TIRANË- Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, njëherësh numri dy i qeverisi ka bërë apel forcave politike të bashkëpunojnë për zgjedhjet lokale të 8 majit.
Haxhinasto ka pritur sot në një takimin misionin e ODIHR-it, që mbërriti dje në vendin tonë në kuadrin e një vizite 4 ditore me synim vlerësimin e situatës në prag të zgjedhjeve vendore.
“Opozita duhet të ndajë aksionin e saj politik nga domosdoshmëria për t`u angazhuar për një proces zgjedhor me standarde europiane. Angazhimi i opozitës në këtë proces dhe për ndryshimet në reformën zgjedhore është një domosdoshmëri për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe sipas standardeve europiane” theksoi Haxhinasto.
Sipas tij, qeveria është e angazhuar për zbatimin e të gjitha rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe garanton zgjedhje të lira e të ndershme.
Misioni do të qëndrojë në vendin tonë deri në datën 21 janar dhe do të zhvillojë takime të tjera me përfaqësues të shtetit, forcave politike dhe shoqërisë civile.