Ministri i Jashtëm i Republikës Popullore të Kinës, Yang Jiechi ka zhvilluar sot një seri takimesh me personalitete në vend, si presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha.
Duke e cilësuar Kinën, si një nga partnerët kryesore tregtare të Shqipërisë, kreu i shtetit theksoi se kompanitë kineze janë të mirëpritura për të investuar në energjitikë, infrastrukturë hekurudhore, ndërtimin e parqeve industriale, në turizëm, dhe sektorë të tjerë.
Vetë kryeministri Berisha tha se investitorët kinezë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme, në mënyrë që ato të kthehen në histori të vërteta suksesi.
“Duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë, kryeministri u shpreh i gatshëm të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze, si dhe inkurajoi investime në infrastrukturën portuale.”- thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Në këtë kuadër, ministri Yang Jiechi u shpreh se zyrtarët midis dy vendeve duhet të studiojnë të gjitha projektet e zhvillimit dhe mundësitë për financimin e tyre, si dhe shprehu interes për krijimin e një zone të lirë për investimet kineze.
Çështja e Kosovës ishte gjithashtu temë e diskutimeve, ku të dy liderët kërkuan që në të ardhmen Kina të shqyrtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës si veprimi më i drejtë, në kuadër të stabilitetit dhe paqes në rajon
Ministri Yang Jiechi u shpreh se qeveria kineze i ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe se Kina është për një zgjidhje të përshtatshme me dialog dhe në bazë të rezolutave të OKB-së. Ai gjithashtu mbështeti dialogun midis dy vendeve.