Home Aktualitet Vritet Gedafi (Video dhe Foto). Vrasja e Gedafit

Vritet Gedafi (Video dhe Foto). Vrasja e Gedafit

364
0

Ish-diktatori i Libisë, koloneli Muammar Gaddafi, është konfirmuar i vdekur nga burime zyrtare, disa orë pas përhapjes së zërave të parë për këtë ngjarje.

Njeriu që drejtoi vendin e Afrikës Veriore për më shumë se 40 vjet nëpërmjet një regjimi autoritar dhe ushtarak, mbeti i vrarë në betejën për marrjen e Sirtes, qyteti i fundit i cili kishte mbetur ende në duart e besnikëve të diktatorit.

Ministri i Informacionit i qeverisë së përkohshme, Mahmoud Shammam, deklaroi se luftëtarët e ushtrisë rebele kanë mundur të identifikojnë trupin e pajetë të kolonelit. Ndërkohë, festimet kanë nisur të zhurshme në pjesë të tjera të vendit

Fillimisht u raportua nga mediat ndërkombëtare se koloneli ishte plagosur në këmbë, por më tej u njoftua se Gaddafi ndërroi jetë ndërsa po transportohej me ambulancë.

Në Spitalin e Misurata-s, ish-dikatori mbërriti i vdekur. Koloneli u kap ndërsa po tentonte që të largohej nga qyteti i tij i lindjes, Sirte. Por një sulm i NATO-s i mbështetur edhe nga rebelët, plagosi Geddafi-n.

“Ai u kap, u plagos në kokë dhe në të dyja këmbët dhe është marrë nga një ambulancë”, deklaroi fillimisht për agjencinë e lajmeve “Reuters” anëtari i KKT-së, Abdel Majid.

Sipas këtij burimi, pati një shkëmbim të ashpër zjarri mes rebelëve dhe grupit mbrojtës të kolonelit para se ky të kapej, në vendlindjen e tij, Sirte.

Ndërsa një ushtar që thotë se e kapi personalisht liderin e rrëzuar ka deklaruar për BBC se në momentin e arrestimit Gaddafi bërtiti: “Mos qëlloni”.

Gaddafi, i cili ka qeverisur Libinë prej vitit 1969, u rrëzua nga pushteti pas protestave që nisën në vend në muajin shkurt.

Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kërkoi arrestimin e tij, nën akuzën për krime kundër njerëzimit, të kryer ndaj popullsisë libiane.

Ndonëse reporterët e mediave ndërkombëtare nuk kanë mbërritur ende në Sirte dhe lajmi nuk është konfirmuar prej tyre, deklarata e Shammam përbën burimin e parë zyrtar që konfirmon ngjarjen.

Kush ishte Muammar Gaddafi?

Njeriu që drejtoi Libinë për 42 vjet, ndërroi jetë ditën e sotme, i vrarë në betejë për mbrojtjen e qytetit të tij të lindjes, Sirtes.

69-vjeçar, Gaddafi nuk e gradoi veten kurrë në gjeneral, duke pretenduar se gradat nuk ishin ato për të cilat kishte luftuar për t’u ngjitur në krye të shtetit. Ai morri në dorë drejtimin e Libisë në vitin 1969, pas një grushti ushtarak të suksesshëm, i cili rrëzoi Mbretin Idris, i konsideruar gjerësisht si një kukull në duart e britanikëve.

Origjina
Kolonel Gaddafi u lind në një familje beduinësh në Sirte, në vitin 1942. Gjatë të gjithës jetës së tij të mëvonshme, ai u identifikua me fiset tribale, veshjet e të cilëve preferonte të mbante vazhdimisht edhe në takimet me udhëheqësit e huaj.

Filozofia e tij, e publikuar në “Librin Jeshil”, prej të cilit morri ngjyrën edhe flamuri  vetëm jeshil i Libisë, bazohej në një udhëheqje të masave. Teoria fliste se Libia është shndërruar në një demokraci prej njerëzve, të cilët janë ata që udhëheqin Këshillat Revolucionarë.

I shkolluar në akademi ushtarake në Libi, Greqi dhe Mbretërinë e Bashkuar, diktatori konsiderohej gjërësisht si një manipulues shumë i aftë, i cili arriti të devijonte disa tentativa për ta rrëzuar nga pushteti, duke ndërsyes fiset e fuqishme tribale midis tyre.

Terrorizmi dhe izolimi
Gjatë katër dekadave në pushtet, koloneli shpiku një sistem të ri të drejtimit të shtetit, mbështeti grupimet radikale të armatosura, si IRA në Irlandën e Veriut dhe vendosi vendin e tij në listën e shteteve që sponsorizonin terrorizmin.

Përgjegjës për shpërthimin e një avioni civil në ajër, që shkaktoi vdekjen e pothuajse 300 personave mbi Skoci  në vitin 1988, Gaddafi u përball me bllokada të fuqishme ndërkombëtare dhe disa tentativa të pasuksesshme të shërbimeve sekrete për ta vrarë.

Regjimi represiv
Regjimi i tij u karakterizuar nga një kontroll i rreptë policore dhe nga terrori i shërbimeve sekrete, të cilat praktikisht ishin gjerëisht të përhapura dhe kontrollonin edhe gjërat më të vogla në jetën e përditshme të libianëve.

Periudha më e keqe për popullin prej më shumë se gjashtë milion banorësh, i shtetit të madh sa Franca, Gjermania dhe Britania marrë së bashku, konsiderohet ajo e viteve 1980.

”Revolucioni kulturor”

I ashtuquajturi “revolucioni kulturor” ndaloi të gjithë aktivitetin privat dhe librat u ndanë në kategori, me ata që u përfshinë në kategorinë e padëshiruar, që u dogjën në mënyrë demonstrative në rrugët e vendit.

Regresi ekonomik
Disidentë të shumtë u vranë, ndërsa koloneli eksperimentoi disa modele të ndryshme ekonomike, në thelb unike, të cilat vetëm sa sollën regres dhe varfërimin e libianëve, tashmë të rënduar edhe nga bllokada ndërkombëtare.

Me vetëm gjashtë milion banorë, territor të pafundëm dhe rezerva nafte që sjellin në arkat e shtetit mbi 30 miliardë dollarë në vit (në 2010-n, më parë edhe më shumë), Libia duhet të ishte një prej shteteve më të pasur në botë, por pasuria nuk është ndarë kurrë në një mënyrë të barabartë.

Me një papunësi prej 30%, revoltat që eventualisht sollën fundin e regjimit ishin të paevitueshme, pavarësisht subvencioneve të mëdha shtetërore gjatë të katër dekadave, midis të cilave arsimimi, kurimi dhe transporti falas.

Vitet e hapjes
Në vitin 1999, lideri libian bëri një rikthim nga izolimi total i vendit, duke pranuar publikisht përgjegjësinë për vendosjen e bombës në avionin që shpërtheu mbi fshatin skocez të Lokerbisë, nga ku ka marrë edhe emrin ngjarja.

Pas 11 shtatorit 2001, ai nënshkroi një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, duke u bërë aleat i të ashtuquajturës “lufta mbi terrorin”. Pas pushtimit të Irakut në vitin 2003, Gaddafi përforcoi edhe më shumë pozitat në sytë e opinionit ndërkombëtar, duke shpallur ndërprerjen e të gjithë programeve libiane të armëve bërthamore dhe atyre biologjike.

Fundi i një diktatori
Megjithatë, gjatë vitete të fundit të jetës dhe drejtimit të kolonelit, tensionet u rritën në mënyrë graduale, duke shpërthyer në një revoltë të armatosur, pas frymës së re që solli lëvizja e “Pranverës Arabe”.

Popullit libian, iu desh një luftë disa-mujore, për të sjellë eventualisht fundin e regjimit 42-vjeçar. Falë ndërhyrjes së NATO-s, këmbimi i pushtetit më në fund u bë i mundur, me koston e shkatërrimeve masive në të gjithë vendin dhe të më shumë se 30 mijë viktimave, njëri prej të cilëve, ishte edhe vetë diktatori.