Hapja e sezonit për eliminimin e qenve te rrugeve në Prrenjas ka pasur reagime ndërkombëtare. Nga agjencia e lajmeve Mediaset mesohet se ish-ministrja e Kulturës në qeverinë italiane, Michela Vittoria Brambilla, i ka bërë apel Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha nëpërmjet një letre. Ajo i kërkon Berishës të ndërhyjë me autoritetin e tij për të ndalur masakrën e paralajmëruar në Prrenjas, qytetin 100 km larg Tiranës që ka angazhuar dy gjuetarë për vrasjen e qenve rrugaçë. Këtë deklaratë e ka bërë të njohur për agjencinë e lajmeve ANSA federata italiane për të drejtat e kafshëve dhe mjedisit, ku Brambilla bën pjesë. “Kjo metodë e zgjedhur për të luftuar kundër kafshëve të rrugës, nuk mund të zbatohet nga një vend si Shqipëria, kandidat për të hyrë në Bashkim Europian”, citohet ish-ministrja, e cila thekson faktin se përballë kësaj gjendjeje “vendi ynë nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë indiferent”. Reagimi i shoqatave italiane erdhi pak ditë pasi Bashkia e Prrenjasit paralajmëroi nisjen e fushatës së asgjësimit të qenve. “Problemi nuk zgjidhet me asgjësimin e kafshëve”, ka qenë deklarata e Laura Rossi-t, përfaqësuese e Lidhjes kombëtare për mbrojtjen ndaj qenve, në Itali. Madje, ajo ka shkuar deri aty sa të pohojë se Italia është e gatshme që të ofrojë të gjithë përvojën për të menaxhuar në mënyrë humane problemin e qenve rrugaçë. Përfaqësuesit e shoqatave të ndryshme falënderojnë dhe Ambasadën Italiane në Tiranë për mbështetjen në këtë çështje. Me gjithë reagimin publik, Këshilli Bashkiak i Prrenjasit ka vendosur dje se urdhri për ekzekutimin e qenve do të pezullohet vetëm 10 ditë. Urdhri i Bashkisë u diskutua në Këshill me kërkesë të Shoqatës së mbrojtjes së kafshëve. Me vendim të Këshillit u la një afat prej 10 ditësh që kjo shoqatë të mbledhë qentë rrugaçë, në rast të kundërt, kundrejt ligjit do të vriten të gjithë qentë që qarkullojnë rrugëve, dhe jo vetëm kafshojnë e trembin qytetarët, por përhapin edhe shumë epidemi”, u shpreh dje kreu i Bashkisë së Prrenjasit, Bajazit Karriqi.