goditur asnjëherë kuadratin dhe duke vuajtur cilësinë e sllovenëve. Në pjesën e dytë, përfaqësuesja reagoi mirë duke arritur edhe barazimin, por u shfaq e pafuqishme, duke bërë edhe shumë gabime, që solën më pas edhe humbjen.
Miqtë shënuan golin e fitores me Dediçin nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 90-të. Lorik Cana ndërhyri në mënyrë të parregullt, duke shkaktuar faull dhe duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Vendim i drejtë i gjyqtarit. Beqaj nuk arrin t’i gjejë as krahun gjuajtje së Dediçit, që shkund rrjetën. Shqipëria arriti të barazojë në minutën e 63-të me një supergol të Bulkut i sapofutur në lojë, ndërsa Sllovenia kaloi e para në avantazh me një gol të sulmuesit Novakoviç në minutën e 24-t.
Formacionet
Shqipëria: Ujkani (45’ Beqaj) – Dallku, Cana, Teli, Vangjeli (83’ Lika) – Lila, Lala (55’ Bulku), Agolli, Duro (55’ Muzaka) – Bogdani (63’ Bakaj), Salihi (81’ Memushaj).
Trajner: Josip Kuzhe
Sllovenia: Handanović – Brečko, Cesar, Šuler, Jokič – Kirm, Radosavljević, Bačinović (66’ Šukalo), Birsa – Novaković (68’ Ljubijankić), Matavž (46’ Dedič).
Trajner: Matjazh Kek
Minutat
3’ Rasti i parë i takimit. Duro ekzekuton një goditje dënimi të fituar nga Salihi. Krosi i tij devijohet në goditje këndi nga mbrojtësit sllovenë. Nga këndi është sërish Duro, por kuqezinjtë nuk rrezikojnë seriozisht portën sllovene.
10’ Sllovenia i afrohet portës së Ujkanit në dy raste. Cana pastron rrezikun.
24’ GOL!! Sllovenia kalon në avantazh. Kundërsulm i shpejtë i sllovenëve, që shfaqen në epërsi numerik para zonës, pasim i saktë për Novakoviç, që lëviz bukur pas shpinës së mbrojtjes kuqezi dhe paraqitet i vetëm me Ujkanin. Sulmuesi në pozicion diagonal e dërgon topin lehtësisht në rrjetë.
27’ Lila për pak sa nuk doli vetëm me portierin slloven nëse do të kishte zotëruar një pasim të Duros. Më pas Kristi Vangjeli ndëshkohet me karton të verdhë pas një ndërhyrjeje të parregullt.
38’ Ujkani zgjidh një moment të vështirë me një dalje të shpejtë, duke larguar topin një sekondë para sulmuesve sllovenë.
42’ Shqipëria i afrohet portës së Handanoviçit dy herë, me Salihin dhe më pas Lilën, të cilët nuk arrijnë të finalizojnë.
45’ Mbyllet pjesa e parë e takimit Shqipëri-Slloveni me rezultatin 0-1. Rezultat i drejtë për atë që ekipet dhanë në fushë. Sllovenët luajtën më mirë, duke pasur edhe më shumë raste, ndërsa kuqezinjtë nuk rrezikojnë asnjë herë seriozisht portën e Handanoviç. Në nxemje ka dalë portieri Beqaj, që mund të futet në vend të Ujkanit. Ky i fundit mund të kishte bërë diçka më shumë në momentin e golit.
Pjesa e dytë
47’ Rast flagrant për Slloveninë. Depërtim i Kirm në të majtë, pasim i saktë për sulmuesin Matavz, që godet, por nuk arrin të dërgojë topin në rrjetë.
50’ Dallku fiton një goditje dënimi pranë flamurit të këndit, që ekzekutohet nga Duro. Në fillim godet Lila me kokë e pastaj Dallku në rrëmujë, sërish me kokë nuk arrin të gjejnë portën.
55’ Kuzhe kryen dy zëvendësime. Fut në fushë Muzakën e Bulkun për Duron dhe Lalën.
58’ Bulku kroson nga goditje e dënimit në zonë për Lilën, që godet pa sukses. Topi nuk gjen kuadratin.
61’ GOL!!! Shqipëria barazon 1-1. Supergol i Ervin Bulkut. Mesfushori merr një top nga Lorik Cana, i cili theu mjaft bukur në mes një aksion të sllovenëve, dhe lëshon një predhë nga 25 metra. Portieri Handanoviç nuk mund të bëjë asgjë. Kuqezinjtë marrin zemër.
70’ Sllovenia për pak sa nuk kalon në avantazh. Teli largon topin nga vija fatale, pasi gjuajtja e numrit 19 të Sllovenisë, Ljiçiç po i drejtohej portës. Vendimtar edhe devijimi i Beqajt, që e ngadalësoi sferën.
72’ Shqipëria shpëton për mrekulli. Topi i gjuajtur nga Ljiçiç përplaset në shtyllën e djathtë të Beqajt.
78’ Salihi rrëzohet në zonë pas një kontakti me një mbrojtës, për gjyqtarin kryesor grek nuk ka 11-metërsh.
89’ Gol! 11-metërsh për Slloveninë. Gjyqtari kryesor grek akordon penalltin pas një ndërhyrjeje të parregullt të Canës brenda zonës. Karton i verdhë edhe për kapitenin. Nga pika e bardhë godet saktësisht Dediç, që mashtron Beqajn. 1-2
90’ Përfundon takimi Shqipëri-Slloveni me rezultatin 1-2.