Home Aktualitet Vrasja per gervishjen e makines, deshmite dhe dy versionet

Vrasja per gervishjen e makines, deshmite dhe dy versionet

391
0

vrasja per gervishjen e makinesVrasja e saldatorit 60 vjecar nga Tirana, Gezim Karaj per shkak te gervishjes se makines nga i dashuri i vajzes Amanda Hoxha, 30-vjeçari Artenc Shehu.

Flasin rreth ngjarjes gruaja e te ndjerit, vajza, dhe deshmitaret

Dëshmitari: Vajza e fyeu, ai s’reagoi..

Debati mes stjuardesës dhe saldatorit një orë e gjysmë para se ai të vritej me grushte e leva, është parë nga disa dëshmitarë. Një shitës në dyqanin përballë vendit ku u zhvillua debati tha se viktima nuk ka reaguar, edhe pse vajza e ka fyer disa herë bashkë me të ëmën.
“Ajo çfarë nuk nxori nga goja. As që pyeti që ai kishte moshën e babait të saj. E akuzonte kot sikur i kishte gërvishtur makinën. Por as që ia preku. Gëzimi ishte njeri i respektuar këtu në lagje, nuk bëhej fjalë që ai të fyente, aq më pak një femër. Le pastaj ta ketë qëlluar me shpullë, siç i tha ajo të dashurit në telefon”, tha dje një nga dëshmitarët e ngjarjes.

Naxhije Karaj rrëfen se i shoqi ishte fyer nga një vajzë e re, pse la disa dërrasa në rrugë. “I dashuri i saj e goditi për vdekje pa asnjë paralajmërim. U mundova ta çoj në spital, por vdiq gjatë rrugës”

Tiranë. Ndryshe nga deklarata e policisë, të arrestuarit si autor të vrasjes apo dëshmitarëve të tjerë, Naxhije Karaj, bashkëshortja e 59-vjeçarit të vdekur tregon se konflikti me fqinjën e tyre nuk ka ardhur për gërvishtjen e makinës. 52-vjeçarja thotë se ka qenë vajza, ajo që e ofendoi bashkëshortin e saj në nervozizëm e sipër dhe më pas i dashuri i saj e qëlloi, duke i shkaktuar plagë në kokë.

Sipas bashkëshortes së viktimës, sherri ka nisur për rrugën dhe jo për gërvishtjen e makinës. Atë mëngjes, bashkëshorti i saj, Gëzimi, kishte gjetur një raft të vjetër përpara servisit ku punonte. Pasi e kishte çmontuar, dërrasat i kishte hipur në biçikletë dhe ishte nisur t’i hidhte në koshin e plehrave. Por në një moment, rruga ka qenë e ngushtë dhe për të mos e bllokuar, Gëzimi i ka lënë dërrasat në tokë, derisa të kalonte një automjet.

Këtu, sipas saj, ka nisur edhe konflikti që përfundoi me vdekjen e bashkëshortit të saj, vetëm disa çaste pasi u godit nga 30-vjeçari Artenc Shehu. “Asnjë fjalë, asnjë sqarim, asgjë, por vetëm një e goditur. E pashë kur e goditi dhe burri ra në tokë”, – tregon mes lotësh Naxhije Karaj. “Ishte mëngjes dhe burri doli si çdo ditë për të shkuar në punë. Përpara servisit që kemi përballë shtëpisë ai gjeti një komodinë të vjetër që e kishin hedhur aty.

E mori, e çmontoi dhe dërrasat i ngarkoi në biçikletë për t’i hedhur më pas në plehra”, – thotë bashkëshortja e viktimës, teksa shton se ajo ka qenë dëshmitare në të dyja ngjarjet që ndodhën paraditen e së mërkurës. “Ai u nis me biçikletë për të hedhur dërrasat dhe në një pjesë rruga ishte e ngushtë. Për të mos e bllokuar rrugën ai uli dërrasat në tokë. Në këtë moment ka dalë nga makina një vajzë e re. Ajo ka nisur të shajë dhe ofendojë bashkëshortin, duke i thënë se nuk hidhen plehrat në rrugë”, – tregon 52-vjeçarja.

Sipas saj, bashkëshorti ka tentuar ta qetësojë dhe sqarojë vajzën për veprimin e tij, por ajo vazhdonte të shante e bërtiste së bashku me një grua tjetër të moshuar. Pas debatit, Gëzimi është kthyer në shtëpi dhe i ka treguar bashkëshortes së tij çfarë i kishte ndodhur në rrugë. Ai ka vazhduar i qetë rutinën e ditës, duke vajtur fillimisht te një nga fqinjët dhe më pas në servisin ku punonte si saldator për të mbajtur familjen.

“Pak momente më vonë vjen një djalë i ri, vajza që bërtiste dhe gruaja që ishte me të. Sapo vajza pa burrin, i thotë atij djalit: “Ja ky është”. Ai djali niset direkt te burri dhe fillon ta godasë atë. Burri ra në tokë dhe unë zbrita menjëherë te shkallët”, – tregon bashkëshortja e viktimës. Ajo ka tentuar t’i shkojë në ndihmë bashkëshortit, duke i thënë agresorit se po e vriste, por ai ka tentuar ta qëllojë edhe atë. Burri më pas ngrihet dhe nga frika ngjitemi në shtëpi. Pashë që kishte shenja në kokë dhe nxirje në fytyrë. Pas pak çastesh ai nuk po ndihej mirë dhe filloi të kishte dhimbje koke dhe të vjella”, – tregon bashkëshortja e Karajt.

Në këtë moment, sipas saj, ka njoftuar një taksi për ta çuar në spital, por vetëm pak çaste më vonë, 59-vjeçari ndërroi jetë. Naxhije Karaj thotë se të njëjtën dëshmi ka dhënë edhe në polici, ku ka deklaruar se i riu ka qëlluar pa asnjë sqarim bashkëshortin e saj, i cili ka rënë në tokë. Gruaja tashmë e ve, që duhet të rrisë e vetme dy vajzat binjake, kërkon ndëshkim maksimal për autorin e vrasjes së bashkëshortit të saj dhe apelon ndaj institucioneve të drejtësisë t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së ngjarjes.

Mjekësia Ligjore: Karaj u godit me sende të forta

Versioni i Mjekësisë Ligjore përjashton rrahjen me duar të 59-vjeçarit. Plaga pas kokës i mori jetën

Tiranë. Vdekja e 59-vjeçarit Gëzim Karaj pas sherrit për gërvishtjen e makinës mund të ketë ardhur si pasojë e dëmtimeve me mjete të forta në kokë. Ky është rezultati paraprak i hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me Mjekësinë Ligjore, duke dhënë kështu një version të ndryshëm nga ai i policisë.

Sipas burimeve të prokurorisë, mësohet se saldatori Gëzim Karaj është qëlluar me mjete të forta, por pa specifikuar llojin e mjeteve të përdorura nga agresori 30-vjeçar Artenc Shehu, tashmë i arrestuar. “Sipas raportit të Mjekësisë Ligjore, konstatohet një plagë në pjesën e pasme të kokës, pas veshit”, – tha një burim i prokurorisë.

Të dhënat e deritanishme konfirmojnë se janë paraprake, pasi ende nuk ka një analizë të plotë mbi ngjarjen. Por pavarësisht raporteve formale që pritet t’i bashkëngjiten dosjes hetimore, ajo që konfirmohet është se 59-vjeçari është qëlluar me mjete të forta. Kjo deklaratë e burimeve të rezervuara të prokurorisë është tërësisht e ndryshme me njoftimin zyrtar që policia e Tiranës bëri dy ditë më parë për këtë ngjarje.

Në një deklaratë për mediet, zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini, tha se 59-vjeçari Gëzim Karaj është qëlluar me grusht nga i arrestuari Artenc Shehu pas një konflikti të çastit. “Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka filluar pas një konflikti të çastit, ku autori ka goditur me grusht 59-vjeçarin Gëzim Karaj, i cili është dërguar menjëherë në spital dhe më pas ka gjetur vdekjen”, – thuhet në deklaratën e policisë. Goditjen me grusht e kundërshtuan menjëherë pas vdekjes së Gëzim Karajt edhe familjarë e të afërm të tij, të cilët thanë se i afërmi i tyre nuk ka vdekur nga grushtet apo shpullat, siç thotë policia, por sipas tyre, ai është goditur me levë.

Të njëjtën gjë konfirmoi edhe njëra nga vajzat e viktimës, e cila duke iu referuar asaj çka kishte parë nëna e saj, tha se babai ishte qëlluar me levë pas koke. Për këtë ngjarje, 30-vjeçari rrezikon të akuzohet për vrasje me dashje, edhe pse një gjë e tillë ende nuk është përfundimtare nga ana e prokurorisë.

Një burim pranë akuzës tha për gazetën “Mapo”, se në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura deri tani, akuza që do të ngrihet ndaj të arrestuarit Artenc Shehu është ajo e vrasjes me dashje. Brenda tri ditësh nga arrestimi i të dyshuarit, prokuroria pritet të depozitojë në Gjykatën e Tiranës kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj të arrestuarit Artenc Shehu, i cili përfundoi në pranga një orë pas ngjarjes së të mërkurës.

I arrestuari: E qëllova me shpullë, pasi më goditi të dashurën

Artenc Shehu, i arrestuar për goditjen për vdekje të Gëzim Karajt, ka pohuar në polici se kishte reaguar, për shkak se viktima i kishte goditur të dashurën

Tiranë. Artenc Shehu, 30-vjeçari i arrestuar për vrasjen e saldatorit Gëzim Karaj, është shprehur i penduar para hetuesve, duke thënë se nuk donte ta vriste të moshuarin. Ai ka deklaruar në polici, se e ka goditur me shpullë Karajn, pasi ky kishte qëlluar të dashurën e tij në konfliktin që kishin pasur në mëngjes.

“E kam qëlluar me shpullë vetëm një herë, pasi ai më kishte goditur të dashurën”, – mësohet të ketë thënë para hetuesve Artenc Shehu. Në dëshminë e tij, 30-vjeçari nga Korça me banim në Tiranë ka deklaruar se ka qenë e dashura e tij, Amanda Hoxha, ajo që e ka telefonuar dhe i ka thënë se një burrë e kishte qëlluar në rrugë. “Ajo më tregoi se një burrë i kishte gërvishtur makinën dhe nuk e kishte lejuar të nxirrte makinën nga parkimi”, – mësohet të ketë thënë Shehu.

Sipas tij, ai ka shkuar në servisin ku punonte 59-vjeçari Gëzim Kraj dhe i ka kërkuar atij të jepte sqarime rreth konfliktit që kishte ndodhur me të dashurën e tij. Më pas Artenc Shehu ka thënë se është ofenduar prej Karajt dhe për këtë arsye e ka goditur me shpullë. “I thashë që nuk duhet të maste forcën me një femër dhe e qëllova me shpullë. Ai nuk ra në tokë, por ishte ende në këmbë”, – ka treguar për grupin e hetimit 30-vjeçari Shehu. Sipas tij, kjo ka qenë e gjithë ngjarja për të cilën ai akuzohet, duke shprehur pendesë për gjithçka kishte ndodhur, pasi qëllimi i tij nuk ishte të vriste 59-vjeçarin, por të sqarohej për atë që kishte ndodhur me të dashurën e tij.

Ai gjithashtu ka deklaruar se, kur mësoi vdekjen e të moshuarit, është vetëdorëzuar në polici për të sqaruar gjithçka ndodhi. Por ky version i të arrestuarit bie në kundërshtim me dëshmitë e familjarëve të viktimës. Bashkëshortja dhe vajzat e tij kanë deklaruar se Shehu e ka qëlluar me sende të forta Gëzim Karajn, duke i shkaktuar plagë të rëndë. Nga ana tjetër, policia thotë se Amanda Hoxha, vajza që nisi konfliktin me të moshuarin, ka pasur një të nxirë në sy. Ajo pretendon se është qëlluar me shpullë nga 59-vjeçari.

Vajza e sherrit: Sherri nisi, pasi më kishte bllokuar rrugën

Amanda Hoxha, vajza që nisi konfliktin me 59-vjeçarin Gëzim Karaj, ka deklaruar në polici, se i moshuari e kishte qëlluar me shpullë, pasi ajo i kishte kërkuar të hapte rrugën, sepse ishte vonë për në punë. 27-vjeçarja nga kryeqyteti ka treguar në polici, se Karaj nuk kishte reaguar pas kërkesës së saj.

Ky ka qenë momenti kur i moshuari e ka qëlluar dhe ajo ka njoftuar të dashurin e saj. Vajza gjithashtu ka thënë, se nuk donte që situata të shkonte kështu dhe ka shprehur pendesë për atë që kishte ndodhur. Vajza thotë se të gjithë të pranishmit e kanë parë se i moshuari e ka qëlluar, por asnjë nuk ka reaguar dhe nuk i ka shkuar në ndihmë. Në këto kushte, ajo i ka telefonuar të dashurit dhe bashkë me të kanë shkuar te servisi ku punonte Gëzim Karaj.

“Hipa në makinë dhe do ta nxirrja nga parkimi për të shkuar në punë. Aty po kalonte një burrë me biçikletë, në të cilën kishte disa dërrasa. I them që të hapte rrugën, pasi isha vonë për në punë, por ai më tha të prisja pak. Prita disa minuta, por ai nuk po largohej dhe unë dola nga makina duke i thënë: Qenke i çuditshëm ti, hape rrugën se jam vonë për në punë.

Në këto momente ai më qëlloi me shpullë”, – mësohet të ketë thënë para hetuesve 27-vjeçarja. Sipas saj, gjithë ngjarja është parë nga banorët e lagjes, por askush nuk e ka ndihmuar. Ajo është ndier e frikësuar dhe e ofenduar nga veprimi i të moshuarit dhe i ka telefonuar të dashurit për t’i treguar çfarë i kishte ndodhur.

Artenc Shehu, i dashuri i saj, kishte ardhur menjëherë dhe të dy kishin shkuar te servisi ku punonte 59-vjeçari. “Artenci i kërkoi sqarim viktimës se përse më goditi. Ai e qëlloi të moshuarin dhe unë me mamanë ndërhymë për t’i ndarë. Më pas zbriti gruaja e tij dhe ne u larguam, ndërsa ata shkuan në shtëpi”, – ka treguar 27-vjeçarja. (MAPO)