Kundërshtari ka qenë modest, sepse militon në Kategorinë e Dytë shqiptare, megjithatë kuqezinjtë e De Biazit kanë dhënë sinjale mjaft pozitive në prag të ndeshjes kualifikuese të së premtes, ndaj Islandës. Plot 9 gola ka realizuar kombëtarja në portën e Olimpikut, duke treguar se lojtarët e saj janë të “zhbllokuar” para ballafaqimeve me dy kundërshtarët e radhës në grupin E kualifikues për “Botërorin 2014”. Gjithsesi, ajo që ka bërë më shumë përshtypje ka qenë vendosja e skuadrës në fushën e blertë, ku kapiteni Lorik Cana ishte spostuar në mesfushë, i rikthyeri Debatik Curri luajti përkrah Mavrajt në qendër të mbrojtjes kuqezi. Sa u përket golave, ato janë shënuar nga Sadiku (3), Bogdani (2), Salihi, Cani, G.Lika dhe Roshi (1). Duke i ndjekur me vëmendje në veprim, trajneri De Biazi është dukur i kënaqur nga forma sportive e të tijve, ndërsa mbante shënim e ndërhynte duke udhëzuar. Dukej qartë se italiani i stolit të kombëtares ishte në kërkim të formacionin titullar, të cilin do ta hedhë në fushë ndaj islandezëve. Në pjesën e parë De Biazi aktivizoi këta futbollistë: Në portë Etrit Berisha, para tij, në mbrojtje: Lila, Curri, Mavraj dhe Arapi; në mesfushë: Vila, Bulku, Hyka dhe G.Lika; ndërsa në sulm dyshja Salihi-Cani. Në këtë fraksion loje, që zgjati diçka më tepër se 30 minuta, shënuan G.Lika, Çani dhe Salihi.
Në pjesën e dytë trajneri i kombëtares e ndryshoi të gjithë ekipin, duke nisur nga porta, ku aktivizoi Ujkanin, për të vijuar me mbrojtjen, që tashmë iu besua katërshes: Dallku, Osmani, Veliu, Agolli; ndërsa në mesfushë pati vend për Roshin, Canën, Kukelin dhe Mehën. Sulmi përbëhej nga dyshja Bogdani-Sadiku. Me këtë formacion, kombëtarja kuqezi realizoi edhe 5 gola të tjerë. Tepër i lëvizshëm u shfaq kosovari Meha, ndërsa nuk munguan driblimet dhe inkursionet e Odise Roshit nga e djathta, që shënoi edhe një gol. Në lartësinë e duhur ishin edhe sulmuesit Sadiku (realizoi tripletë) dhe Bogdani (realizoi dopietë). Zhvendosja e Lorik Canës në mesfushë duket se ka ardhur si rezultat i rikthimit të Debatik Currit në kombëtare dhe aktivizimit të tij në qendër të mbrojtjes, duke përbërë kësisoji dyshen me Mavrajn. Nisur nga shtatlartësia e tyre, një element i domosdoshëm në luftën në ajër karshi islandezëve, me këta të fundit gati në parametra fizikë prej basketbollistësh, trajneri De Biazi duket se beson në efikasitetin e tyre, edhe pse Mavraj dhe Curri nuk kanë provuar të luajnë bashkë deri më tani.
Duka dhe Bushi ndjekin kombëtaren ndaj Olimpikut
Mbrojtje të hekurt dhe sulm të frikshëm
Kështu ka menduar që t’i presë trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi, mysafirët islandezë e sllovenë në dy sfidat që do të zhvillohen me datë 12 dhe 16 tetor në stadiumin “Qemal Stafa”, të vlefshme për eliminatoret e kupës së Botës “Brazil 2014″. Përfaqësuesja ka zbritur në fushë pasditen e djeshme, kur është stërvitur për rreth dy orë. Seanca stërvitore ka nisur si gjithnjë me vrapime të shkurtra, ndërsa më pas italiani e ndau skuadrën në dy pjesë dhe vuri në praktikë disa skema, që do t’i përdorë ndaj kundërshtarëve. Pjesa ofensive e skuadrës për më shumë se 40 minutash bombarduan me goditje nga distanca portierët: Ujkani dhe Berisha, ndërkohë që nga krahët krosonin Vila dhe Meha. Ndërsa reparti i mbrojtjes, duke filluar që nga Cana, Dallku, Curri, e Lila, deri tek Arapi, Veliu, Agolli e Osmani, provoi nën drejtimin e ndihmësit të De Biazit disa skema mbrojtëse dhe sesi të bënin sa më mirë ofsajtin. Gafa e rëndë që mbrojtja bëri në ndeshjen më Zvicrën, në rastin e golit të parë, ka bërë që tekniku italian t’i kushtojë më shumë kohë dhe vëmendje këtij reparti.
Rreshtimi – Me shumë gjasa ndaj Islandës do të shikojmë në qendër të mbrojtjes dyshen Curri-Mavraj, të cilët nuk kanë luajtur bashkë në përfaqësuese, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës do të jetë ajo e dy ndeshjeve të para. Nga krahët De Biazi pritet të aktivizojë Dallkun dhe Lilën. Ky i fundit, edhe pse është një mbrojtës tipik i djathtë, duket se preferohet më shumë sesa Agolli. Në mesfushë, në vend të Bulkut, De Biazi ka provuar mesfushorin Lilaj, i cili së bashku me Mehan, Kukelin dhe Vilën u provuan me disa skema, por nuk mendohet të ketë surpriza. Mbetet të shihet cili do të akrifikohet prej tyre nëse spostimi i kapitenit Lorik Cana në mesfushë do të bëhet realitet nga De Biazi. Ajo që binte më shumë në sy ishte fakti që në skuadrën e titullarëve, në stërvitjen e së martës, bënin pjesë Çani dhe Sadiku.
Mavraj – Mavraj nuk u stërvit me skuadrën dhe as bëri përgatitje individuale, por në miqësoren e së mërkurës ndaj Olimpikut ishte titullar në pjesën e parë, duke luajtur përkrah Currit. Sipas burimeve nga Kombëtarja, qendërmbrojtësi kuqezi, kapiteni i Greuth Furthit në Bundesligë, ndjen dhimbje në pjesën e hijes. Të njëjtat burime konfirmuan se mbrojtësi nuk vuan nga ndonjë dëmtim i rëndë, ndaj duke nisur që nga sot iu bashkua grupit. Në këtë këndvështrim, ekziston mundësia që deri ditën e ndeshjes De Biazi të ketë dilema për qendrën e mbrojtjes. Kjo varet edhe nga forma sportive e të rikthyerit pas një viti në kombëtare, Debatik Curri. Nëse ky i fundit do të jetë plotësisht gati për t’u aktivizuar ndaj Islandës, me shumë gjasa Cana do të “patrullojë” mesfushën, si një “digë” para katërshes së prapavijës kuqezi.
Curri, asist De Biazit: Gati të luaj titullar
Rikthehet Debatik Curri në Kombëtare dhe është pikërisht ai që starton me konferencën e parë për shtyp, për sa u përket lojtarëve në prag të ndeshjes me Islandën. Qendërmbrojtësi (luan edhe në mesfushë si shkatërrues), i cili iu bashkua “familjes” së madhe të Kombëtares pas më shumë se 1 vit mungesë, deklaroi se është rikuperuar plotësisht dhe tashmë do të jetë i gatshëm të japë kontributin e tij për përfaqësuesen. Mbrojtësi tha se është shumë i lumtur që i është bashkuar skuadrës, ndërsa shtoi se do të japë maksimumin që Kombëtarja t’i fitojë këto dy ndeshje. “Jam rikthyer pas një kohe relativisht të gjatë, por kam gjetur një atmosferë tejet të ngrohtë në skuadër. Më mungoi realisht kjo gjë, ashtu sikundër më ka munguar futbolli i fushës. Gjithsesi, kam lënë pas dëmtimin dhe tani jam rikthyer në formën time më të mirë. Personalisht gjykoj se jam gati për të luajtur në të dyja ndeshjet, por kjo është një gjë që duhet ta vendosë trajneri”, – ka thënë fillimisht Curri.
Islanda – Më tej ai i ka bërë një ekspoze të shkurtër kundërshtarit, duke anashkaluar atë që islandezët mendojnë se e kanë armën e tyre më të fortë: lojën në ajër, për shkak të shtatlartësisë. “Islanda është një skuadër e vështirë për t’u kaluar dhe armën më të fortë ka lojën në ajër, por në këtë aspekt në jemi në rregull, pasi në gjirin e skuadrës kemi lojtarë shtatlartë dhe nuk duhet t’i kemi frikë. Këto dy ndeshje janë një mundësi shumë e mirë për të shkuar më tej, prandaj duhet t’i fitojmë me patjetër ato. Fillimisht duhet të mendojmë se si të mundim Islandën dhe, pasi ta kemi arritur këtë, të mendojmë për Slloveninë. Kemi një rast të mirë për të bërë përpara me këto dy ndeshje në krye të grupit”, – pohoi Curri.
Gabimet – Sakaq, kosovari i kuqezinjve theksoi edhe faktin se skuadra duhet të jetë shumë e kujdesshme, pasi disa gabime kushtojnë shumë dhe janë të pandreqshme. “U treguam pak naivë me Qipron se pësuam një gol në një çast të vështirë, por me Islandën duhet të fitojmë patjetër. Kur pësohet goli faji shkon më së shumti te mbrojtja, por mendoj se faji në këtë rast është i gjithë skuadrës. Këto ditë që kemi në dispozicion do të diskutojmë dhe do të provojmë disa skema, në mënyrë që të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze. Kam një dëshirë të madhe për të luajtur në këto dy ndeshje, por për këtë vendos vetëm trajneri. Nëse do të jem në fushë do të jap maksimumin tim si në çdo ndeshje që kam luajtur për ekipin kombëtar”, – përfundoi Curri.
Cana në mesfushë? Bulku: Nuk më tremb konkurrenca
Ervin Bulku beson se për të goditur kundërshtarin, më parë duhet zbuluar pika e fortë dhe e dobët, ndërsa shtoi se konkurrencën në ekip e shikon si një gjë që është për të mirën e skuadrës. “Morali i skuadrës është i lartë, pasi kemi fituar një ndeshje me kundërshtarin tonë direkt, i cili është Qipro dhe tashmë gjendemi përballë dy ndeshjeve të radhës. E rëndësishme për ne është që të futemi në fushë për tri pikë, sepse edhe Islanda është një ekip si Qipro pak a shumë dhe ata janë kundërshtarët tanë direkt. Si çdo skuadër edhe Irlanda ka pikat e dobëta dhe të forta të saj, prandaj i takon trajnerit për ta projektuar ndeshjen dhe ne lojtarët më pas duhet t’i zbatojmë me përpikëri detyrat që do të na caktojë ai. Rikthimi i Canës në mesfushë? Nuk është një pyetje që mund t’i përgjigjem unë. Konkurrenca në çdo repart është shumë e mirë dhe jo vetëm në skuadrën tonë, por edhe në të tjera konkurrenca e madhe bën mirë. Çdo lojtar që është pjesë e ekipit kombëtar mundohet të japë maksimumin, por në fund është trajneri që i zgjedh lojtarët”, – u shpreh Bulku. Ndërkohë, mesfushori nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se kalimi në Iran te Sepahan i ka dhënë një tjetër shtysë karrierës së tij. “Jo vetëm në Iran, por në të gjithë botën nuk është se ka ndryshim të madh dhe do të thosha se luhet një futboll i shpejtë teknik, që ndiqet dhe që ka një nivel më të lartë se kampionati që luaja një vit më parë. Do mundohem të jap më të mirën për skuadrën time të re dhe nuk do ta veçoja nga kampionatet më të forta”, – përfundoi mesfushori.
LEONIDHA MUSAJ
KAOS ME BILETAT, NUK GJENDEN NË TREG
Biletat për ndeshjet me Islandën dhe Slloveninë, duhej të kishin dalë që para tri ditësh në treg. Të paktën kështu u konfirmua nga FSHF-ja, në një njoftim të publikuar në faqen e saj zyrtare. Por fakt është se, pas një hulumtimi direkt të Panorama Sport, të paktën deri ditën e djeshme në orën 18:00, në mjaft pika në Tiranë, shitësit pohonin se nuk i kanë marrë ende biletat për ti shitur. Ndërkohë, zyrtarisht nga FSHF-ja pohojnë se shitja e biletave ka nisur që prej tri ditësh. “Unë di që biletat janë në shitje. Jo pa qëllim kemi nxjerrë një njoftim në faqen tonë zyrtare, pasi u bë faktike që biletat ishin për treg. Ne jemi të interesuar më shumë se kushdo që të shiten bileta dhe Kombëtarja të ketë sa më shumë tifozë ndaj Islandës”, ka pohuar drejtori për mediat në federatë, Lirim Zalla. Sakaq çmimet për këto dy sfida janë: tribunat kryesore A dhe B: 3500 lekë dhe 5000 lekë; tribuna D2: 1000 lekë; tribunat D1 dhe D3: 700 lekë; tribunat C dhe E: 200 lekë. Ndërkaq, për të pasur sa më shumë mbështetje në këto dy takime, federata ka nisur edhe një aksion publicitar në të gjithë Shqipërinë e përtej.
Shqipëria, favorite ndaj islandezëve
Të vësh bast për Shqipërinë ndaj Islandës do të thotë që të fitosh një shumë të mirë parash. Kjo, për faktin se koeficienti i kuqezinjve është relativisht i lartë, por gjithsesi favorit në krahasim me Islandën. Kështu, sipas kompanive të basteve, fitorja e kuqezinjve kuotohet me 2.25, ndërsa ajo e islandezëve në “Qemal Stafa” këtë të premte kuotohet me koeficientin 3.20. Edhe barazimi ka të njëjtën kuotë (3.20), çka të bën të besosh se ishullorët do të tentojnë më së shumti që të mos dalin pa pikë nga kjo ndeshje. Sa u përket kuotave të basteve me pjesë, koeficienti më i ulët është fitore e Shqipërisë që në pjesë të parë dhe sigurisht fitore edhe në fund të ndeshjes (1/1), që kuotohet me 3.60. Barazim në pjesë të parë dhe fitore e kuqezinjve në fund (sikundër ndodhi me Qipron) ka koeficientin 5.50, ndërsa barazimi në pjesë të parë dhe fitorja në të dytën e islandezëve kuotohet me 7.50. Rezultati më i paparashikueshëm, pra më i vështiri, është fitorja e Islandës në pjesë të parë dhe përmbysja e kuqezinjve në pjesë të dytë dhe gjithë ndeshjen (2/1), çka kuotohet me 34.00.
Islanda, 4 vjet pa fitore në transfertë
Nuk është një skuadër që shquhet për futbollin e vet dhe ca më pak kur del jashtë kufijve të ishullit. Në këtë kontekst, kemi të bëjmë me një kundërshtar pak a shumë sikundër skuadra jonë: e fortë dhe goxha e motivuar në fushën e vet, në Rekjavik, dhe e brishtë dhe e dobët në transfertë. Kështu, për të parë fitoren e fundit të islandezëve në një ndeshje jashtë duhet të kalosh 18 takime të tjera të kësaj skuadre dhe të mbërrish te 19 nëntori i 2008-ës, kur ajo do fitonte minimalisht ndaj Maltës. Para kësaj sfide në transfertë, Islanda është mundur nga Skocia, Maqedonia, Irani, Danimarka, Hungaria, Izraeli, Norvegjia, Portugalia, Japonia, Franca, Suedia dhe Qipro. Ndërsa ka barazuar me Luksemburgun, Qipron e Meksikën. Nga ana tjetër, Shqipëria ka humbur për herë të fundit në fushën e saj në një miqësore ndaj Azerbajxhanit (0-1) në nëntorin e vitit që shkoi. Islanda ndërkaq nuk do të ketë ndaj Shqipërisë sulmuesin e saj kryesor, Kolbein Sigtorson. Ky i fundit është pjesë e Ajaksit dhe me Kombëtaren ka shënuar 8 gola në 11 ndeshje. Megjithatë, një siguri për kundërshtarin e Shqipërisë është mesfushori Gylfi Sigurdson, i cili vlerësohet si ylli i Islandës. Ai bën pjesë te Totenhemi në Premier Ligë dhe klubi anglez pagoi plot 8 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit. Sigurdson ka luajtur 12 ndeshje me Islandën, ndërsa ka shënuar vetëm një gol. Kapiten i Islandës është Aron Gunarson, vetëm 23 vjeç, por që ka plot 31 ndeshje me përfaqësuesen. Ai ka debutuar që në moshën 19-vjeçare, ndërkohë që aktualisht është pjesë te klubi i Kardifit në kampionatin anglez.
De Biazi: Shqipëria ime nuk kënaqet me 4 pikë
‘Nuk vë bast për katër pikë në këto dy ndeshje. Unë luftoj të kap gjithnjë maksimumin, por kujdes kur thoni se ky është shansi që Shqipëria të marrë 6 pikë. Do luftojmë, por mos harroni se jemi një skuadër e vogël dhe në ndërtim e sipër”. Kështu ka deklaruar Xhani de Biazi në konferencën e djeshme për shtyp, teksa ka folur për dy ndeshjet e radhës së kuqezinjve kundër Islandës dhe Sllovenisë më 12 dhe 16 tetor. Ai i ka bërë një analizë të hollësishme situatës që po kalojnë lojtarët e Kombëtares, ku nuk ka munguar edhe apeli për përqendrim dhe përulësi. “Jemi duke punuar për të realizuar një ëndërr, por duhet shumë punë, duhet kohë, duhet edhe durim”, – është shprehur ai.
Mister, luajmë kundër Islandës dhe Sllovenisë. Nga opinioni publik konsiderohen si dy ndeshje që duhen fituar patjetër, a shton kjo presionin për ekipin dhe stafin?
Duke u nisur nga kjo logjikë, edhe mund t’i humbasësh të dyja, nëse do të përsërisim gabimet që bëmë kundër Zvicrës. Duhet luajtur në mënyrën e duhur. Nëse luan me arrogancë, ashtu siç bëmë edhe kundër Qipros, mund të arrijmë diçka të mirë. Islanda arriti ta mposhte 2-0 Norvegjinë. Jua përsëris, është një ndeshje e vështirë. Edhe në përballjen kundër Qipros, fituam edhe me fat. Qipro ishte një skuadër që renditej në vendin e 127-të në FIFA, ndërsa tani Islanda ndodhet në vendin e 97-të, ndërkohë që Sllovenia ndodhet në vendin e 35-të, pra shumë më mirë se ne. Ashtu si ju të gjithë, edhe unë kam dëshirë t’i fitoj këto dy ndeshje. Duhet ta bëjmë këtë me një përgatitje të mirë, me një arrogancë, përqendrim, por dhe duke i njohur pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit.
Sa i njihni kundërshtarët?
Dua t’ju bëj të qartë që në fillim se sot do të flasim vetëm për Islandën. Do ishte e pafalshme të mendonim për ndeshjen me Slloveninë, pa luajtur atë me Islandën. Duhet përqendrim total. Sa i përket ndeshjes me Islandën, po ju them se ata janë një skuadër e vështirë. Do të jetë një përballje shumë delikate, pasi mendoj se ata kanë disa avantazhe që ne nuk i kemi. Së pari, islandezët janë një skuadër shumë fizike. Së dyti, kanë një grup futbollistësh që luajnë prej shumë kohësh bashkë edhe kuptohen mirë në fushë. Së treti, kampionati i tyre, ku luajnë edhe pjesa dërrmuese e lojtarëve, është në javën e 18- të. Pra, fizikisht dhe atletikisht ata janë shumë më lart. Por kjo nuk do të thotë se ne i kemi frikë dhe se duhet të biem në depresion. Ne jemi një skuadër këmbëngulëse, me cilësi dhe me kurajë, ndaj edhe do të përpiqemi të marrim maksimumin.
Keni thirrur Debatik Currin, ka gjasa që ai të rikthehet në qendër të mbrojtjes dhe Cana të spostohet në mesfushë?
Shikoni, Curri është një lojtar që ka shumë eksperiencë si me kombëtaren, por edhe me klubet. Ai është një futbollist me shumë cilësi, por unë më parë dua ta shoh nga afër, të shoh se ku mund të më shërbejë dhe më pas do të vendos se çfarë do të bëj. Gjithsesi, është një ogur i mirë që na shtohen alternativat dhe kemi mundësi zgjedhjeje.
Islanda renditet në vendin e 97-të në FIFA…
Po, keni të drejtë, por Islanda mundi Norvegjinë që renditet në vendin 26 dhe luajti shumë mirë me Qipron. Luajti shkëlqyeshëm madje, pavarësisht se humbi. Shumë prej jush mendoni se Islanda është një kundërshtar lehtësisht i kalueshëm, por jam i bindur se asnjë nga ju nuk ka parë ndonjë ndeshje të Islandës. Unë po, kam parë, sepse ma do puna dhe po ju them se kemi të bëjmë me një skuadër të rrezikshme.
Ju thoni se Islanda është një skuadër shumë e fortë fizikisht, kjo do të thotë se ndryshe nga ndeshja me Qipron që e fituam në minutat e fundit duke luajtur me topa të gjatë, këtë herë do të luajmë më shtruar, duke u bazuar te teknika?
Varet. Çdo kundërshtar përballohet në mënyra të ndryshme. Unë mund t’ju them se do të bëjmë gjithçka për të fituar.
Ku duhet të përmirësohet Shqipëria?
Mendoj se duhet të përmirësohemi në aspektin taktik. Kemi ende nevojë që të kolaudohemi. Jemi në një fazë ku po përpiqemi të ndërthurim një skuadër me të ardhme, por më besoni se nuk është e lehtë dhe kjo do kohë.
Pse nuk thirret Kapllani, ndërkohë që po shënon sistematikisht?
Unë i mbaj nën vëzhgim lojtarët dhe po ju them se Kapllani, Berisha, e disa të tjerë janë gjithnjë në fokusin tim. Dje (të dielën) Berisha luajti ndeshjen e parë në kampionat. Nëse ai do të vazhdojë të shënojë nga një gol për çdo javë, sigurisht që do të jem i detyruar ta thërras. Ashtu si edhe Kapllanin, apo ndonjë futbollist tjetër. Por më lejoni t’ju jap një shpjegim se pse kam marr këta sulmues. Është e vërtetë se Bogdani nuk po luan te Siena, por cilësitë e tij nuk vihen në diskutim. Ai është një lojtar që i jep besim skuadrës edhe duke qëndruar në stol, që ndikon për mirë në atmosferën e ekipit dhe ndër të paktët që mund të bëjë diferencën edhe nëse hyn nga stoli. Salihi nuk po kalon një moment të mirë në SHBA, por me gjithë respektin që kam për të tjerët, nuhatjen që ka ai për golin brenda zonës, nuk e kanë të tjerët. Përveç kësaj kam parë se kur ai vesh fanellën e Kombëtares transformohet dhe jep mbi 120 për qind nga vetja. Ju thashë arsyet se përse zgjodha dy sulmues mbi 30 vjeç (oh, më falni, se Salihi është shumë më i ri, është 28). Tani po ju them se përse kam marr Çanin dhe Sadikun. I pari është një lojtar me cilësi, që duam të rritet dhe të jetë pjesë e projektit për të ardhmen. Po e njëjta gjë vlen edhe për Sadikun, i cili për hir të së vërtetës ka shënuar thuajse çdo javë në Zvicër, madje edhe nga dy gola.
Ju e keni drejtuar Shqipërinë në gjashtë ndeshje dhe në vazhdimësi jeni ankuar për mungesën e një lojtari fantazist. A mendoni se më në fund e keni gjetur atë në grupin e futbollistëve që keni thirrur?
Unë e kam drejtuar Shqipërinë në gjashtë ndeshje. Në ndeshjen e parë kundër Gjeorgjisë më mungonin disa lojtarë si Cana, Bogdani, apo ndonjë tjetër. Gjithsesi, jo të gjitha skuadrat kanë ndonjë fantazist tip Pirlo, apo ndonjë tjetër. Pastaj, nuk ka rëndësi nëse e ke një plejmejkër, apo jo. Kjo varet nga strategjia që ndërton. Të mjafton të kesh dy lojtarë që dinë të shpërndajnë topat apo t’i vertikalizojnë ato për sulmuesit, dhe nëse ata nuk kanë karakteristikat tipike të regjisorit nuk ka shumë rëndësi.
A do t’ju kërkoni që të bëjnë kujdes me Islandën për t’u ruajtur me Slloveninë?
Nga lojtarët dua që të jenë të kujdesshëm dhe të evitojnë kartonët e verdhë për gjëra idiote, siç janë protestat ndaj arbitrit, apo heqjen e fanellës. Detaje të tilla janë shumë të rëndësishme. Por ama, kur kundërshtari është duke shkuar te porta i vetëm, atëherë sigurisht që është më mirë një karton i verdhë.
A është ndeshja me Slloveninë kufiri ndarës i suksesit dhe i mossuksesit të Shqipërisë?
Nuk flas për ndeshjen me Slloveninë. Ua bëra të qartë që në fillim. Deri të premten në mbrëmje do të flasim vetëm për Islandën.
A do kënaqeni me 4 pikë në këto dy ndeshje?
Shikoni, unë jam njeri që kërkoj gjithnjë maksimumin dhe po ju them se nuk vë bast për 4 pikë. Marrim aq, marrim më shumë, apo më pak, unë këtë nuk e di, por po ju them se gjithnjë nisem për të marrë maksimumin. Unë në majën e një mali nuk jam mësuar të ngjitem me helikopter. Nuk e bëj këtë, sepse nuk kam pasur mundësi ta bëj dhe kjo më ka mësuar të ngjitem në majë me punë, sakrifica dhe me përulje. Jam mësuar të mos kënaqem me atë çfarë më ofron jeta dhe kërkoj gjithnjë maksimumin.
Ju thoni se Islanda është një ekip shumë i mirë fizikisht, se ata luajnë prej një kohe të gjatë bashkë dhe se janë në javën e 18-të të kampionatit. Çfarë ka më shumë Shqipëria që të mund të besojmë se ne i mundim ata?
Ka këmbënguljen për të fituar. Lojtarët kanë egon për të respektuar fanellën që veshin dhe jam bindur plotësisht se janë shumë të lidhur me fanellën kuqezi dhe e përjetojnë shumë momentin kur e kanë të veshur atë fanellë. Lojtarët tanë kanë cilësi, por edhe dëshirë të madhe e shpirt të lartë sakrifice.
JETMIR HALILAJ
Precedentët me rivalët, Sllovenia si një mallkim
Shqipëria është ndeshur tri herë në të kaluarën me Islandën dhe pesë herë me Slloveninë. Kuqezinjtë kanë një bilanc pozitiv me skuadrën islandeze, pasi kanë marrë dy fitore dhe një humbje, ndërkohë që me sllovenët bilanci është aspak i mirë. Me këtë ekip në pesë përballje nuk kemi fituar kurrë, ndërkohë që kemi marrë vetëm dy barazime.
ME ISLANDËN
30.05.1990 Rekjavik
ISLANDË – SHQIPËRI 2-1
26.05.1991 Tiranë
SHQIPËRI – ISLANDË 1-0
31.03.2004 Tiranë
SHQIPËRI – ISLANDË 2-1
BILANCI: 3 ndeshje; 2 fitore, 0 barazime, 1 humbje, GOLAT: 4-3
ME SLLOVENINË
09.06.1999 Tiranë
SHQIPËRI – SLLOVENI 0-1
18.08.1999 Lubjanë
SLLOVENI – SHQIPËRI 2-0
24.03.2007 Shkodër
SHQIPËRI – SLLOVENI 0-0
13.10.2007 Celje
SLLOVENI – SHQIPËRI 0-0
09.02.2011 Tiranë
SHQIPËRI – SLLOVENI 1-2
BILANCI: 5 ndeshje; 0 fitore, 2 barazim, 3 humbje, GOLAT: 1-5
Shqipëria sfidon gjigandë, islandezët si… basketbollistë
Shqipëria e De Biazit do të përballet me “gjigandë” të premten në stadiumin “Qemal Stafa”. Kundërshtari i radhës i kuqezinjve është Islanda, skuadra që ka lojtarë me një mesatare gjatësie prej 186 centimetrash. Në ekipin e drejtuar nga suedezi Lars Lagerbak vetëm dy futbollistë nuk i kalojnë 180 centimetrat, ndërsa të tjerët kanë një shtatlartësi për t’u pasur zili. Lufta në ajër është pika më e fortë e Islandës. Këtë e deklaroi dje edhe trajneri i kuqezinjve, Xhani De Biazi, pasi kishte vëzhguar kundërshtarin gjatë ndeshjeve të para eliminatore. Në këto kushte, kuqezinjtë duhet ta befasojnë Islandën me teknikë. Një lojë me topa të lartë e Shqipërisë ndoshta mund të ishte “vetëvrasje”, mirëpo kundërshtari shquhet edhe në anën fizike.
Situata – Islanda nuk do të ketë ndaj Shqipërisë sulmuesin e saj kryesor, Kolbein Sigtorson. Ky i fundit është pjesë e Ajaksit dhe me Kombëtaren ka shënuar 8 gola në 11 ndeshje. Megjithatë, një siguri për kundërshtarin e Shqipërisë është mesfushori Gylfi Sigurdson, i cili vlerësohet si ylli i Islandës. Ai bën pjesë te Totenhemi në Premier Ligë dhe klubi anglez pagoi plot 8 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit. Sigurdson ka luajtur 12 ndeshje me Islandën dhe ka shënuar vetëm një gol. Mesfushori njihet më shumë për shpërthimet e tij nga krahët. Kapiten i Islandës është Aron Gunarson, vetëm 23 vjeç, por që ka plot 31 ndeshje me Kombëtaren. Ai ka debutuar që në moshën 19-vjeçare, ndërkohë që aktualisht është pjesë te klubi i Kardifit në kampionatin anglez.
Biletat, çmimi shkon deri në 50 mijë lekë
Biletat për ndeshjet me Islandën dhe Slloveninë, që do të luhen në “Qemal Stafa”, kanë dalë në shitje prej dy ditësh. Çmimet e biletave për këto dy sfida janë: tribunat kryesore A dhe B: 3500 lekë dhe 5000 lekë; Tribuna D2: 1000 lekë; Tribunat D1 dhe D3: 700 lekë; Tribunat C dhe E: 200 lekë. Toni Asuma do të jetë arbitri që do të gjykojë ndeshjen e Shqipërisë kundër Islandës më 12 tetor në “Qemal Stafa”. Finlandezi 43-vjeçar shquhet si një arbitër i rreptë, që nuk e lejon lojën e rëndë dhe nuk i kursen as kartonët. Interesant është fakti se ai e ka nisur karrierën si futbollist dhe ka luajtur si portier në kategorinë e katërt deri në moshën 23-vjeçare. Dy ndeshjet eliminatore të Kombëtares shqiptare të futbollit do të luhen në Tiranë.
Kuqezinjtë, 9 ndeshje për 11 ditë
E gjithë Shqipëria e futbollit do të jetë një aksion ndërkombëtar, duke filluar nga Kombëtarja më e vogël, U-17, deri tek ajo e madhe, A. Si asnjëherë tjetër, në harkun e 11 ditëve (12-23 tetor), katër ekipet tona përfaqësuese do të zhvillojnë të gjitha së bashku jo pak, por nëntë ndeshje: tetë zyrtare dhe një miqësore (U- 21). Takimet zyrtare u përkasin eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Brazil 2014″ për Kombëtaren A, si dhe kualifikueseve të Evropianit 2013 për ekipet përfaqësuese U- 17 e U-19, ndërkohë që kundërshtarët janë Islanda, Sllovenia, Italia, Belgjika, Bjellorusia, Hungaria, Lihtenshtejni, por dhe Anglia C, apo U-23 siç quhet ajo. E veçanta është organizimi i eliminatoreve Euro U-19 në Vlorë dhe Fier, atje ku do të luajmë kundër Italisë, Belgjikës dhe Bjellorusisë.
NDESHJET
KOMBËTARJA A/ EL.BOT
12 tetor 2012
19:00 Shqipëri-Islandë
16 tetor 2012
21:00 Shqipëri-Slloveni
KOMBËTARJA U-21/ MIQ.
16:00 Shqipëri-Anglia C
KOMBËTARJA U-19/ EL.EU.
12 tetor 2012
18:30 Shqipëri-Itali
14 tetor 2012
18:30 Belgjikë-Shqipëri
17 tetor 2012
14:30 Shqipëri-Bjellorusi
KOMBËTARJA U-17/ EL.EU.
NE HUNGARI
18 tetor 2012
13:30 Itali-Shqipëri
20 tetor 2012
13:30 Shqipëri-Hungari
23 tetor 2012
13:30 Lihteshtejn-Shqipëri
JORGIS MEMO
Mavraj: Ylli ynë, tifozët kuqezinj
Ndërkohë, pasi kanë luajtur ndeshjet e radhës me ekipet e tyre, kuqezinjtë kanë marrë “fluturimin” për në Shqipëri, për t’iu bashkuar kombëtares dhe nisur kësisoji përgatitjet për dy ndeshjet e radhës kualifikuese. Përmes adresave të tyre personale në rrjetet sociale, shumë prej “legjionarëve” lënë shënime të tilla: Mirupafshim në Tiranë! Fitore me kombëtaren! Ndër këto shënime, më interesanti duket ai i Mërgim Mavrajt, kosovarit të Greuth Furthit në Bundesligën gjermane: “Tani drejt kombëtares. Ndoshta nuk jemi ekipi më i mirë i grupit, por të gjithë e dinë se jemi kundërshtari më i rrezikshëm në shtëpinë tonë, shumë të fortë edhe jashtë. Ndoshta nuk kemi ndonjë superyll në kombëtare, por tifozëria kuqezi është ylli ynë më i madh. Të gjithë ju, ta dini se do të fitojmë dhe një ditë do të kualifikohemi për në një kompeticion të futbollit botëror. Forca SHQIPERI!”
De Biazi, 24 kuqezinj “nën armë”
Trajneri i kombëtares shqiptare, De Biazi, ka publikuar mesditën e së shtunës listën e lojtarëve që do të ketë në dispozicion për dy kualifikueset e këtij muaji, të dyja në “Qemla Stafa”, ndaj Islandës më 12 tetor dhe ndaj Sllovenisë më 16 tetor. Janë të njëjtët lojtarë që u thirrën nga italiani kuqezi për dy ndeshjet e para kualifikuese në grup, me Qipron dhe Zvicrën, muajin e kaluar, me një “shtesë” të re, që mban emrin e Debatik Currit. Kosovari i Genlcerbirligi rikthehet në kombëtare pas një mungesë të gjatë, si rezultat i dëmtimit që pësoi me klubin e tij. Duke qenë se ka nisur të aktivizohet në kampionatin turk, edhe pse ende jo me kohë të plotë, De Biazi ka vendosur ta ftojë lojtarin në fjalë, i cili ka qenë dhe mbetet një pedanë kryesore e formacionit kuqezi. Lista prej 24 lojtarësh, e publikuar nga trajneri kuqezi, është një ndërthurje mes atyre që luajnë jashtë vendit dhe të tjerëve që militojnë në kampionatin tonë kombëtar. Ndër këta të fundit mund të përmenden tre elementë të ekipit kampion, Skënderbeu, sikurse janë portieri Orges Shehi, mbrojtësi Renato Arapi dhe mesfushori Sabien Lilaj. Në reaprin mbrojtjës grumbullohet sërish korcari i Vllaznisë, Tefik Osmani, ndërsa ka vend edhe për Franc Veliun e Flamurtarit e Gilman Likën e Tiranës.
Sikurse dihet, Shqipëria e nisi fushatën kualifikuese në grupin E për “Botërorin 2014” muajin e shkuar, me dy ndeshjet e para, në të cilat mori 3 pikë. Më 7 shtator priti Qipon në Tiranë, të cilën e mundi me rezultatin 3-1, falë golave të Sadikut, Çanit dhe Bogdanit, ndërsa katër ditë më pas u mund 2-0 në Lucernë, karshi helvetëve. Kuqezinjtë e shohin veten në vendin e tretë të renditjes në grup, me 3 pikë, aq sa ka edhe Islanda, Qipro dhe Norvegjia. Kryeson Zvicra me pikë të plota, 6 të tilla, ndërsa e fundit është Sllovenia pa asnjë pikë. Kësisoji, ballafaqimi me Islandën më 12 tetor në “Qemal Stafa” do të shërbejë për njëlloj “parakalimi” për secilën palë, nëse fitojnë, ndërsa katër ditë më pas kuqezinjtë presin sllovenët, ndaj të cilëve kemi humbur në miqësoren e fundit, me rezultatin 2-1, në Tiranë.
Ja edhe lista e lojtarëve të thirrur nga De Biazi për dy kualifikueset e muajit tetor:
1.Samir Ujkani (Palermo)
2.Etrit Berisha (Kalmar)
3.Orges Shehi (Skenderbeu)
4.Lorik Cana (Lacio)
5.Armend Dallku (Vorskla Poltava)
6.Tefik Osmani (Vllaznia)
7.Andi Lila (PAS Jannina)
8.Mergim Mavraj (Greuther Furth)
9.Debatik Curri (Genlcerbirligi)
10.Renato Arapi (Skenderbeu)
11.Franc Veliu (Flamurtari)
12.Jahmir Hyka (Luzern)
13.Emiljano Vila (PAS Jannina)
14.Burim Kukeli (FC Zurich)
15.Ansi Agolli (Qaraback)
16.Sabien Lilaj (Skenderbeu)
17.Gilman Lika (Tirana)
18.Ervin Bulku (Sepahan)
19.Armando Sadiku (Lugano)
20.Alban Meha (Paderborn 07)
21.Hamdi Salihi (DC United)
22.Odise Roshi (FSV Frankfurt)
23.Erjon Bodgani (Siena)
24.Edgar Çani (Polonia Varshava)
Renditja, Grupi E